Shpërthejnë përplasjet mes grekëve, OMONIA kundër aleancës Basha-Idrizi, i kërkon Dules të largohet nga opozita

0
417

Kalimi i Shpëtim Idrizit në kampin opozitar ka futur në sherr grekët. Teksa Vangjel Dule ishte disi konfuz sa i takon qëndrimit të tij në opozitë, për organizatën e minoritetit grek, OMONIA kreu i PBDNJ nuk mund të rreshtohet në një aleancë me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi. Ditën e djeshme OMONIA përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, i kërkoi hapur kryetarit të Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule që të largohet nga opozita dhe të rishikojë vendin e tij. Madje, në deklaratën e saj, kjo organizatë shprehet e shqetësuar lidhur me lëvizjet e fundit në frontin opozitar, duke i konsideruar si kontaminime anakronike të panevojshme. “Kontaminim anakronik i panevojshëm, i paarsyeshëm dhe i paargumentuar i platformës politike të opozitës në Shqipëri. PBDNJ të ripërcaktojë pozicionin politik lidhur me zhvillimet. Shprehim shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet në frontin e opozitës në Shqipëri nën kryesimin e Partisë Demokratike. Adoptimi në këtë grupim të forcave politike, platformash që cenojnë mbarëvajtjen e praktikave të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, kufizon në fakt rrezikshëm nivelin e manifestimit publik të programeve mirëfilli europianizuese. Si Minoritet Etnik Grek kemi qenë dhe ngelemi të angazhuar në nxitjen e zhvillimeve politike në drejtimin e kristalizimit të forcave dhe programeve që kanë në epiqendër integrimin e vendit në familjen euroatlantike dhe imunizimin e shoqërisë nga propozime anakronike nacionaliste, që vetëm se minojnë përpjekjen për kohezion social, prosperitet dhe progres të popullit shqiptar”, thuhet në deklaratë.

Integrimi, OMONIA thumbon PD

Referuar kalimit të PDIU në opozitë, OMONIA theksoi se profili politik i PD-së i lidhur me përparimin e procesit të përfshirjes së Shqipërisë në familjen euroatlantike, sipas saj, është cenuar nga adoptimi i axhendës që minon marrëdhënien e qetë me Greqinë fqinje. “E çmojmë si lëvizje të panevojshme dhe të paargumentuar zhvillimin e djeshëm dhe tekstin shoqërues të marrëveshjes së koalicionit reciprok. Logjika e numrave shpie në spekulime jo të shëndetshme për jetën politike. Profili politik i PD-së i lidhur me përparimin e procesit të përfshirjes së Shqipërisë në familjen euroatlantike është cenuar nga adoptimi i axhendës që minon marrëdhënien e qetë me Greqinë fqinje, mbështetës konseguent të zhvillimit real të Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Pas kësaj, si OMONOIA i drejtohemi PBDNJ, që pas rikonsiderimit të situatës politike, të ripërcaktojë raportet e saj politike dhe të vijojë të orientojë sipas mundësisë, politikën, në drejtimin e duhur të precipitimit të platformave sterile nga nacionalizimi shterp dhe pa argument”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e OMONIA. Reagimi i organizatës së minoritetit grek, OMONIA ka ardhur pas zyrtarizmit të Partisë për Drejtësi dhe Integrim në kampin opozitar. Historikisht, Vangjel Dule dhe Shpëtim Idrizi, kryetarë të dy partive të vogla nuk kanë qëndruar asnjëherë në të njëjtin koalicion politik. Ndërsa Dule mbron interesat e minoritarëve grekë në Shqipëri, Idrizi ka të rrënjosur thellë në themelet e partisë së tij çështjen çame, të cilën Athina zyrtare nuk e ka pranuar kurrë.

/Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here