PD nxjerr në plan të dytë Kryemadhin, Basha marrëveshje në letër me PDIU por jo me LSI, përplasje në opozitë për zgjedhjet vendore

    0
    408

    Afrimi i Shpëtim Idrizit me Partinë Demokratike ka rindezur debatin në kampin opozitar. I vetmi që është dakord me një pakt të tillë është kreu i PD, Lulzim Basha. Ndërkohë që shumë deputetë, baza demokrate, por edhe aleatë të Partisë Demokratike janë rreshtuar kundër aleancës me Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Por ajo që bie në sy është se aleanca me Idrizin duket se është një strategji e Bashës për të nxjerrë Lëvizjen Socialiste për Integrim në plan të dytë dhe për të minimizuar rolin e saj në opozitë. Dhe ajo që e vërteton më së mirë këtë, ka të bëjë me marrëveshjen PD-PDIU sa i takon zgjedhjeve lokale, e cila u nënshkrua dy ditë më parë. Më konkretisht, Basha dhe Idrizi të dielën kanë firmosur një marrëveshje prej 6 pikash, e cila parashikon parametrat e bashkëpunimit politik të të dy forcave politike përpara zgjedhjeve vendore të 2019-ës. Madje, gazeta mësoi se marrëveshja Basha-Idrizi shkon përtej 6 pikave të publikuara në media, pasi ata i kanë dhënë garanci njëri-tjetrit edhe për një sërë çështjesh të tjera.

    PD mosbesues ndaj LSI

    Por ndryshe nga PDIU, PD nuk ka nënshkruar ende një marrëveshje zyrtare me LSI. Pak kohë më parë Lëvizja Socialiste për Integrim iu bashkua frontit opozitar, pas takimit që Kryemadhi pati me Bashën. Ndërsa edhe në 30 gusht të këtij viti, Kryemadhi bëri me dije gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në Tiranë, se opozita do të dalë me një kandidatë te përbashkët në zgjedhjet lokale. Ndërkohë që edhe para se të merrte këtë vendim, Kryemadhi nuk kishte pasur ndonjë takim me Bashën. Mirëpo, gazeta mësoi se arsyeja kryesore e përse Basha dhe Kryemadhi nuk janë ulur ë një tryezë sikundër kreu i PD bëri me Idrizin ka të bëjë me ndarjen e bashkive sa i takon zgjedhjeve lokale të 2019. LSI kërkon që në bashkitë që drejton aktualisht vetë, madje edhe në disa të tjera ka shfaqur ambicien për të dalë me kandidatë të saj që do mbështeteshin nga opozita, ndërsa Basha po heziton që t’ia japë. Dhe për këtë arsye kreu demokrat bëri një lëvizje taktike duke futur në lojë PDIU, vetëm e vetëm që të dobësojë dhe të nxjerrë jashtë loje LSI-në e drejtuar nga Kryemadhi. Ndërkohë që nga ana tjetër, arsyeja tjetër se përse Basha nuk po ulet që të nënshkruaj një marrëveshje zyrtare me Kryemadhin, ka të bëjë me klimën e mosbesimit, pasi besimi i PD tek LSI vijon të jetë i dobët edhe pse këto dy forca janë rreshtuar në kapin opozitar.

    PDIU në opozitë, reagon Kryemadhi

    Kalimi i PDIU në kampin opozitar u komentua nga të gjithë aleatët e Partisë Demokratike. Ndërkohë që e vetmja forcë politike që nuk kishte reaguar për këtë ishte LSI, e cila duket se nuk është e kënaqur me këtë lëvizje të Idrizit. Dhe këtë e tregon fare qartë reagimi i djeshëm që erdhi me vonesë nga LSI sa i takon afrimit të partisë së çamëve në opozitë. Ka qenë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila përmes një statusi në rrjetet sociale, deklaroi se ky koalicion është një zhvillim pozitiv në përpjekjet për të çmontuar qeverinë e Ramës. “Afrimi i PDIU në koalicionin opozitar është njëkohësisht shenjë e mbarë se opozita e bashkuar po shkon drejt zgjerimit dhe unifikimit të qëndrimit të saj me një spektër më të gjerë të politikës. Ky duket të jetë një proces i pakthyeshëm, që tashmë veç afrimit të partive politike do të prekë edhe shoqërinë civile, profesionistët e nderuar dhe të gjithë ata qytetarë që tashmë e kanë kuptuar se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim drastik, atë të ndarjes së krimit nga politika dhe vendimmarrja. Ky është misioni ynë si parti dhe koalicion opozitar! Ne mirëpresim çdo bashkëpunim politik dhe jo vetëm, për të luftuar së bashku kundër së keqes më të madhe që ka parë Shqipëria këto 25 vitet e fundit, atë të kriminalizimit të politikës dhe të shtetarëve”, deklaroi Kryemadhi.

    Rigels Seliman

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here