Peshëngritje, Calja më i miri, Qerimaj tërhiqet nga gara

0
591

Shtanga ende e ruan shkëlqimin e saj si një sport me rezultate të larta, dëshmuar me kampionatin e 70-të kombëtar, garat e të cilit u zhvilluan dje në ambientet e pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Në këtë garë pati ndryshime peshash nga garuesit dhe kjo përbënte risi. Interesant ishte fakti se në kampionat morën pjesë të gjithë sportistët elitarë, sepse garat vlenin për pjesëmarrje në Botëror. Briken Calja u shpall kampion në peshën deri në 73 kg si dhe sportisti më i mirë i aktivitetit. Ai e mbylli garimin e tij në dygarësh me 325 kg; në shkëputje ngriti 148 kg, ndërsa në shtytje 177kg, ndërkohë që më pas iu nënshtrua edhe kontrolleve antidoping. Përpara evenimentit Calja mori edhe një çmim mirënjohje për rezultatet e larta, megjithëse shtangistin po e “torturojnë” kohët e fundit me mungesë vëmendjeje financiare. Ndërkohë, Daniel Godelli garoi në peshën deri në 81 kg, ndërkohë që Erkand Qerimaj në fund vendosi që të mos marrë pjesë në kampionat. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica u shpreh se ky kampionat ishte një test në prag të evropianit dhe botërorit. Në fund të evenimentit u dhanë edhe kupat për ekipet dhe peshëngritësit fitues të çdo kategorie. Si peshëngritësja më e mirë doli veterania Shqiponja Brahja 44 vjeç, ndërkohë që shënuan emrin e tyre mes fituesve edhe Romaro Avdiraj ne 61 kg dhe Edison Nelo në 67 kg.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here