Mavraj “pushton” Selanikun, prezantim pompoz te grekët e Arisit

0
546

Në Greqi po shtohet ndjeshëm numri i lojtarëve shqiptarë. Pas një periudhe rënieje dhe pasigurie, më në fund kampionati grek po gjallërohet dhe shqiptarët nuk mund të mungojnë kurrsesi në këtë transformim të klubeve elitare greke. Kuptohet, në radhët e klubeve të mëdha greke ka pak futbollistë shqiptarë, por ata pak që militojnë në kampionatin helen kanë cilësi dhe ngjallin besim. Ergys Kaçe është pjesë e Panathinaikosit, teksa e njeh mirë kampionatin grek sepse ka luajtur më parë me Paokun e Selanikut. Pikërisht në qytetin e Selanikut kanë mbërritur ditët e fundit dy lojtarë të përfaqësueses së Shqipërisë. Bëhet fjalë për mesfushorin Migjen Basha, i cili është ingranuar tashmë në gjirin e skuadrës dhe ka luajtur madje dhe ndeshjen e parë me Arisin e Selanikut, ndërsa dje po me këtë ekip erdhi dhe prezantimi i një tjetër futbollisti të Kombëtares së Shqipërisë. Bëhet fjalë për Mërgim Mavrajn, mbrojtësi kuqezi i Kombëtares, i cili u prezantua edhe zyrtarisht si lojtar i Arisit në kampionatin grek. Madje Mavraj bëri një prezantim pompoz. Mediat helene nuk e kanë kaluar këtë rast pa e trumbetuar në shkrimet e tyre, duke thënë se Arisi po forcohet mjaft me dy lojtarë titullarë e me eksperiencë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Në fakt, ashtu siç edhe pritej Mërgim Mavraj është paraqitur ditën e djeshme në zyrat e klubit grek të Arisit të Selanikut duke u prezantuar si afrimi më i fundit i verdhezinjve. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare tashmë është zyrtarisht pjesë e Arisit të Selanikut dhe kontrata e re që ka nënshkruar me klubin duket se e ka lënë të kënaqur, pasi përflitet për shifra financiare komode për kushtet e kampionatit grek. Objektivi i Mavrajt është të arrijë sa më shpejtë formën optimale për t’u vendosur në dispozicion të skuadrës për ndeshjet zyrtare sa më shpejt. Te Aris i Selanikut, mbrojtësi Mavraj do të ketë shok skuadre mesfushorin Migjen Basha dhe të dy shqiptarët tashmë do të kërkojnë të lenë shenjë në elitën e futbollit grek. Për më tepër, në këtë skuadër më parë kanë luajtur dhe lojtarë të tjerë shqiptarë dhe klubi ka raporte të mira me futbollistët që vijnë nga Shqipëria. Vetë kosovari Mavraj ka postuar foton në Instagram, duke shkruar “Jasu Thesaloniki!”(Përshëndetje Selanik!) Afrimi i Mavrajt, mbrojtësit të kombëtares së Shqipërisë, konsiderohet një përforcim me shumë vlera për Arisin, që më parë ka marrë edhe mesfushorin Migjen Basha. Dyshja e kombëtares kuqezi pritet të jetë shumë e rëndësishme për klubin nga Selaniku, ku më parë është aktivizuar edhe Kristi Vangjeli. Mbetet të shihet forma e Mavrajt në ditët në vijim, por ai mund të rezultojë një goditje e madhe në treg për klubin grek të Arisit, pasi Mavraj vjen nga një kampionat shumë i fortë si ai gjerman i Bundesligës, ku ka luajtur për shumë vite dhe ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë. Tani atij i duhet të bindë skeptikët në Greqi dhe vetë tifozët e Arisit. Nëse gjërat shkojnë për mbarë atëherë Mavraj mund të shndërrohet në yllin e skuadrës së njohur të Selanikut. Të gjithë shpresojnë që Mavraj të jetë lider i mbrojtjes, pasi kështu ai do të ruajë një formë të lartë dhe për ndeshjet e Kombëtares Shqiptare, ku e para sfidë në radhë do të jetë ajo e kthimit kundër Izraelit, një ndeshje në transfertë. Në dy ndeshjet që lamë pas Mavraj ishte i grumbulluar, por mundi të aktivizohet vetëm në takimin ndaj Izraelit në fundin e ndeshjes, ku trajneri Kristian Panuçi e futi në fushë që të përdorte eksperiencën e tij për të mbrojtur rezultatin 1-0 që skuadra kishte siguruar në pjesën e dytë. Ndaj Skocisë skema e ndryshuar dhe emrat e ndryshëm që Panuçi hodhi në fushë sollën disfatën e pashmangshme, një humbje që do t’i kushtojë gjatë trajnerit italian të përfaqësueses. Mavraj vinte nga një periudhë ku nuk kishte luajtur sepse ishte pa skuadër, por me një stërvitje të mirë dhe aktivizimi te Aris ai do ta marrë shpejt rolin e tij lider në repartin difensiv të Kombëtares kuqezi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here