Zëvendëskryeministrja Senida Mesi, duke marrë fjalën në Kuvend ku diskutohet dekreti i presidentit për kthimin e ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, të ndryshuar”, ka theksuar se qeveria është e vendosur të vazhdojë me marrjen e masave që përmirësojnë klimën e biznesit.
Ajo theksoi se zhvillimi ekonomik dhe social, ndërkohë që rritja ekonomike ka trend pozitiv, është i pashkëputur nga reforma madhore të Qeverisë, ku më kryesore është reforma në Drejtësi dhe ngritja e institucioneve të saj, SPAK dhe Byroja e hetimit.
Mesi shtoi, se ndërkohë që mazhoranca është e përqendruar në këto zhvillime madhore, opozita, nga ana e saj, ndodhet në përpjekje për t’i shpëtuar skanimit të këtyre institucioneve.
“Të dy institucionet kalojnë në sitë lidhjet e politikanëve me krimin, por edhe pasuritë dhe pronat e tyre. SPAK dhe Byroja e hetimit nuk mjaftohen vetëm me largimin, por garantojnë masa ndëshkimore për politikanët e korruptuar. Vettingu i politikës nuk do bëhet vetëm nga politikanët, por nga organet e pavarura të Drejtësisë nën monitoronim e BE-së dhe SHBA-së. Ne jemi gati për Vettingun e vërtetë, ndaj mbështesim reformën në Drejtësi që nga dita e parë me qëllim që infrastruktura e re në drejtësi të marrë jetë”, theksoi ajo
Jemi gati të ulemi me opozitën për të diskutuar çdo lloj propozimi, por nuk pranojmë asnjë kompromis në lidhje me reformën në Drejtësi”, përfundoi zv.kryeministrja Mesi.