“Reigen”, drama e 10 personazheve dhe jeta e tyre në skenën e teatrit

0
631

Premiera teatrore “Reigen” (Rrethi) vjen në skenën e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës. Shkruar nga Arthur Schnitzler, regjisor i veprës teatrore është austriaku Alois Galle. Shfaqja e kësaj vepre në teatrot e Vjenës dhe Berlinit njëqind vjet më parë, çoi në konflikt dhe trazira në sallë deri në ndalimin e saj. Ndërkohë, dhjetë dialogët e saj kanë qenë prej kohësh në mesin e kryeveprave të letërsisë botërore. Në këto dhjetë skena vendosen përballë njëri-tjetrit prostituta dhe ushtari, ushtari dhe shërbëtorja, shërbëtorja dhe zotëria i ri, zotëria i ri dhe gruaja e re, gruaja e re dhe bashkëshorti saj, bashkëshorti dhe vajza e ëmbël, vajza e ëmbël dhe poeti, poeti dhe aktorja, aktorja dhe konti, konti dhe prostituta e skenës së parë. Asnjëri nuk është besnik ndaj tjetrit, ata flenë së bashku, por nuk ndjejnë dashuri. Ata ndihen të vetmuar edhe kur nuk janë vetëm. Vetmia nuk është fati i tyre, por faji i tyre. Ajo bazohet në gënjeshtra dhe mashtrime, në lakmi dhe në superficialitet. Vdekja është një tjetër mendim, i cili nuk i ndahet personazheve të pjesës. Ajo nxit tundimin për të shijuar momentin. Rolet në vepër luhen nga aktorët e tetarit të Shkodrës, por dhe nga Tirana. Në role janë Krist Lleshi, Nikolin Ferketa, Sara Smaja, Simon Shkreli, Julinda Emiri, Pjerin Vlashi, Ina Gjonçi, Jozef Shiroka, Loredana Gjeçi, si dhe me pjesëmarrjen e Frederik Fistanit. Drejtoresha e teatrit Rita Gjeka tregon se këtë herë për premierën puna me një regjisor të huaj në teatrin “Migjeni” të Shkodrës është e një tjetër mënyre. Ajo shton se premiera mendohet dhe në skenën e Tiranës. “Është një punë e ndryshme nga mënyra e të punuarit deri tani. Ne e sjellim premierën më datë 14 qershor, por shpresoj të jetë dhe te skena e Tiranës. Të shikojmë nëse do të plotësohen mundësitë për te Turbina”, pohon drejtoresha Gjeka për këtë shfaqje teatrore.

Drama dhe transformimi i njerëzve

Premiera vjen në teatrin e Shkodrës në datat 14, 15 dhe 16 shtator. Aktori Nikolin Ferketa tregon se tregohet për shtresa të ndryshme të shoqërisë drejt degradimit. “Vjen drama e 10 personazheve dhe jetët e tyre në marrëdhënie me njëri – tjetrin. Tradhtinë, dashurinë, urrejtjen, pasionin, epshin. Se si njerëzit transformohen kur bëhet fjalë për seks. Harrohet ndjenja e dashurisë. Vajza që e kanë nisur që në vogli këtë “profesion”. Shtresa të ndryshme të shoqërisë drejt degradimit të epsheve seksuale, duke harruar fjalën familje”, tregon aktori Nikolin Ferketa një nga emrat aktivë të skenës s tetarit. Regjisori austriak këtë herë i ka besuar rolin e ushtarit aktorit Nikolin Ferketa. Ai tregon se personazhi i tij është gjatë gjithë kohës në shërbimin ushtarak dhe në vij të parë të frontit. Ai nga çasti në çast mund të vritet dhe jeta për të është njësoj si vdekja. “Edhe pse i ri në moshë rrethanat e luftës e kanë bërë jo optimist për jetën. Takimi me prostitutën e bën atë, që thjesht ta përdori atë. Duke mos pasur asnjë lloj ndjenje, por të kryejë atë marrëdhënie seksuale dhe të vazhdojë jetën e tij në kazermë. Sepse për personazhin e ushtarit kazerma është më e rëndësishme se një femër”, pohon aktori Ferketa. Por edhe takimi i dytë me shërbëtoren për personazhin e tij është në po të njëjtën marrëdhënie. “Tashmë nuk ka asnjë ndjenjë për sa i përket aspektit sentimental. Ai thotë dhe vetë: “Më mirë do ishte sikur të kishim vdekur”. Pra kjo është jeta e këtij si personazh. Monotone dhe nuk i dhimbset jeta”, përfundon aktori Nikolin Ferketa. Arthur Schnitzler (15 maj 1862 -21 tetor 1931) njihet si shkrimtar dhe dramaturg austriak, dhe për publikun shqiptar vjen vepra e tij “Reigen” premierë./Julia VRAPI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here