Filmi “Det i zbrazët dhe shterp”, më i miri në “Dea open air”

0
645

Edicioni i pestë i festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea open air” përfundoi në qytetin e Sarandës. Të pranishëm në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve ishin kineastë, aktorë e regjisorë nga Europa dhe bota, personalitete të kulturës dhe biznesit, artistë të zhanreve të tjera të artit, diplomat, përfaqësues të medias, studentë, miq dhe dashamirës. Drejtori Edmond Topi u shpreh se edhe programi i këtij festivali zbuloi sërish një shumëllojshmëri kulturash, stilesh dhe individualitetesh. “Në një kohë me kaq shumë dhunë dhe arbitraritet, kultura mbetet e vetmja paqe dhe rrugëdalje, dhe kontribuesit e shquar të saj të vetmit udhëheqës shpirtërorë. Prandaj ka kaq shumë rëndësi që ne ta përhapim dhe promovojmë atë”, tha drejtori Topi. Festivalin e përshëndeti edhe ish-ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann, i ftuar nderi i këtij edicioni. Ai iu referua rëndësisë së eventeve të tilla në intensifikimin e shkëmbimeve mes kulturave, shumëllojshmërisë së kontributeve artistike në këtë edicion, numrit të madh të autorëve të pranishëm dhe interesit të publikut për të diskutuar me ta pas filmave respektivë, cilësisë së ofertës filmike dhe jo së fundi rëndësisë së eventit për imazhin e vendit dhe për ofertën kulturore të një qyteti turistik si Saranda. Juria e filmit të shkurtër, që ndoqi këtë konkurrim ishte e përbërë nga Dominik Streib (pedagog – Gjermani); Kimete Berisha (zyrtare e kinematografisë – Kosovë) dhe Eliodor Markja (regjisor montazhi – Tiranë) ndau disa çmime, mes tyre kupa “Dea” për filmin e shkurtër më të mirë iu akordua filmit “Talia”- Toni Bestard – Spanjë 2017. Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga Clemens Erbach (regjisor – Gjermani), Isabelle Welter (producente – Austri), Rusomir Bogdanovski (skenarist dhe pedagog i skenarit – Maqedoni), Genc Përmeti (skenarist dhe producent- Shqipëri), Luan Kryeziu (regjisor dhe skenarist- Kosovë), ndau çmimet për skenarin më të mirë, kamera më e mirë, aktori më i mirë, regjisor më i mirë si dhe çmimi kupa “Dea” për filmin më të mirë me metrazh të gjatë shkoi për filmin “Det i zbrazët dhe shterp”- Spanjë 2018, të regjisorëve Lucas Parnes, Jesus Serna. Çmimi special i Medias shkoi për filmin e shkurtër “Dita kalon, fillon mëngjesi” – Lina Erzen, Slloveni 2017, dhe për filmin e garë shkoi për “Jetë sublime”- Luis Diogo, Portugali 2018.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here