Rrjeta e vetingut zbret te Krimet e Rënda, hidhet shorti për dosjet e prokurorëve, në sitë emrat që shqyrtuan dosjet e bujshme

0
577

Prokurorët e Krimeve të Rënda duket se do të jenë emrat e radhës që do të kalojnë në sitën e vetingut. Lista me 57 gjyqtarët dhe prokurorët që iu nënshtruan me përparësi vetingut është në prag të përfundimit dhe për këtë arsye Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është vënë në lëvizje. Sipas burimeve të gazetës, KPK i ka dërguar një shkresë institucionit të prokurorisë, ku kërkohet që të nisë shortimi i dosjeve të prokurorëve të Krimeve të Rënda, por edhe të drejtuesit të tyre, Donika Prela, e cila zëvendësoi në këtë post Besim Hajdarmatajn. Ligji e ka të përcaktuar që procesi i vetingut kryhet në bazë të tri shtyllave: pasuria, figura dhe aftësitë profesionale. Për këto të fundit, për subjektin e rivlerësimit zgjidhen me short 5 dosje të shqyrtuara prej tij dhe vëzhgohet mënyra e punës. Nëse në dosjet e përzgjedhura gjenden shkelje, atëherë kjo bëhet pikë problematike për subjektin e rivlerësimit. Duhet theksuar fakti se shortimi i dosjeve është hapi i parë që hidhet për procesin e vetingut dhe për këtë arsye mund të themi se dita kur prokurorët e Krimeve të Rënda do t’i nënshtrohen filtrave nuk do të jetë e largët. Madje, sipas burimeve konfidenciale, nuk përjashtohet mundësia që kjo kategori t’i nënshtrohet më parë procesit të vetingut. Prokurorët e Krimeve të Rënda janë ata që në dorë kanë dosjet e bujshme. Çështjet e krimit të organizuar, por edhe të korrupsionit trajtohen nga Krimet e Rënda e për këtë arsye çështjet njihen si të nxehta. Mes dosjeve të bujshme që kanë në trajtim prokurorët e Krimeve të Rënda janë ato të 616 kg kokainë të kapura në kontenierët me banane, 3.4 eurot e sekuestruara në automjetin “Toyota Yaris”, dosja “Habilaj”, në të cilën është i implikuar edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri apo edhe dosja e Adriatik Llallës, pasuritë e të cilit u sekuestruan pak kohë më parë.

Emrat e mbetur nga lista prioritare

Shumë pak emra kanë mbetur pa u vetuar nga lista prioritare e prandaj KPK po kërkon të nisë procesi edhe për prokurorët e Krimeve të Rënda. Më konkretisht, nga ky grup kanë mbetur pa kaluar në sitë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ramadan Troci, Besnik Cani, Shpëtim Kurti; kandidati për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Kastriot Selita kandidatja për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari. Nga rezultatet e vetingut deri tani, është bërë e mundur që të hapet rruga për ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa pritet që së shpejti e njëjta gjë të ndodhë edhe me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, sapo të përfundojë vetimi për emrat e mbetur. Pra, duket që KPK ka në fokus ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Ndërkohë, teksa pritet që prokurorët e Krimeve të Rënda së shpejti t’i nënshtrohen procesit të vetingut, duhet theksuar fakti se në pritje janë edhe 36 emra të tjerë, të cilët u shortuan pak kohë më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Pjesë e këtij grupi janë edhe ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, i cili u shkarkua nga ky post nga kryeprokurorja Arta Marku, si edhe Sandër Simoni që është kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në listën me 36 prokurorë dhe gjyqtarë që janë shortuar për tu vetuar, bëjnë pjesë edhe nëntë gjyqtarë nga Gjykata e Krimeve të Rënda./Mimoza IBRA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here