Arta Marku “shkund” prokurorët dhe policët gjyqësorë, kërkon masa të ashpra për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, zbardhen porositë

0
355

Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku ka kërkuar dje masa të ashpra për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit në vend. Situata e ditëve të fundit duket se ka shqetësuar së tepërmi kryeprokuroren Marku, e cila mblodhi me urgjencë të gjithë drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe të Apelit. Sipas njoftimit të prokurorisë, kryeprokurorja Marku ka dhënë një sërë porosish për të gjithë prokurorët dhe policët gjyqësorë. Kryeprokurorja Marku kërkoi nga drejtuesit e prokurorive që të rritet bashkëpunimi me policinë dhe organet e tjera të ligjit me qëllim që të goditet krimi i organizuar dhe korrupsioni. Një kërkesë e parashtruar edhe nga Bashkimi Europian dhe SHBA që kanë kërkuar shpesh arrestime VIP. Por krahas këtyre porosive, kryeprokurorja u kërkoi prokurorëve që t’i kushtojnë vëmendje të theksuar edhe dosjeve të pezulluara pa autor, kryesisht atyre të vrasjeve më qëllim që të zbulohen autorët. “Më datë 07 shtator 2018, Prokurori i Përgjithshëm znj. Arta Marku zhvilloi një takim me të gjithë drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe të Apelit. Në mbledhjen e zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme, zonja Marku, kërkoi rritjen e bashkëpunimit me Policinë dhe agjencitë e tjera të ligjit, ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore, për hetimin e krimit në tërësi, dhe në veçanti krimit kundër jetës, pronës, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeprokurorja ka kërkuar vëmendje të shtuar për dosjet e pezulluara pa autor, kryesisht të vrasjeve, tërheqjen dhe analizën e detajuar të tyre, me qëllim kryerjen e veprimeve të gjithanshme, me shpejtësi dhe efikasitet në drejtim të zbulimit të autorëve”, njoftoi prokuroria. Kryeprokurorja Marku i urdhëroi të gjithë drejtuesit që të paraqesin brenda muajit shtator listën e përditësuar të të gjithë personave të shpallur në kërkim dhe të nisin arrestimet e tyre. “Gjithashtu, gjatë mbledhjes, nga Prokurori i Përgjithshëm u është kërkuar drejtuesve të prokurorive, të paraqesin brenda muajit shtator, listën e përditësuar të personave në kërkim dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit marrjen e të gjitha masave për evidentimin dhe kapjen e tyre. Për më tej, Kryeprokurorja u ka kujtuar drejtuesve të prokurorive detyrimin ligjor për raportimin dymujor të gjendjes së kriminalitetit në rrethet përkatës”, njoftoi Prokuroria e Përgjithshme.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj