Ndeshja Shqipëri-Izrael, I gjithë shteti në këmbë. Rreth 670 forca policie, nga njësia antieksploziv tek FNSH e RENEA

0
601

I gjithë shteti është ngritur në këmbë, për ndeshjen e Kombëtares Shqiptare për Ligën e Kombeve, ditën e nesërme ndaj Izraelit, në “Elbasan Arena”.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit njofton se janë angazhuar plot 670 forca policore, nga “FNSH”, tek “DELTA”, “RENEA”, por edhe policitë rrugore e kriminale, si dhe njësitë antieksploziv.

Gjithashtu, janë bërë të qarta edhe për tifozët, mjetet e ndaluara në stadium. Më poshtë, njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit.

NJOFTIM PËR MEDIAT

Policia e Shtetit informon publikun dhe median lidhur me masat e marra për të garantuar sigurinë publike, rendin dhe qetësinë, si dhe zhvillimin normal të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael, në datën 07.09.2018, në orën 20:45, në Stadiumin “Elbasan Arena”.

Policia e Shtetit ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit, subjektin e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike dhe aktorë të tjerë qeveritarë, privatë, mbështetës të ekipit tonë përfaqësues etj., me qëllim që të ruajmë standardin e sigurisë dhe të shërbimeve, për këto aktivitete.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, paraprakisht ngriti grupet e punës në nivel qendror dhe vendor, të cilët studiuan çdo informacion të agjencive ligjzbatuese, nga bashkëpunimi ndërkombëtar, por edhe eksperiencën e ndeshjes së futbollit të vitit 2016 midis dy ekipeve. Eshte hartuar Plani i Masave, janë realizuar disa takime nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si dhe çdo strukturë pjesëmarrëse në këtë shërbim, ka hartuar planet e vendosjes së punonjësve të policisë.

Vlerësimi ynë është se kjo ndeshje futbolli do të zhvillohet në një mjedis të qetë, të sigurtë dhe mirëpritës në hapësirat publike për të gjithë mbështetësit që dëshirojnë ta ndjekin atë në stadium.

Policia e Shtetit, me qëllim garantimin e plotë të sigurisë së ndeshjes së futbollit, do të angazhojë gjatë rreth 670 forca policore, sipas sektorëve për sigurimin e rrugëkalimit nga Tirana në Stadiumin “Elbasan Arena”, për sigurimin e rendit dhe të sigurisë në qytetin e Elbasanit, në pikat e kontrollit dhe të hyrjes së tifozëve, sigurinë e perimetrit të jashtëm të stadiumit, por edhe forca të gatshme për ndërhyrje, nëse do të lindë e nevojshme. Në këto shërbime janë përfshirë policia vendore, Repartet e Ndërhyrjes së Shpejtë, Reparti Special “RENEA”, Reparti Special “DELTA”, njësia antieksploziv, Policia Rrugore, Policia Kriminale, Policia Kufitare për kontrollin e shtetasve, që mund të vijnë nga jashtë shtetit, njësi të tjera të specializuara, por jemi në bashkëpunim edhe me agjencitë ligjzbatuese.

Strukturat e Policisë së Shtetit po monitorojnë rrjetet sociale dhe burimet e hapura, për identifikimin e individëve dhe grupeve, që mund të bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit etj.

Nga ana jonë është bërë rikonicioni nga toka dhe ajri i stadiumit, i ambienteve përreth dhe i rrugëve të afrimit në stadium dhe, mbi këtë bazë, janë përcaktuar shërbimet për monitorimin e aktivitetit dhe garantimin e sigurisë, si dhe për shoqërimin në distancë apo në afërsi, të grupeve të tifozëve, që do të vijnë nga drejtime të ndryshme për në stadium.

Për kontrollin e tifozëve, biletave, sendeve të forta, si dhe orientimin e mbështetësve të ekipeve, janë përcaktuar 7 pika hyrëse pranë stadiumit, të cilat do menaxhohen nga shërbimet e policisë dhe Repartet e Ndëhyrjes së Shpejtë, me qëllim identifikimin nominal të tifozëve, që do hyjnë në stadium, por edhe në rast prishjeje të rendit apo krijimit të konfuzionit nga sportdashës të ndryshëm.

Në këtë akvititet të rëndësishëm ndërkombëtar të futbollit, në zbatim të përcaktimeve të nenit 51, të Ligjit Nr. 79/2017 “Për Sportin”, Policia e Shtetit është në bashkëpunim dhe ndjekje të vazhdueshme të masave të sigurisë, edhe me subjektin e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike të kontraktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, punonjësit e të cilës do të kryejnë disa detyra, që ligji ia ka deleguar këtij shërbimi, si për:

–              Kontrollin e tifozëve në portat hyrëse të stadiumit.

–              Sigurimin e vendkalimeve publike në stadium.

–              Drejtimin e spektatorëve tek ulëset në tribunat e stadiumit dhe mbajtjen e tyre nën kontroll.

–              Sigurimin dhe mbrojtjen e lojtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të ndeshjes, nga futja e tifozëve në pistën e stadiumit etj.

Për realizimin e këtyre detyrave në këtë aktivitet sportiv, subjekti i mësipërm do të angazhojë një personel prej 150 personash.

Rikujtojmë qytetarët se kapaciteti akomodues i stadiumit “Elbasan Arena” është 12.747 persona, me 15 porta hyrjeje. Parashikojmë që në çdo 1 orë, në secilën prej portave hyrëse, të hyjnë rreth 720 persona.

Ndërkohë bëjmë me dije qytetarët, se janë parashikuar masa rigoroze për ndalimin e hyrjes dhe përdorimit në stadium të:

–              Parrullave, pankartave apo provokimeve, që synojnë nxitjen e urrejtjes dhe të dhunës.

–              Fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve të tjera piroteknike, i sendeve të forta apo metalike, si çelësa apo monedha, të cilat janë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njerëzve.

–              Mbajtja e maskave, shisheve, tregtimi i pijeve alkoolike apo mbajtja e armëve etj.

Gjithashtu do të jetë funksional sistemi i lajmërimit të publikut, i aftë të dëgjohet edhe mbi zhurmën e turmës, brenda dhe jashtë mjedisit sportiv.

Element i rëndësishëm i sigurisë, janë biletat e personalizuara me emrin e çdo personi që kërkon të hyjë në stadium, ndaj është e detyrueshme që çdo qytetar i cili kërkon të hyjë në stadium, krahas biletës, të ketë me vete edhe dokument identifikimi: letërnjoftim ose pasaportë.

Gjithashtu është e nevojshme që sportdashësit të paraqiten në stadium 3 orë para fillimit të ndeshjes, për të akomoduar në tribunat sipas biletave që kanë blerë, për të lehtësuar punën e Policisë së Shtetit dhe të “stjuartëve”, për kontrollin dhe hyrjen në kohë në stadium. Ndaj kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve dhe i ftojmë ata, që të mos e lënë për në minutat e fundit hyrjen në stadium.

Njoftojmë se lokalet në afërsi të stadiumit, prej orës 14.00 të datës 07.09.2018, do të mbyllen.

Policia Rrugore do të mbikëqyrë trafikun rrugor në akset drejt dhe në qytetin e Elbasanit, aksin nga Tirana, si dhe shoqërimin e personaliteteve të larta shtetërore, ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe të Izraelit. Kontrolle në këto akse rrugore do të ketë edhe me radarë për matjen e shpejtësisë, apo kontrolle për të identifikuar drejtuesit e automjeteve që konsumojnë alkool.

Do bëhet bllokimi i disa segmenteve rrugore, të cilat janë bërë publike nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ndërsa në sheshin para stadiumit, do të lejohen të parkohen vetëm automjetet e pajisura me autorizimin përkatës nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Policia e Shtetit  në vlerësim edhe të detyrimeve, që rrjedhin nga aktet ndërkombëtare  është e vendosur dhe e gatshme të zhvillojë, të ofrojë dhe të bashkëpunojë me të gjitha agjencitë qeveritare dhe private, për një qasje të integruar për rendin, sigurinë dhe shërbimet, për të parandaluar akte dhune apo kriminale në stadium, për zbatimin e standardit për një mjedis të sigurt dhe mikpritës, por edhe për respektimin e ligjit, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, brenda dhe jashtë stadiumit “Elbasan Arena”, duke marrë parasysh praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë drejtim.

Duke falenderuar qytetarët për mirëkuptimin lidhur me masat e sigurisë dhe disa kufizime për shkak të këtyre masave, kërkojmë bashkëpunim e tyre për realizimin me sukses të këtij aktiviteti të rëndësishëm ndërkombëtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here