Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pasi është thirrur për një çështje që lidhet me zgjedhjet në qarkun e Elbasanit. Ajo ka mbërritur e vetme në godinën e institucionit, ndërsa SPAK po heton dyshimet se janë bërë favorizime dhe dhënie e ndihmës ekonomike për persona të caktuar, me qëllim që ata të votonin për Partinë Socialiste.
Sipas informacioneve, dosja në fjalë ka mbërritur në SPAK nga Elbasani. Hetimet lidhen me dyshime për përdorimin e ndihmës ekonomike dhe përfitimeve të tjera për të ndikuar te votuesit gjatë procesit zgjedhor.
Sara Mila është deputetja më e votuar në qarkun e Elbasanit, ndërsa paraqitja e saj në Prokurorinë e Posaçme vjen në kuadër të hetimeve për këtë çështje. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK lidhur me objektin e plotë të hetimit apo cilësinë në të cilën është thirrur deputetja. Gjithashtu, nuk ka të dhëna nëse ndaj saj ekziston ndonjë akuzë konkrete.










































