Google search engine
Home Kulture “Katedralja” hap “KoKo Fest 2026”, vepra e Hygosë sjell në skenë një...

“Katedralja” hap “KoKo Fest 2026”, vepra e Hygosë sjell në skenë një histori dashurie, sakrifice dhe fati

0
17

Nga Julia Vrapi

Muzikali “Katedralja”, i bazuar në romanin e Viktor Hygosë, do të ngjitet në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, duke shënuar hapjen e festivalit ndërkombëtar të komedisë “KoKo Fest 2026”. “Katedralja”, e cila vjen si shfaqje përshëndetëse e festivalit dhe jo në konkurrim, sjell për publikun një histori dashurie, sakrifice dhe fati, të përcjellë përmes muzikës, interpretimit dhe koreografisë. Me regji nga Xhuliano Brisku, “Katedralja” bashkon aktorë të teatrit, balerinë dhe artistë të tjerë, duke e kthyer romanin e Viktor Hygosë në një përjetim skenik.

Pas mbrëmjes së 28 gushtit, “Koko Fest 2026” do të vijojë për disa ditë me radhë me një program të pasur teatror, ku do të konkurrojnë vepra shqiptare dhe të huaja, të sjella nga trupa dhe artistë nga Shqipëria dhe rajoni. Korça për 10 ditë do të kthehet në një qendër të rëndësishme të jetës teatrore, duke bashkuar në një skenë krijimtarinë shqiptare dhe atë ndërkombëtare, në një festival që synon të promovojë teatrin dhe të sjellë për publikun një program të larmishëm artistik. “Katedralja” që hap festivalin dhe vjen në skenë me regji nga Xhuliano Brisku pati premierën në dhjetor të vitit të kaluar në Korçë dhe pas pritjes së publikut, rikthehet sërish në skenë në kuadër të “KoKo Fest 2026”, duke shënuar edhe hapjen e festivalit.

Për Briskun, kjo vepër përfaqëson një tjetër sfidë artistike, ku ndërthuren teatri, muzika dhe koreografia për të sjellë një interpretim të veçantë të veprës së njohur të Hygosë. Në role janë Arsi Bako, Amri Hasanlliu, Gerald Murrja, Donald Shehu, Mateus Frroku dhe Gloria Nure. Pjesë e shfaqjes janë edhe balerinët Sindi Kordha, Jorgo Cenolli, Adea Cale, Qemal Agolli, Dhanai Dishnica, Erik Ceka, Ilva Dredhasi, Kristi Nano, Kejsi Metanj, Juri Metaj, Neralb Osmanlli dhe Orest Tahirllari. Koreograf në shfaqje Artan Ibershimi, udhëheqës muzikor Artur Vera, orkestrues Laert Qazimi, kostumet Dhespina Cani, skenografia Beqo Nanaj.

Shfaqjet në skenën e festivalit

 Festivali “KoKo Fest” këtë vit zhvillon edicionin e tij të 13-të dhe vjen në vijim dhe të aktiviteteve të tjera kulturore këtë sezon në Korçë. Në datë 29 gusht do të jetë në skenë “Plaçka” shkruar nga Xho Orton me regji nga Roland Minga, produksion i teatrit “Petro Marko” të Vlorës, në 30 gusht shfaqja “24 orë nga jeta e një votuesi” nga dhe nën regjinë e Driada Dervishit, “Art Ad” e “Eja në teatër”, Tiranë. Në 31 gusht do të shfaqet “Si ne të dy” nga Edward Albee me regji nga Violeta Trebicka- Vial.edupromart, Tiranë. Fillimi i shtatorit sjell në skenën e festivalit, komedinë “Thashethemet” nga Neil Simon regjia Besim Ugzmajli nga teatri “Hadi Shehu” Gjakovë; mbrëmjen e datës 2 shtator në skenë do të jetë “8 persona plus” vepër e Ferdinand Radit me regji nga Andeta Radi -teatri “Andon Zako Çajupi”-Korçë.

Në datë 3 shtator do të jetë “Gomerët e Trojeve” autor e regjisor Gent Bejko-teatri “Migjeni” Shkodër, po këtë mbrëmje në skenë do të jetë dhe “Fshati ku të vjedhin burrin” autor e regjisor Armand Bora, trupa teatrore e Universitetit Europian të Tiranës dhe Teatri i Komedisë Popullore. Në datën 4 shtator vjen në skenë “Zotëriu i parë” autor e regjisor Fatos Berisha-Teatri Kombëtar Shkup.

 Mbrëmjen e 5 shtatorit në skenë do të jetë “Babai” autor Florian Zeller regjia Erson Zymberi-Teatri Kombëtar Eksperimental në Tiranë. Në datën 6 shtator në skenë do të jetë “Demos”, Aristofani, shfaqje me regji nga Altin Basha-teatri i Korçës. Në përfundim të festivalit që zhvillohet në qytetin e Korçës do të ndahen edhe çmime për artistët dhe produksionet më të spikatura.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here