Gjykata e Rrethit Basmanny në Moskë ka autorizuar arrestimin në mungesë të Conor Kennedyt, djalit të sekretarit amerikan të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., duke e përfshirë atë në listën e personave të kërkuar.
Vendimin e bëri publik më 12 gusht agjencia shtetërore ruse TASS.Kennedy akuzohet për “mercenarizëm” sipas Kodit Penal të Federatës Ruse, vepër që parashikon dënim me shtatë deri në dhjetë vjet burg. Sipas TASS-it, avokati i tij e ankimoi vendimin, por gjykata e la në fuqi.
Conor Kennedy, stërnip i presidentit John F. Kennedy, u bashkua me Legjionin Ndërkombëtar të Ukrainës në vitin 2022, në nisjen e pushtimit rus në shkallë të plotë. Besohet se u largua në tetor të po atij viti, pas një periudhe të shkurtër shërbimi.
Në një postim në Instagram në tetor 2022, ai shkroi se ishte prekur thellësisht nga ngjarjet që kishte ndjekur gjatë vitit në Ukrainë
. Sipas rrëfimit të tij, nuk kishte asnjë përvojë ushtarake para se të rekrutohej dhe ia kishte bërë të ditur vendimin vetëm një rrethi shumë të ngushtë: një personi në Shtetet e Bashkuara i tregoi se ku ndodhej, një personi në terren i tha emrin e vërtetë. Nuk donte, shkruante ai, që familja dhe miqtë të shqetësoheshin, as “të trajtohesha ndryshe atje”.










































