Tashmë edhe zyrtarisht, kampionia në fuqi e Kosovës, Drita është bërë më trajner të ri (vjetër). Në krye të skuadrës bardhekaltër nga Gjilani është zgjedhur të jetë Ardian Nuhiu, i cili nuk është një emër i panjohur për klubin gjilanas. Ardian Nuhiu rikthehet si trajner i Dritës, pozitë të cilën e kishte mbajtur për më shumë se tri vite. Emërimin si trajner të Ardian Nuhiu e ka konfirmuar vetë klubi Drita në rrjetet sociale, me mbishkrimin “Ai është rikthyer”.
Nuhiu ishte pjesë e Dritës fillimisht si ndihmëstrajner i Shpëtim Duros, nga 17 shtatori i vitit 2018 deri më 10 shkurt 2019. Nga 11 shkurti, pas shkarkimit të Duros, Nuhiu e kishte marrë në dorë Dritën si trajner. Sezonin pasardhës, Nuhiu ishte shpallur kampion i Superligës me Dritën, derisa pati paraqitje të mëdha edhe në garat evropiane. Nuhiu u nda me Dritën në nëntor të vitit 2022, pas eliminimit nga Liria në Kupën e Kosovës.
Pas aventurës te Drita, Nuhiu kaloi pak kohë edhe te Gjilani, rivali i përbetuar i Dritës, si dhe edhe te Shkëndija e Tirana, derisa më parë ishte te Shkupi. Drita rikthehet në aksion ditën e enjte të 13 gushtit, me ndeshjen e kthimit të fazës së tretë të kualifikimeve për Ligën e Konferencës ndaj Tre Fiorit, e cila do të jetë edhe ndeshja debutuese e Ardian Nuhiut. Ndeshjen e parë, nën drejtimin e ndihmëstrajnerit Visar Sermaxhajt, Drita e fitoi 4-1 në San Marino.
Ndeshja e kthimit do të luhet në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Poqëse e kalon këtë raund, Drita do të luajë ndaj fituesit të përballjes mes Floras dhe Inter d’Escaldes në fazën e “play-offit”. Ndeshja e parë e këtij çifti u mbyll me fitoren e Inter d’Escaldes, me shifrat prej 2-0. Nuhiu vjen si pasardhës i Zekirija Ramadanit, i cili për pothuajse tri vjet e drejtoi skuadrën e Dritës. Gjatë periudhës te Drita, “Zeki” e fitoi dy herë titullin e kampionit, edhe atë radhazi (2024/25 dhe 2025/26), derisa e fitoi edhe Superkupën e Kosovës 2026.







































