Opera “Scanderbeg” e kompozitorit italian Antoni Vivaldi u vu për herë të parë në skenën e teatrit “Teatro di viadella Pergola” në Firence më 22 korrik të vitit 1718, një vepër kushtuar heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.Kjo vepër kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u vu në skenë me rastin e hapjes së teatrit të Firences “Teatro di viadella Pergola”. Kjo bëhet me dije nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, që shprehej më herët se ky institucion i rëndësishëm vepronte prej vitit 1657 me emrin “Teatro dell Academia degli Immobili”, dhe karakterizohej nga një frymë inovatore sidomos për propozimet që vinin nga Venediku, si vatra e krijimtarisë operistike italiane nga fillimi i shekullit XVII.
“Opera “Skënderbeu” hyn në listën e veprave të luajtura rrallë të Antonio Vivaldit dhe autori i libretit ishte Antoni Salvida Lucignano. Partiturat e operës nuk janë ruajtur plotësisht, janë vetëm katër arie dhe dy recitative, të cilat sot ruhen në Bibliotekën Kombëtare në Torino. Autografi i Vivaldit gjendet në vëllimin e dytë të koleksionit të përmendur, i cili përbëhet prej gjashtë kapitujve plotësisht të ruajtur të muzikës. Nga kronikat e kohës mësohet se kjo vepër është vënë në skenë rreth 18 herë rresht, në krye të çdo tri ditëve. Studiuesit thonë se shkaku më i rëndësishëm i suksesit të operas “Skënderbeu”, vetëm në një sezon, duhet kërkuar te situata politike e asaj kohe. Pas betejave të shumta me fitore, në Venedik, por dhe në shtetet e tjera të vogla italiane u bë interesante figura e Skënderbeut. Por tregimi për princin shqiptar, ashtu sikurse bëhej aktual në shumë momente të krizës dhe frikës së Evropës para ekspasionit otoman, po aq shpejt bëhej jointeresant kur kalonte rreziku.
Ky duhet të ketë qenë shkaku kryesor pse opera “Skënderbeu” u shfaq vetëm në një sezon”, thuhet nga QSPA. Opera “Skënderbeu” zë një vend të rëndësishëm në veprimtarinë artistike të Vivaldit, sepse falë shfaqjes së kësaj vepre, Vivaldi i zgjeroi kufijtë e famës së tij në botën e operës evropiane. Në këtë vepër të Vivaldit, protagonisti nuk i përket mitologjisë, por një të kaluare shumë të afërt për atë periudhë.







































