Lorik Cana ishte prej vitesh rekordmeni i Kombëtares sa i takon numrit të ndeshjeve me fanellën kuqezi, plot 93 të tilla. Këtë rekord e theu Elseid Hysaj vitin e kaluar e tani shkodrani ka kapur edhe shifrën e 100 ndeshjeve me përfaqësuesen. E megjithatë, Cana mbetet figurë ikonike në ekipin kombëtar, pasi ishte i pari si kapiten kuqezi që shkoi në një Europian.
Ndërkohë, rubrika “Legjendat Flasin” sjell në episodin e radhës një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, Lorik Canën. Ish-kapiteni i Kombëtares flet në një intervistë për fshf.org mbi rrugëtimin e tij në futboll, duke nisur nga hapat e parë të karrierës e deri te mbyllja e saj në vitin 2016. Në intervistë, Cana ndalet te eksperiencat me klubet ku është aktivizuar, nga Paris Saint-Germain, Olympique Marseille, Sunderland, Gallatasarai, Lacio dhe Nantes, duke kujtuar momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, sfidat, trajnerët me të cilët ka punuar dhe vendimet që kanë shoqëruar rrugëtimin e tij si futbollist.
Një pjesë e veçantë i kushtohet Kombëtares shqiptare. Lorik Cana rikthen në vëmendje zgjedhjen për të përfaqësuar Shqipërinë, debutimin me fanellën kuqezi, vitet si kapiten, rrugëtimin drejt kualifikimit historik në EURO 2016, si edhe disa prej ndeshjeve më të rëndësishme të asaj periudhe. Në bisedë, ish-kapiteni ndan edhe mendimet e tij për Kombëtaren aktuale, rolin e liderit brenda grupit, si dhe për elementët që, sipas tij, kanë ndikuar më shumë në ndërtimin e karrierës. Intervista prek gjithashtu edhe jetën e tij jashtë futbollit, familjen, angazhimet pas tërheqjes nga sporti dhe pasionin për historinë dhe arkeologjinë. Intervistën e plotë me Lorik Canën për rubrikën “Legjendat Flasin” tifozët e Kombëtares dhe dashamirësit e Lorik Canës mund ta ndjekin në kanalin zyrtar në Youtube dhe në “FSHF TV”.







































