Trukimi i rezultate e të ndeshjeve është një shqetësim serioz në futbollin shqiptar. Trukim quhet edhe atëherë kur nuk ka pasur ndonjë plan konkret për shitblerje ndeshjeje, por ndodh tolerim në fushë ndaj kundërshtarit, dukshëm për ta favorizuar atë në objektivat e tij, sikurse ndodh momentalisht në superligën tonë, ku ekipet e fundtabelës po përplasen për mbijetesë. Për të arritur objektivin e tyre, skuadrat që kanë siguruar pjesëmarrjen në “Final Four”, tolerojnë ekipet e fundtabelës, pasi toleromi në këtë rast nuk i dëmton objektivat e tyre në garën për titull.
Ky shënon padyshim një skandal në futbollin shqiptar. Në tabelën e akuzave janë rreshtuar skuadrat e kreut si Vllaznia, Elbasani, Egnatia dhe dy kryeqytetaset, Dinamo dhe Partizani. Por Vllaznia ka reaguar me një deklaratë zyrtare pas aludimeve që janë përhapur në media dhe rrjete sociale për integritetin e ndeshjeve në këtë fazë të kampionatit. Presidenti Alban Xhaferi sqaroi se: “Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cenon ndershmërinë e garës.”
Ai theksoi se klubi përfaqëson një qytet me histori dhe traditë, dhe çdo sukses i arritur ka ardhur përmes punës, përkushtimit dhe meritës në fushë. Në fakt vetëm Vllaznia reagoi, të tjerat me siguri që janë duke shkruar tekstin si komunikatë për mediat ku do të betohen se kanë luajtur ndershëm. Por duket krejt e pazakontë që në dy javë rresht ekipet më të forta humbën përballë ekipeve më të dobëta. Një simfoni e tillë rezultatesh duhen hetuar nga organet përkatëse. Por deri tani nuk ka hetim.
Qëndrimi
Vllaznia ka dhënë një komunikatë për shtyp pas akuzave për trukim ndeshjesh, duke thënë se klubi shkodran nuk është përfshirë në pazare të këtij lloji dhe është i fokusuar vetëm tek ndeshjet e radhës për të bërë maksimumin, pasi ka objektiv titullin kampion. “Gjatë ditëve të fundit janë përhapur në disa media dhe rrjete sociale aludime dhe komente lidhur me integritetin e ndeshjeve në këtë fazë të kampionatit. KF Vllaznia, përmes Presidentit Alban Xhaferi, ndjen detyrimin të sqarojë publikisht dhe me përgjegjësi: Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cenon ndershmërinë e garës.
Ky klub përfaqëson një qytet me histori, traditë dhe dinjitet, dhe çdo arritje e jona ka ardhur dhe do të vijë vetëm përmes punës, përkushtimit dhe meritës në fushën e lojës. Ne e kuptojmë ndjeshmërinë e opinionit publik në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit, si dhe pritshmëritë e larta, por njëkohësisht besojmë se hedhja e dyshimeve pa prova dëmton jo vetëm klubet, por gjithë futbollin shqiptar dhe besimin e tifozëve.
Ftojmë të gjithë aktorët – mediat, opinionin sportiv dhe institucionet – të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në komunikim. Çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte dhe të trajtohet në rrugët zyrtare. Vllaznia do të vazhdojë rrugën e saj me seriozitet, duke folur në fushë dhe duke respektuar lojën e ndershme”, shkruhet në njoftimin për shtyp që jep klubi i Vllaznisë.








































