Lojtarët e Shqipërisë po bëjnë paraqitje të mirë në ndeshjet e fundit të këtij sezoni në radhët e klubeve të tyre në Europë dhe më gjerë, duke dyshuar se kanë potencial dhe po përmirësojnë edhe në këto xhiro të fundit të sezonit të dhënat e tyre teknike në planin individual. Një pjesë i kanë sytë nga merkato dhe pritet të bëjnë goditje në treg, por shumica duken të angazhuar të vazhdojnë më tej me ekipet ku luajnë aktualisht. Ndërkohë, një kuqezi ka spikatur këtë vit në Turqi. Kështu, futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Qazim Laçi, është futur në formacionin e javës në Superligën e Turqisë. Laçi shënoi një gol dhe bëri një asist në ndeshjen e fundit të Rizesportit 3:2 ndaj Koniasporit. Mesfushori është vlerësuar me notën 9.1 dhe është futur në formacionin e javës në sajtin “Sofascore”.
Gjimshiti merr një surprizë nga Atalanta
Skuadra e Atalantës zhgënjeu në javën e kaluar të Seria A, pasi nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj Xhenoas. Për Berat Gjimshitin ndërkohë ishte një ndeshje e veçantë. Mbrojtësi shqiptar u bë lojtari i katërt me më shumë paraqitje në historinë e Atalantës. Lideri i Kombëtares ndodhet tashmë në kuotën e 332 ndeshjeve. “Një tjetër hap në histori për Gjimshitin, i cili e tejkalon Bonaçinën për vendin e katërt në paraqitjet e të gjitha kohërave për ekipin tonë”, shkruan Atalanta në rrjetet sociale. Mbi Gjimshitin janë vetëm tre lojtarë, ndërsa një prej tyre mund të kalohet nëse mbetet tek Atalanta në edicionin e ardhshëm. De Ron me 442 ndeshje, Belini me 435 ndeshje Pasaliç me 341 ndeshje janë të vetmit me më tepër paraqitje se mbrojtësi kuqezi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti. Pra kapiteni ynë po shkruan histori suksesi me Atalantën e tij.
Kuqezinjtë e tjerë
Fundjava që lamë pas ishte mjaft pozitive për futbollistët e Kombëtares shqiptare që aktivizohen në kampionatet europiane dhe më gjerë, duke dhënë kontribut vendimtar për skuadrat e tyre dhe duke konfirmuar formën e mirë në këtë fazë të sezonit. Një nga protagonistët kryesorë ishte Kristjan Asllani, i cili zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer me Beshiktash në transfertën ndaj Gaziantep. Mesfushori kuqezi kontribuoi me një asist nga goditja e këndit, ndërsa më pas shënoi edhe nga pika e bardhë, duke qenë vendimtar në suksesin e skuadrës së tij. Arbër Hoxha vazhdon të jetë protagonist me Dinamo Zagreb, duke gjetur rrugën e rrjetës që në minutën e 5-të në fitoren 1-2 në transfertë ndaj Gorica.
Sulmuesi shqiptar finalizoi një aksion të bukur me një goditje të saktë brenda zonës. Mirlind Daku u rikthye te goli. Sulmuesi i Kombëtares shënoi në fitoren minimale 0-1 të Rubin Kazan ndaj Baltika. Për golin e tij kontribuoi edhe Nazmi Gripshi, i cili dha asistin vendimtar, duke vulosur bashkëpunimin mes dy lojtarëve të Kombëtares. Pozitiv ishte edhe aktivizimi i Indrit Tucit, i cili gjeti rrugën e rrjetës pasi u hodh në fushë nga stoli, duke shënuar një gol të bukur me kokë për Kayserispor dhe duke kontribuar në mënyrë të rëndësishme për ekipin e tij në barazimin 1-1 ndaj Ejupspor. Në Arabinë Saudite, Mario Mitaj dha një asist në fitoren 0-2 të Al Itihad ndaj Al Tavaon, duke shërbyer saktë për shokun e skuadrës në golin e parë të ndeshjes.








































