Kandidati për zgjedhjet e 23 majit kur Partia Demokratike pritet të zgjedhë liderin e saj të ri, Ervin Salianji ka reaguar ashpër kundër kreut të PD, Sali Berisha, për të cilin nënvizon se ai ka 36 vite jetë politike në kurriz të demokratëve nga të cilat vetëm ka përfituar e nuk ka bërë asgjë për popullin. Këtë fundjavë gjatë një bashkëbisedimi në rrjetet sociale, kryedemokrati Berisha hodhi akuza të forta ndaj z. Salianji. Por ky i fundit iu përgjigj “flakë për flakë”. Përmes një postimi të bërë në “Facebook-un” e tij, ish-deputeti Salianji shkruan se nuk ka gjë më të keqe kur një person përpiqet të sulmojë të tjerët e të bëjë armiq sepse i frikësohet garës për zgjedhjen e liderit të ri në parti, referuar këtu Sali Berishës.
Më tej z. Salianji theksoi se nuk bashkëpunon me asnjë njeri, ndryshe nga seç Berisha pretendon, duke shtuar se ai ka qenë gjithmonë një person i lirë kundër pazareve për të cilat pretendon se janë bërë mes liderit aktual demokrat dhe kryeministrit Rama. “Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij.
Dhe për këtë kam paguar çmim personal”, shton më tej Salianji. Në përmbyllje të reagimit të tij, Salianji i kërkoi Berishës të reagojë në lidhje me biznesmenin Ermal Beqiri, i cili është në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe deri më tani janë sekuestruar pjesa më e madhe e pasurisë së tij sa i takon aferës së “AKSHI-t”, duke ngritur dyshimet se kreun e PD e ka kapluar heshtja për rastin e Beqirit, pasi sipas ish-deputeti demokrat, ai (Sali Berisha) ka bashkëpunuar me biznesmenin që është në kërkim nga drejtësia.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit:
“Përgjigje Sali kolltukut; 36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij. Nuk ka asgjë më të vjetër në politikë sesa kur dikush që ka humbur lidhjen me realitetin përpiqet të shpikë armiq për të fshehur frikën nga gara. Të më krahasosh me këdo tjetër është mënyra më e lehtë për të shmangur thelbin: sot problemi nuk janë demokratët që duan fitore, por fakti që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe. Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve.
Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Dhe për këtë kam paguar çmim personal. Ata që sot flasin për “fate” të të tjerëve duhet të shohin fatin e tyre politik: një lidership që nuk frymëzon më, që nuk fiton më dhe që i shmanget çdo përballjeje reale. Kur nuk ke përgjigje për dështimin, shpik histori. Kur nuk ke mbështetje, sulmon këdo që ngrihet. Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri. Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim.
Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim. Lulzim Bashën e solle e mbajte dhe ta fali partinë. Me mua i ke bërë hesapet gabim: do të çmontoj ty dhe autokratin e qeverisë. Regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët! Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak.”, shkroi Salianji këtë fundjavë.
Çfarë deklaroi Berisha?
Ndërkohë kujtojmë se kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi këtë fundjavë se rikthimi i tij në drejtimin e PD-së erdhi për të shmangur, kontrollin e partisë nga ndikimi i qeverisë dhe për të ruajtur pavarësinë e saj politike. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha akuzoi ish-drejtues dhe figura të ndryshme për lidhje me interesa të mazhorancës dhe për përpjekje për ta kthyer PD-në në “opozitë fasadë”. Kryedemokrati sulmoi ish drejtuesin Lulzim Basha, ndërsa më pas u ndal edhe te Ervin Salianji, duke thënë se ka të njëjtin fat si Basha. Sipas Berishës, Salianji është një misionar i Partisë Socialiste që ka përfunduar në “krahët e Taulant Ballës”. Ai përmendi dreka e darka që, sipas tij, Salianji hante me Ergys Agasin. “Nuk jam rikthyer pse u vendosën sanksionet. Jo. Përkundrazi, betejën time për sanksionet e kisha shumë më komode pa rikthim. Pa rikthim. U riktheva sepse pashë që Partinë Demokratike e kishin vënë nën kontroll.
Çfarë përfaqëson? Së pari, të siguroj unë ty që ai zotëri nuk përfaqëson as 0.002% të demokratëve. Dhe ajo shifër që jepni është jashtë çdo lloj realiteti. Ti vërtetë ke parë sallat, po të garantoj që sallat janë të mbushura tërësisht nga biznese me urdhër të qeverisë, nga drejtori burgjesh dhe nga bandat e qyteteve. Nga bandat e qytetit Elbasan, nga bandat e qytetit Durrës e të tjerë me radhë. Pra, ai përfaqëson, siç e sheh ti tani, ai e nisi, sepse të tjerëve nuk u shkonte mendja, por sot i ka ngelur vetëm dy pengje me vete. Çfarë përfaqëson? Tani duhet të them sepse, siguroj se çdo njeri do të ishte dhe është i mirëpritur në garë, por kurrë s’do mund ta marrin këtë parti misionarët e krimit dhe të Edi Ramës. Meqenëse do tani, të them ty. Ervin Salianji nuk po merrem këtu në drekat dhe darkat me Oltion Bistrin në burg dhe Pëllumb Gjokën, sepse banorë të burgut janë, ishin dhe nuk, për mua ai ka qenë i burgosur politik. Po të vërtetat janë këto që të them unë. Një javë para se të dilte nga burgu, më thotë: kam ardhur për të të marrë një këshillë. Urdhëro, i them unë. Çfarë më thua sepse për të më liruar këta tre muaj që më kanë mbetur, më takojnë sipas ligjit, por gjykatësi më kërkon një deklaratë ku të them se nuk do të vras Fatmir Xhafën. Po ç’punë ke ti me këtë? E kanë në rregull ata. Ashtu i thashë unë. Ti Ervin nuk duhet të bësh një deklaratë të tillë.
Ti Ervin nuk duhet të bësh një deklaratë të tillë për mendimin tim, sepse merr përsipër fajësinë, kurse ti për ne je i burgosur politik. Ne kemi arritur dhe në dokumente ndërkombëtare të të sanksionojmë si të burgosur politik. Dhe të mbetet, karriera është e gjatë. Mirë tha. Iku, pas një jave erdhi. Më liruan, u lirova mirë. Çfarë bëre me të? Jo, nuk ma kërkuan më. Tani e kuptove vetë, se ja kërkuan, s’ja kërkuan më. Për ta nderuar, prit, për ta nderuar, e kooptuam pa asnjë lloj, thjesht për ta nderuar në kryesi të partisë. Gjatë të gjitha mbledhjeve të kryesisë, ai nuk ka shtruar në mënyrë absolute asnjë problem, Halim. Asnjë problem. Pasi u publikua raporti, unë bëra mbledhjen e kryesisë. U them anëtarëve të kryesisë, tani duhet të kalojmë në aksion dhe ky e mbështet plotësisht këtë qëndrim. E thërras një ditë mbrapa dhe i them, çfarë mendimesh ke ti për këto? Unë tha, jam dakord. Se i thashë të fillojmë protestë, një protestë te kryeministria, një tjetër të madhe, këto, ishte dakord. Dhe pas kësaj, pa thënë asnjë fjalë, ai doli veçmas, mashtroi, vërtetë një grup njerëzish ishin të votuar shumë mirë dhe shkuan ata, e shkuan me pi kafe për akte miqësore, si një gjest miqësor, por e panë që qëllimi ishte pak i errët. Vazhdojmë pak më tutje.
Çfarë bëri? Verën e kaloi me Ergys Agasin në dreka dhe darka. Në një kohë kur unë Ergys Agasin e kisha sulmuar me qindra herë si koordinator i karteleve të drogës. Tani, shkoi në Durrës dhe mblodhi, kë mblodhi? Eksponentë të Partisë Demokratike që tradhtuan Partinë Demokratike duke mos punuar absolutisht asnjë ditë në fushatë, apo që punuan për Partinë Socialiste, me fakte. Unë i thashë, kjo veprimtari është jashtë Partisë Demokratike, nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Në Elbasan, sallën ia mbushi Suel Çela. Këtu je i përjashtuar, i thashë. Kjo është vija e kuqe. Krimi s’do mund kurrë dot këtë parti. Po, më duhet të them, i dashur Halim, se në mënyrë të çuditshme edhe ky përsëriti fatin e Lul Bravës. Pse e përsëriti? A mund t’i imagjinosh ti që përsëri ka mentor Taulant Ballën? Vazhdon darkon me Taulant Ballën, njëlloj. Të kujtohet takimi i Lul Bravës me Desada me Taulant Ballën? Ju kujtohet apo jo? Pra, çfarë mendon ti se, kur doli? Prit, merr një moment tjetër. Kur doli ky, Halim? Ky doli në momentin më kritik për Lubi Ballukun, e cila duhet të ishte në burg sot. Dhe nisi një lëvizje vetëm për të krijuar zhurmë mediatike, zhurmë mediatike, për të sfumuar, shpërqendruar opinionin publik te Lubi Balluku. E birësuan, nuk e thashë kot unë.
E birësuan. A mund t’i imagjinosh ti që një televizion të publikojë në katër orë 16 lajme për të? Po aty ka gazetarë të ndershëm, të cilët na informuan se vinin direkt nga zyra e Edi Ramës lajmet. Besoj se ti nuk je për një fraksion të tillë. Partia Demokratike ka një statut, i dashur. I lejon plotësisht fraksionet, por kurrë fraksione me njerëz si Edi Rama, me njerëzit e Edi Ramës dhe të të llojit Basha nuk mund të ketë. Kjo, besoj se jemi dakord këtu. Nuk mund të ketë fraksion në Partinë Demokratike ata të cilët në fushatë kanë punuar me për Partinë Socialiste, me fakte. Nuk mund të ketë fraksion me ata të cilët mbrojnë interesat e biznesit të tyre dhe jo të demokratëve. Partia Demokratike është e vetmja parti që ka në statut nenin e fraksionit, por i bindur të jesh ti se kurrë Edi Rama s’do mund ta marrë këtë parti.
Ai është qesharak. Por përfundoi në fund në krahët e Taulant Ballës. Po sigurisht, kur të drejton Oltion Bistri dhe Ergys Agasi, s’ka pse të mos drejtojë Taulant Balla. Ndaj dhe ëh, duhet t’i analizoni më, më saktë gjërat. Kjo është e vërteta lidhur me pretendimin se ai përfaqëson fraksionet. Ai, asnjë demokrat siç ishte në Kukës, shko e pyet degën e Kukësit, cilët ishin demokratët te Kukësi. Ishin të gjithë familjarë të një ortaku të tij. Kaq ishin. Dhe të tjerët të sjellë nga qeveria, nga anë të ndryshme. Nuk ka asnjë mbështetje. Por, natyrisht me mbështetjen e Edi Ramës nuk fitojnë kurrë. Hiqe nga mendja”, deklaroi ndër të tjera Berisha. Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.









































