Google search engine
Home Sport Jezusi kthehet në fushë pas 11 muajsh dëmtimi të rëndë, buzëqesh Arsenali

Jezusi kthehet në fushë pas 11 muajsh dëmtimi të rëndë, buzëqesh Arsenali

0
108

Arsenalit iu kthye buzëqeshja pasi një nga lojtarët cilësorë të skuadrës u kthye në radhët e grupit ditët e fundit, pas një dëmtimi të gjatë që e la gati një vit jashtë fushave të blerta. Ky rikthim madje mund të rezultojë më efikas sesa pritej nga specialistët pasi shenjat e para u dhanë që në duelin e së mërkurës në Ligën e Kampioneve. Kështu, referuar mediave britanike, Gabriel Jezus është rikthyer më në fund në fushë pas gati një viti mungesë, duke veshur sërish fanellën e Arsenalit në fitoren 3-0 ndaj Klub Bruzh në Champions League. Sulmuesi brazilian u fut në lojë dhe ishte pranë një rikthimi të ëndrrave, por goditja e tij u ndal në traversë. 28-vjeçari kishte pësuar një dëmtim serioz – këputje të ligamentit të kryqëzuar të gjurit të majtë – në humbjen e FA Cup ndaj Mançester Junajtid më 12 janar, vetëm pak kohë pasi kishte hyrë në një formë të shkëlqyer me 6 gola në 7 ndeshje.

Jezus tregoi se periudha jashtë fushës ishte më e vështira e karrierës së tij. Ai pranoi se kishte momente kur dyshimi e kishte pushtuar plotësisht: tha se 11 muajt e rehabilitimit ishin të mbushur me pikëpyetje dhe pasiguri. “Çdo ditë pyesja veten pse më ndodhi kjo, pse tani që po jetoja momentin tim më të mirë”, tha ai. Sulmuesi zbuloi se e kaloi fazën më të errët duke iu afruar më shumë besimit dhe Biblës, të cilat sipas tij i dhanë forcën për të mos u dorëzuar. “Po të mos e dëgjoja Biblën çdo ditë, jam 100% i sigurt që nuk do të besoja se mund të kthehesha më i fortë.

Tani besoj edhe më shumë, sepse jam bir i Zotit.” Rikthimi i tij është një lajm i madh për Mikel Artetën, që në Belgjikë udhëtoi me plot tetë mungesa për shkak dëmtimesh dhe sëmundjesh, por sërish arriti të siguronte fitoren e gjashtë radhazi në Europë dhe pothuajse kualifikimin në fazën me eliminim direkt. Jezus pritet të jetë në dispozicion edhe për ndeshjen e fundjavës kundër Uolves, në një moment kur Mançester Siti ka shkurtuar diferencën në vetëm dy pikë. Braziliani beson se përvoja e tij mund t’i japë shumë skuadrës: thotë se, në moshën 28-vjeçare, nuk është më lojtar i ri dhe se mund të bëjë diferencën në një ekip me talente të rinj si Ethan Nuaneri, Maks Daumen dhe Myles Levis-Skelly. Ai theksoi se ndonëse ende nuk ka fituar trofe me Arsenalin, ambicia për të ndihmuar klubin të rikthehet në garën për tituj e motivon çdo ditë: “Vetëm të jem këtu dhe të ndihmoj që Arsenal të luftojë sërish për trofe, më bën krenar dhe i lumtur.” Në Emirates e shohin rikthimin e tij si një shtesë të artë për vazhdimin e sezonit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here