Adriatik BALLA
Ndeshjet e nëntorit po vijnë dhe kuqezinjtë krahas përgatitjeve duhet të bëjnë edhe llogaritë në grupin K kualifikues për finalet e Kupës së Botës 2026. Në muajin nëntor kualifikueset e Botërorit 2026 do të ulin siparin ku do të përcaktohet gjithçka për skuadrat e kualifikuara direkt dhe ato në “play-off” ku në këtë të fundit ka shanset e saj edhe Kombëtarja shqiptare, duke qenë se Anglia e ka prerë tashmë biletën për në Kupën e Botës. Në muajin nëntor kuqezinjtë do të luajnë ndaj Andorrës në transfertë dhe do të presin në Tiranë, Anglinë e Thomas Tuhel. Dy ndeshje këto ku objektivi për skuadrën e Silvinjos është të ruajë vendin e dytë. Por cilat janë llogaritë për kombëtaren shqiptare? Kuqezinjtë padyshim që kualifikohen për në “play-off” nëse i fiton të dy ndeshjet me Andorrën dhe Anglinë. Po kështu kuqezinjtë mund ta arrijnë këtë edhe me 1 fitore në këto 2 sfida, por në këtë rast do të duhet të presë që Anglia të fitojë dy ndeshjet e saj ndaj Serbisë dhe pikërisht ndaj skuadrës sonë përfaqësuese. Në rast se Kombëtarja jonë barazon në të dy ndeshjet, ajo do të shkojë në 13 pikë, kuotë që mund ta arrijë Serbia në rast fitoreje ndaj Letonisë dhe nëse humbet me Anglinë. Në këtë pikë hyn në lojë golavarazhi që për momentin është në favor të kuqezinjve me +3 gola, ndërsa Serbia e ka 0. Ajo që shpreson më shumë skuadra jonë përfaqësuese është që Serbia nëse fiton ndaj Letonisë ta bëjë jo me goleadë, nëse kjo ndodh atëherë duhet shpresuar që skuadra serbe të pësojë sa më shumë gola në Londër. Nëse Kombëtarja i humbet të dyja ndeshjet e mbetura, atëherë për të do të ishte praktikisht e pamundur të kualifikohej në fazën e “play-off”-it. Serbia do të presë Letoninë në shtëpi, dhe duke qenë se ajo kishte fituar sfidën e parë në transfertë atëherë edhe në këtë përballje do të kërkojë të marrë 3 pikët aq më tepër që pas humbjes ndaj kombëtares sonë, presioni mbi këtë skuadër është rritur shumë.
Së pari Shqipëria duhet të kualifikohet në “play-off”, e për këtë duhet të fitojë së pari ndeshjen e radhës, atë me Andorrën. Ky është kushti. Më tej duhet pritur shorti. Në grupin e skuadrave që renditen të dytat janë ekipe shumë të forta, të tilla si Çekia, Polonia, pse o edhe Italia. Varet se çfarë do të na rezervojë shorti, për më tepër që do të jenë dy përballje, pasi na 16 ekipe që marrin pjesë në “play-off”, vetëm 4 arrijnë të shkojnë në Kupën e Botës të vitit 2026. Në total Europa dërgon në Botëror 16 skuadra, 12 prej të cilave kualifikohen direkt si vendi i parë në secilin grup. Ndaj katër vendet që ngelen nxirren nga një garë shumë e fortë e skuadrave të vendeve të dyta e ku në lojë janë edhe katër ekipe që vijnë nga Liga e Kombeve. Siç shihet, shanset e Shqipërisë për të shkuar në “play-off” janë të mëdha, por shanset vijnë e zvogëlohen sa më thellë shkohet në këtë nismë, pra nëse arrihet në “play-off” dhe çfarë na rezervon shorti. Gjithsesi, trajneri Silvinjo duket se e ka fituar betejën e tij, pasi mundi Serbinë, dhe ai e ka kuptuar se fitorja në këtë ndeshje është më shumë se një pozicion çfarëdo në grup apo pjesëmarrja në “play-off”. Kjo pasi Anglia si vend i parë në grup që kur u hodh shorti as diskutohej, pasi është nivel më i lartë nga ekipet e tjera të grupit K.
Shanset e Botërorit

































