Dy ditë pas paralizimit total të qarkullimit të automjeteve në autostradën Tiranë-Durrës, si pasojë e riparimit të shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë-Ura e Dajlanit, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se punimet do të kryhen gjatë natës.
Plani i ri për menaxhimin e trafikut u hartua në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ku bëhet e ditur se punimet do të kryhet nga ora 23:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Për rrjedhojë në këtë fashë orari do të ketë bllokim të qarkullimit në drejtimin Vorë-Durrës, përkatësisht në segmentet Vorë-Maminas, Maminas-Sukth, Sukth-Fllakë, Fllakë-Mbikalimi i Shkozetit, Mbikalimi i Shkozetit-Ura e Dajlanit dhe qytetarët duhet të përdorin për kalim rrugën alternative Vorë – Maminas-Katër Rrugët e Shijakut – Durrës.
Kohëzgjatja e punimeve do të jetë 1–2 ditë për çdo segment dhe pas përfundimit të punimeve në kahun Vorë-Durrës do të vijojë puna edhe në kahun tjetër Ura e Dajlanit – Vorë, në të njëjtat segmente, me të njëjtën kohëzgjatje.
Të hënën në autostradën Tiranë-Durrës dhe në aksin Fushë Krujë-Vorë u krijuan radhë kilometrike automjetesh, ku qytetarët pritën për orë të tëra në rrugë.

































