PSG synon ta mbyllë pa humbje, trajneri Enrike i motivuar për të fituar “tripletën”

0
20

Kampionatet në të gjithë Europën po shkojnë drejt përfundimit dhe skuadrat që mbajnë kryesimin po përpiqen të mos lëshojnë pe në këto momente të fundit por të bëjnë realitet ëndrrën e tyre për trofeun. Kuptohet, një pjesë e klubeve elitare kanë përvojë dhe dinë ta menaxhojnë situatën, por ka dhe klube që kanë ambicie më të mëdha. Përveç titullit në vendin e tyre duan edhe titullin europian dhe një nga skuadrat që është në valle për të gjithë trofetë e mundshëm sezonalë është padyshim parisian Zhermen, kampionia e Francës dhe njëherësh skuadra që po udhëton drejt titullit edhe në UEFA Champions League.

Kampioni i elitës së futbollit francez, Paris San Zhermen synon që ta mbyll sezonin pa humbje, por e ka vëmendjen në fitimin e “tripletës”. Kështu ka thënë të enjten trajneri Luis Enrike, në prag të ndeshjes ndaj Nicet në kampionatin francez. PSG-Nice luhet të premten nga ora 20:45. PSG-ja ka 78 pikë në 30 ndeshje dhe e fitoi titullin e katërt rresht më herët gjatë këtij muaji. Skuadra pariziene në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve luan të martën ndaj Arsenalit. PSG-ja e trajnerit Luis Enrike më pas do ta ketë synimin për ta fituar Kupën e Francës, pasi në finale muajin e ardhshëm luan ndaj Reimsit. “Rekordet nuk janë synimi ynë kryesor. Janë titujt. Nëse dikush më siguron se nëse humbim nga Nice, të shkojmë në finale të Ligës së Kampionëve, do ta nënshkruaja menjëherë. Por askush nuk mund të më sigurojë për këtë.

Jemi ekip ambicioz dhe jemi në pozitë të mirë për ta përfunduar kampionatin pa humbje. Mendoj se e rëndësishme për ne është të luajmë ndaj Arsenalit duke e dhënë 100 për qind nga vetja”, ka deklaruar Luis Enrike. PSG-ja mund të bëhet e vetmja skuadër në elitën e futbollit francez që e përfundon kampionatin pa humbje. Pas Nicet, PSG-ja luan edhe me Strasbourgun, Montpellierin dhe Okserin. Rivaliteti i skuadrave të tjera franceze këtë sezon në Europë nuk ka qenë ai i pritshmi, por duhet thënë se këtë oshllëk mund ta mbulojë pikërisht Paris San Zhermen. Do të ishte historike nëse skuadra franceze ia del të fitojë trofeun “veshëmadh”, aq i kërkuar nga ky klub përgjatë historisë së prezantimeve ndërkombëtare. PSG ka fituar shumë tituj në Francë, por i mungon një trofe i madh në Champions League. Ky është një shans historik për francezët që të kapin fillimisht finalen e më pas të mendojnë për trofeun. Dueli final do të zhvillohet në fund të majit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here