Nga Julia Vrapi
Shfaqje, koncerte apo dhe mbrëmje gala janë pjesë e programit artistik përgjatë këtij muaji në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. E para në programin artistik këtë muaj është opera “Il Maestro di Cappella” për të vijuar më pas dhe me koncerte të ndryshme. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bën me dije gjithashtu se këtë muaj do të vijojë dhe bashkëpunimi me Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë apo dhe Universitetin e Arteve. “Ky prill çel siparin me të qeshura në hollin koncertor, ku opera për fëmijë dhe familje “Il Maestro di Cappella” sjell magjinë e muzikës në gjuhën më të dashur për të vegjlit – lojën dhe gëzimin. Bashkëpunimi ndërinstitucional me Liceun Artistik dhe Universitetin e Arteve sjell dy koncerte, pjesë e projektit “Mozart”, interpretuar nga artistët e së ardhmes”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Opera “Il Maestro di Cappella” do të jetë më datë 6 prill, ndërsa koncerti instrumental simfonik “W.A Mozart” do të jetë në skenë më 9 prill në mbrëmje, ndërsa në datën 10 do të jetë koncerti instrumental simfonik “Projekti Mozart”. Teatri bën me dije se mesi i muajit prill e gjen me dyer të hapura në dy net gala, ku të gjitha trupat artistike të teatrit bashkohen në një mbrëmje magjike. Opera Gala do të jetë në datat 17 dhe 18 prill. Në vijim të programit në skenë janë dhe artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku më 25 prill është koncerti “Me ritmet e Tropojës “K’cimin në Unesco”, etj. Në datë 24 këtë muaj do të jetë një tjetër opera, ajo me titull “Stabat Mater”. Në vijim të programit është një koncert pianistik në datën 26 prill, ndërsa “Sot në Opera” vjen në programin artistik në datën 30 këtë muaj.
“Il Maestro di Cappella”
Edhe më parë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë sjellë shfaqje opere për fëmijët. Këtë herë është “Il Maestro di Cappella” që vjen këtë muaj. Një opera për fëmijë, ku asgjë nuk shkon sipas partiturës! Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se është një shfaqje argëtuese dhe edukative që u mëson fëmijëve, përmes të qeshurave, si funksionon një provë me orkestrën, çfarë roli ka dirigjenti dhe si funksionon një orkestër e vërtetë. “Me këtë vepër të përshtatur posaçërisht për ta, fëmijët do të njihen më nga afër me botën e muzikës dhe do të edukohen për të qenë dëgjues të vëmendshëm dhe plot pasion në të ardhmen. Merrni fëmijët tuaj për dore dhe ejani të kaloni një të diel ndryshe në TKOBAP”, thuhet nga teatri për shfaqjen që do të jetë në hollin koncertor më 6 këtë muaj. Dirigjent në shfaqje Dritan Lumshi, solist Artur Vera dhe muzika luhet nga Orkestra Simfonike e TKOB. “Il Maestro di Cappella” është një intermezzo operistik në një akt nga Domenico Cimarosa. Shfaqja e parë e njohur e veprës ishte më 2 korrik 1793 në Berlin, Gjermani. Megjithatë, ka të ngjarë që ky të mos ishte prodhimi kryesor dhe historianët e muzikës besojnë se opera debutoi diku midis viteve 1786 dhe 1792.









































