Elmas Bogdani
Dyzetë e gjashtë deputetët e parë të çdo partie do të jenë nga listat e mbyllura, aty ku renditjen e ka përcaktuar partia dhe votuesi nuk mund të ndikojë. Vetëm për ato parti, që do të fitojnë mandate përtej listës së mbyllur, do të kenë mundësi të fusin në Kuvend, deputetë nga lista e hapur, aty ku renditjen e përcaktojnë zgjedhësit. Dokumenti i KQZ ka llogaritur sipas qarqeve, se si ndahen mandatet në lista të fiksuara dhe në lista të hapura.
Sipas kësaj skeme, partitë e vogla nuk do të kenë thuajse asnjë deputetet që vjen nga lista e hapur, por vetëm nga ato të mbyllura. Për 11 majin, secila partia/koalicion do të garojë me 46 deputetë në listë të mbyllur dhe 140 të tjerë në listë të hapur. Sipas qarqeve, në Berat, për çdo subjekt fitues, 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e fiksuar, dhe 5 nga lista e hapur. Në Dibër, 2 fituesit e parë do të jenë të listës së mbyllur, dhe 3 nga e hapura. Në Durrës, 5 deputetët e parë dalin nga lista e fiksuar, 9 nga lista e hapur.
Në Elbasan do të jenë 5 nga 15 mandate të mbrojtura në listë të mbyllur. Në Fier, 5 nga 16 emrat, do të jenë të mbyllur. Gjirokastra ka vetëm 1 emër në listë të mbyllur nga 4 mandate gjithsej. Korça ka në listë të fiksuar, 3 nga 10 mandate për çdo subjekt zgjedhor. Kukësi do të ketë 1 mandat të fiksuar, Shkodra 4 të tillë. Në Tiranë, 12 fituesit e parë do të merren nga lista e mbyllur Vlora do të ketë 4 deputetë në listë të sigurt nga 12 mandate gjithsej.
Sipas Kodit, për çdo parti garuese, mandat do të fitojnë të parët ata që janë në listën e mbyllur, dhe brenda listës së mbyllur do të respektohet renditja e paracaktuar nga kryetari i partisë. Nëse partia/koalicioni fitojnë mandate në atë qark, më shumë se sa ka emra lista e mbyllur, atëherë do të fitojnë mandat sipas radhës, më të votuarit nga lista e hapur. Renditja në listë të hapur bëhet pa asnjë prag, kush ka marrë një votë më shumë, por 1 në 3 emra, do të jetë femër, edhe nëse zonjat nuk janë votuar sa duhet.
Kush janë emrat që e kanë vendin e sigurt në PS?
Por çfarë do të ndodhë në Partinë Socialiste me strategjinë që do të ndjekë kryeministri Edi Rama. Kush janë emrat që kanë mundësi shumë të mëdha për të qenë deputetë dhe kush rrezikon? Ajo që dihet tashmë është se drejtuesit politikë do jenë në listat e sigurta. Përveç 4 kryebashkiakëve, thuhet se 11 drejtuesit e fushatës në qarqe do të bëjnë përjashtim nga deputetët me më shumë se dy mandate, për të cilët siç kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët, do të jenë në listën e hapur duke luftuar për një ulëse në parlament.
Nga 8 shtatori i 2024 kur Rama prezantoi se cilët do të ishin ekipi që do të mbante peshën elektorale për zgjedhje, lista ka pësuar rrugës disa ndryshime. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, peshën për qarkun më të rëndësishëm të vendit, Tiranën, Rama nuk ia la vetëm Erion Veliajt. Punën organizative të strukturave në bashkinë Tiranë ia caktoi Ogerta Manastirliut, ndërsa për 4 bashki të qarkut, Kavajën, Vorën, Rrogozhinën e Kamzën, zgjodhi Elisa Spiropalin. Ndonëse kjo ndarje për kryeqytetin u duk e mjaftueshme, rrugës Rama vendosi ta blindojë me përforcime.
Fillimisht largoi Blendi Gonxhen nga drejtimi politik i Dibrës dhe i ngarkoi atij specifikisht njësinë 6 në kryeqytet, zonën e Kombinatit. Po ashtu thuhet se në Tiranë do të jetë edhe Erion Braçe. Vitin 2025 e nisi më një tjetër ndryshim. Rama largoi Pandeli Majkon nga drejtimi i Kukësit dhe e dërgoi për mbështetje në Kavajë, zonë jo fort komode për socialistët që në 2023-shin humbën dhe bashkia drejtohet tashmë nga një demokrat. Pas largimit të Majkos, Kukësin do ta drejtojë Eduart Shalsi, ndërsa Dibrën Blendi Klosi.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ndër të paktët ministra ende të paangazhuar do të mbulojë në kryeqytet njësinë nr1. Belinda Balluku është në Fier, ndërsa Bledi Çuçi drejton qarkun e Vlorës dhe Anila Denaj do të mbulojë Sarandën. Arbian Mazniku ka Elbasanin. Po ashtu Ulsi Manja ka Lezhën. Mirela Kumbaro mbulon Gjirokastrën dhe Taulant Balla Diasporën.
Kush rrezikon në PS?
Sipas skemës që do të ndjekë Edi Rama, janë shumë deputetë që janë me mbi dy mandate dhe ata do të përfundojnë te lista e hapur, ku sërish mundësitë për të fituar vend janë shumë të vogla. Më poshtë po rendisim deputetët me mbi dy mandate, që nisin nga Ogerta Manasterliu, Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia, Nasip Naço , Milva Ekonomi , Klodiana Spahiu, Ilir Ndraxhi, Evis Kushi, Luan Duzha, Petro Koçi, Antoneta Dhima, Bujar çela, Ismet Beqiraj, Tatiana Piro, Lindita Nikolla, Paulin Sterkaj, Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka, Blerina Gjylameti, Mimi Kodheli dhe Olta Xhaçka.