Në një operacion antidrogë të zhvilluar në Tiranë, është zbuluar një shtëpi bari e përshtatur në katin e dytë të një magazine shtetërore.
Ky rast është denoncuar nga ish-deputeti, Halit Valteri, i cili mbrëmjen e djeshme ka komunikuar me kryepolicin Ilir Proda dhe pas kësaj, ky i fundit ka nisur për verfikim një grup me punonjës të Policisë nga Komisarjati Nr.2.
Halit Valteri ka filluar punën si drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Publike dhe Kadastrës (ASHK). Ai ka nisur inspektimin e godinave që janë nën administrimin e ASHK-së dhe ka raportuar për situatën e tyre te Proda pas përfundimit të inspektimeve. Kjo shtëpi bari, e cila përdorte llampa elektrike për kultivimin e drogës, u gjet nga Policia mbrëmjen e kaluar në rrugën “Hamdi Pepo”, në zonën e njohur si “Qyteti i Nxënësve”.
Gjatë operacionit, u gjet një sasi e madhe droge në magazinat, të cilat janë të përcaktuara si pronë shtetërore. Sipas raportimeve, godina e kthyer në shtëpi bari ishte mbikëqyrur nga roje sigurie. Operacioni po vazhdon për të zbardhur më tej këtë rast, ku deri më tani janë shoqëruar 7 persona.