Nga Julia Vrapi
Sopranoja Ermonela Jaho rikthehet në skenën tonë me koncertin “Rikthimi i dallëndyshes”. Koncerti i mbrëmjes së 4 gushtit do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare, si dhe tenorin amerikan Charles Castronovo. Me një aktivitet të vlerësuar në skenat botërore, sopranoja Ermonela Jaho vjen në këtë koncert me një program të pasur muzikor për publikun, me orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe dirigjent maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli. Programi muzikor përmban Bizet: Ouverture Carmen; Saint Saens: Bacchanale – Samson et Dalila; J.Massenet, Le Cid “O Souverain”; Massenet, Wether ” Pourquoi me reveillier”; Puccini: Intermezzo di Suor Angelica; Puccini, Tosca, “E lucevan le stelle”; Mascagni, Cavalleria Rusticana, “Mamma, quel vino e’ generoso”; Verdi: La Traviata – “Addio del Passato”, etj. Për “Rikthimin e dallëndyshes” më parë reagoi dhe vetë sopranoja, që u shpreh se bashkë me tenorin Charles Castronovo do ti përcjellin publikut një koncert me kualitet botëror. “Është një kënaqësi e veçantë që mbas disa vitesh të ri-kthehem për të kënduar në vendim tim me orkestrën e mrekullueshme të TKOB-it dhe maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli. Koncerti në vendlindje ka gjithmonë një shije dhe emocion të veçantë. Sëbashku me kolegun tim Charles Castronovo, i cili këndon në teatrot me prestigjioze botërore, besoj se do ti përcjellim publikut shqiptar një koncert të një kualiteti botëror”, shprehej Jaho në rrjete sociale. Koncerti sjell në skenën tonë dhe tenorin Castronovo, i cili në një mesazh të tij të ndarë për koncertin shprehet se janë miq shumë të mirë me sopranon Jaho dhe kanë kënduar dhe në skena të tjera. “Jam shumë i emocionuar që më në fund të vij në Tiranë për të kënduar në vendin tuaj të bukur. Të jem aty me kolegen time, miken time shumë të mirë Ermonela Jaho me të cilën kemi kënduar shumë herë bashkë, me të cilën kemi një energji të veçantë së bashku dhe mezi pres deri sa të jem aty për të kënduar për ju”, thotë Castronovo. Ky koncert është një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Prepost Albania me mbështetjen e institucioneve të rëndësishme në vend, ku në poster janë dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit apo dhe Bashkia Tiranë.
Sopranoja Jaho dhe tenori Castronovo
Ermonela Jaho, është sopranoja që edukimin e saj të parë e mori në shkollat artistike shqiptare. Ajo ka fituar shumë konkurse ndërkombëtare, përfshirë konkursin Giacomo Puccini në Milano, Itali 1997, Konkursin Ndërkombëtar Spontini në Ancona, Itali 1998, Zandonai në Rovereto, Itali 1999 dhe Çmimin e këngëtarit më të mirë të vokalit operistik në Festivalin e Wexford, 2000. Ajo ka performuar në shtëpi opere në mbarë botën, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera, Teatro Real Madrid, Berlin Staatsoper, Opera National de Paris, Theatre des Champs-Élysées, Staatsoper Vienna, Bayerische Staatsoper, Opera Australia, Teatro Colon Buenos Aires, Gran Teatre del Liceu Barcelona, Teatro alla Scala. Charles Castronovo e filloi karrierën e tij profesionale si artist rezident me Operën e Los Angeles-it. Ka interpretuar në role të tilla si Don Ottavio (Don Giovanni i Mozartit), Ernesto (Don Pasquale i Donizettit), Fenton (Falstaff i Verdit), Ferrando në Così fan tuttetë Mozartit, Tamino (Die Zauberflote e Mozartit) dhe Alfredo në La traviata të Verdit. Ai ka kënduar në shumë prej shtëpive kryesore të operës në botë, të tilla si: Metropolitan Opera, Royal Opera, Covent Garden, Berlin State Opera, Vienna State Opera, San Francisco Opera, Salzburg Festival dhe Santa Fe Opera.