Ligji për Komisionet Hetimore, “Kushtetuesja” shfuqizon marrjen e lejes nga…

0
13

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e opozitës për pezullimin e ligjit për Komisionet Hetimore, duke urdhëruar Kuvendin për disa ndryshime brenda 6 muajve. Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën Kushtetuese, me vendim unanim është vendosur shfuqizimi i nenit 9 që parashikon marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë. Sa i takon marrjes së lejes nga Prokuroria dhe Gjykata, Kushtetuesja e vlerëson si të panevojshme, duke thënë se qëllimi i ruajtjes së sekretit hetimor mund të përmbushet nga pyetja e dëshmitarëve me dyer të mbyllura.

Nenin 4 që lidhet me nismën për ngritjen e një Komisioni Hetimor, njëzëri, Gjykata Kushtetuese e vlerëson të papajtueshëm me Kushtetutën. Gjykata urdhëron Kuvendin që duhet të lihet një hapësirë ligjore që në rast se opozitës i refuzohet ngritja e një komisioni hetimor nëse nuk plotëson tri kriteret e parashikuara në ligj, të ketë mundësinë që të riformulojë kërkesën. Për herë të parë, Kushtetuesja i jep mundësinë opozitës që në rast se mazhoranca refuzon të drejtën për të marrë provat nga institucionet të ndryshme të drejtohet me ankim në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mjafton vetëm forca e kartonit për të rrëzuar kërkesat e opozitës për marrjen e provave, por në raste të tilla Gjykata Kushtetuese thotë se ky vendim duhet të jetë i arsyetuar me shkaqet përkatëse.

Gjykata arrin në përfundimin se veprimtaria e Komisionit Hetimor duhet të jetë publike, ndërkohë mbledhja mund të mbyllet vetëm në rastet kur te drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën e informimit. Më 21 dhjetor 2023, mes kaosit të opozitës në Kuvend, PS miratoi me 75 vota ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore, ndërsa më datë 1 mars 2024 opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Pas miratimit të ligjit të ri, janë ngritur dy komisionet, ai për rrjedhjen e të dhënave të TIMS dhe komisioni hetimor për Shëndetësinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here