Bardhi akuza vëllait të Edi Ramës, i kundërpërgjigjet Olsi Rama: Je i paburrë, kanakar i sharlatanit famëkeq

0
59

Nënkryetari i “Rithemelimit” Gazment Bardhi dhe vëllai i kryeministrit Rama, Olsi Rama kanë qenë ditën e djeshme në qendër të vëmendjes. Gjithë situatën e nisi Bardhi, i cili hodhi dyshime të forta se Olsi ka qenë i përfshirë në skandalin e laboratorit të kokainës në Xibrakë, porse policia dhe prokuroria e kanë fshehur prezencën e tij në grupin që i kap në janar të vitit 2014. Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër. “Prokuroria hapi një dosje sekrete paralele për të hetuar një 45 vjeçar të paidentifikuar me emër, që ka përdorur të njëjtën makinë si Olsi Rama dhe trafikantët e drogës,” tha Bardhi, duke theksuar se Olsi Rama ishte në atë kohë 45 vjeç. Ai shtoi gjithashtu se “vëllai i kryeministrit dhe drejtuesit e narkotrafikut përdorën të njëjtën makinë 18 herë”. Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi. Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014. BIRN nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur dokumentet e vëna në dispozicion nga Bardhi. Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar është mbyllur më tej.

Reagon Olsi Rama

Vëllai i kryeministrit i hodhi dje poshtë këto akuza duke i konsideruar mizerabilitet njerëzor. Nga ana tjetër, ai e cilëson Bardhin si kanakarin e sharlatanit famëkeq (Berishës) që ka sulmuar me qindra herë familjen Rama. Gjithashtu ai shton se nuk është përfshirë ndonjëherë në politikë pavarësisht se vëllai i tij Edi Rama qeveris vendin. Akuzat për drogë i konsideron të vërteta aq sa lidhje ka i paburri (Bardhi) me të vërtetën. “Nuk jam as i shokuar, as hiç i habitur nga kjo rinxjerrje e një akuze të përsëritur vite më parë prej një njeriu që nuk ka lënë pjesë të familjes time pa prekur paburrërisht. Futja e njerëzve të familjes tonë – nga babai i ndarë nga jeta para se sa Edi të merrte detyrën, tek i biri kur ishte vetëm 10 vjeç – në çorbën e thashethemeve dhe akuzave nga më monstruozet që kundërshtarët e tim vëllai i sajojnë se s’dinë se si ta mundin atë me votë, është një mizerabilitet njerëzor që ne fatkeqësisht e kemi pranuar si një realitet, por të cilin duhet me doemos ta ndryshojmë sa nuk është shumë vonë. Deri më sot nuk kisha marrë asnjëherë mundimin t’ju përgjigjesha akuzave drejt meje i ndërgjegjshëm se këto ishin dhe janë pjesë e baltës politike ndaj tim vëllai e jo ndaj meje. Kush më njeh e di sa i pastër jam dhe sa kjo baltë nuk më përket, ndaj dhe nuk kam dashur ta hedh mbrapsht. Të njohësh njerëz dhe madje edhe të udhëtosh me ta në ndonjë rast apo në shumë raste, nuk është as diçka për të cilën duhet t’i marrësh leje apo t’i japësh llogari kujt, as diçka që të bën fajtor për çfarëdo faji dikush prej tyre mund të kryejë në jetën e tij personale. As nuk e mohoj dhe as kam asnjë arsye ta fsheh që unë kam njohur në distancë një nga personat në fjalë, po aspak atë për të cilin me aq zell e dëshirë më akuzon ky kanakari i atij sharlatanit famëkeq që na ka sulmuar me qindra herë familjen, ndërsa bën tani prokurorin politik për një çështje të hetuar dhe të gjykuar ku unë s’kam kurrfarë lidhje. Megjithatë s’është as puna ime, as natyra ime të jap e marr me burra që siç thotë populli, “s’kanë ç’i bëjnë gomarit dhe i bien samarit”. Unë kurrë s’kam pasur punë me këtë shtet që kur ika në vitin e mbrapshtë 1997 në kushtet e kërcënimit të jetës dhe pasi jam kthyer në këtë vend ku drejtoj klubin e futbollit “Partizani”. Jam krenar për tim vëlla, e votoj me kënaqësi si pjesë e shumicës së shqiptarëve për kaq vite dhe ia bëj hallall pjesën time të baltës familjare për shkak të detyrës së tij. Po as jam përfshirë ndonjëherë me politikë, apo me hallet e punës së tij dhe as i kam shkuar ndonjëherë në zyrë, apo kam kërkuar ndonjëherë prej tij ose ministrave të tij ndonjë favor. Për shembull, më vjen keq që prej vitesh klubi “Partizani” kërkon pa sukses nga Ministria e Mbrojtjes, kthimin e disa barakave të shkatërruara të ushtrisë në terren sportiv, për t’ia bashkëngjitur kompleksit sportiv që Presidenti i klubit e ka investuar vetë dhe asgjë nuk lëviz Në vitin 2025 Shqipëria do të mikpresë Evropianin e të rinjve U-17 dhe stadiumi i Partizanit është përzgjedhur si një nga stadiumet e këtij kompeticioni që vjen për herë të parë në Ballkan. Uroj që qeveria t’ia japë më në fund “Partizanit” ato barraka që kalben mbi tokë pa asnjë ushtar rrotull tyre, që klubi ynë të krijojë një hapësirë të re të gjelbër për shumë djemtë e vajzat që luajnë futboll. Ndërsa për sa i takon lidhjeve të mia me drogën, ato janë po aq të vërteta sa lidhja me të vërtetën e këtij të paburrit që më akuzon. Kështu që dhe kaq sa i kushtova këtij teatri kukullash e shpenzova vetëm në emër të dinjitetit të rolit tim si drejtues i një klubi futbolli, ku racizmi dhe droga konsiderohen armiq të njeriut dhe shoqërisë”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here