Nga dhënia e kredisë me interes 0 % për 900 policë të pastrehë, te pagesa për qiranë e gardistëve që punojnë larg shtëpisë, zbardhet vendimi i qeverisë, ja afatet e aplikimit dhe kush përfiton

0
91

Qeveria ka marrë vendimin që të jap kredi me interes 0% për 900 policë të pastrehë. Këtë e bëri të ditur dje, para Kryeministrisë në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ai tha se Qeveria ka miratuar vendimin për kredi me interes zero, ku do të përfitojnë 900 policë që kanë krijuar një familje të re dhe nuk e kanë një shtëpi. Ai tha se gjithë fasha prej 900 efektivësh policie, të evidentuar pa banesë, është parashikuar të ndihmohen me kredi pa interes brenda 3 vitesh.“Kemi evidentuar dhe janë rreth 900 punonjës policie sot, që kanë problematika me strehimin, synimi është që brenda 4 muajve të mbetur të vitit 2023 të trajtojmë 100 familjet e para të punonjësve të policisë me banesa, gjatë vitit 2024 të trajtojmë 300 familje të tjera dhe gjatë vitit 2025 shpresojmë të përmbyllet e gjithë kjo fashë prej 900 familjesh punonjësish policie, që kanë nevojë t’u zgjidhet një prej halleve të tyre më madhore, sikurse është strehimi. Do të vazhdojmë ta kemi këtë si një prej objektivave tona themelore dhe besoj që përpara festave të fundvitit do të kem mundësinë që vizitoj disa prej punonjësve të PSH në banesat e tyre të reja”, tha Balla.

Afatet

Ndërkohë, 100 punonjësit e parë të Policisë së Shtetit që nuk kanë një banesë në pronësi, prej datës 15 shtator do të mund të nisin aplikimet për kredi me interes zero. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të qeverisë dhe u bë publik nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.“Dua të informoj e garantoj çdo punonjës të Policisë së Shtetit, i cili ka krijuar një familje të re, është brenda moshës deri në 40 vjeç, që pas pak ditësh pasi duhet të ngrihet dhe formati i aplikimit brenda e-Albania, deri në 15 shtator, menjëherë të aplikojnë të gjithë punonjësit e PSH që plotësojnë këto kritere që lidhen me moshën, me mospasjen e një banese tjetër në pronësi, etj”, sqaroi ministri.

Punonjësit e Gardës që punojnë jashtë vendbanimit

Nga ana tjetër, një tjetër vendim i miratuar dje, ishte vendimi u vjen në ndihmë punonjësve të Gardës së Republikës, që punojnë jashtë vendbanimit.“Janë disa ndërhyrje që lidhen me përkujdesjen ndaj punonjësve të Gardës së Republikës, sikurse e kishim bërë më parë për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe anëtarët e Forcave të Armatosura. Me vendimin e marr të qeverisë për gjithë punonjësit e Gardës së Republikës, që për shkak të detyrës detyrohen të jetojnë në një qytet tjetër, është domosdoshme që ne të sigurojmë mbulimin e qerasë, për këta punonjës që kryejnë këtë zhvendosje bashkë me familjen e tyre për shkak të detyrë”, deklaroi ministri Balla.

Balla: Do të presim çdo fije të lidhjes së krimit me policinë

Sakaq, ministri u shpreh se çdo fije e lidhjes së krimit me Policinë e Shtetit do të pritet, teksa hetime për të tjerë informatorë të krimit me uniformë janë në vijim. Angazhimin e ka shprehur ministri i Brendshëm Taulant Balla, i pyetur nëse besimi i shqiptarëve te policia është lëkundur pasi SPAK së fundmi ka prangosur oficerë policie, që i shërbejnë grupeve kriminale.“Procesi i vetëpastrimit në polici sapo ka filluar. Unë nuk jam këtu që të them se ia kam arritur qëllimit ta pastroj plotësoj por punoj çdo ditë. Këtë proces vetëpastrimi ta kryejmë në kohë sa më të shkurtër. Proces i vazhdueshëm Punonjës që tradhtojnë aksionet e policisë do të jenë në zhdukje të vazhdueshme. Fijet që i lidhin me grupet kriminale do të priten’. Kemi plot hetime të tjera në proces. Çdo lloj aksesi i një punonjësi policie do të pritet”, nënvizoi Balla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here