Qeveria shqiptare po planifikon një nismë me qëllim dorëzimin e armëve pa leje. Kjo u prek si çështje nga Zv/Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari gjatë një takimi të organizuar nga dega përfaqësuese e OSBE në vendin tonë. Zyrtari i lartë i MB pranoi se një përpjekje e tillë në 2017 dështoi, pasi nuk u krijuan kushtet për ndërgjegjësim masiv të shoqërisë. Sipas tij, ka ardhur koha që kjo çështje të trajtohet me përparësi jo vetëm nga shteti, por dhe nga media e shoqëria. “Jo vetëm të miratojmë një iniciativë të radhës, pra një amnisti të radhës. Në amnistinë e 2017 nuk kishim aq sa mund të pretendonim nga një strategji, e cila paraprihet nga një punë shumë e mirë e ndërgjegjësimit të komunitetit në bashkëpunim me çdo aktor, përfshirë këtu median dhe shoqërinë civile. Duhet paraqitur një ndërgjegjësim masiv mbi risqet”, tha Lamallari. Për gradimin “inspektor” në radhët të policisë të efektivëve të sapodiplomuar pa përvojë, Lamallari u mbrojt duke thënë se çështja e dhënies së kësaj grade është bërë sipas propozimeve të një grupi pune të përbashkët dhe raporteve të ndryshme. “Çdo propozim, sugjerim dhe vendimmarrje që është bërë, është bërë si pjesë e produktit të konsultimit të përbashkët. Pra ka patur një grup pune specifikisht për këtë qëllim. Janë konsultuar mendimet e të gjitha strukturave, por edhe mendimet dhe vlerësimet të raporteve të ndryshme sidomos atyre që asistojnë policinë e shtetit”, përfundoi Zv/Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.










































