Spartak Ngjela: Ja dy bashkitë për zgjedhjet e 14 majit që vulosin fatin e karriges së pushtetit të Edi Ramës

0
205

Avokati Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet politike në vend dhe rajon. Ai është shprehur se socialistët kanë investuar shumë në bashkitë e mëdha. Në një intervistë televizive, ai shtoi se ditët e fundit të fushatës, kreu i qeverisë do të bëjë premtime të mëdha për Shkodrën e për Durrësin, si qyteti i dytë në Shqipëri. Ndër të tjera Ngjela nënvizoi se partia që do të marrë Durrësin do të ketë avantazh të madh. “Socialistët kanë investuar shumë te bashkitë e mëdha. U habita kur shkova në Tepelenë, kishte marrë shumë ndriçim nga investimi që është bërë. Durrësi ka qenë gjithmonë qyteti i dytë në Shqipëri. Problemi qëndron se Rama e di mirë këtë. Marrja e Durrësit nga njëra nga partitë i jep avantazh të madh. Ditën e fundit te fushatës, Rama do të bëjë premtime për Durrësin e Shkodrën. Shkodra ka tifozë pasionantë, nuk e lë kollaj skuadrën” tha Ngjela. Sipas tij nëse Rama merr Durrësin e Shkodrën do të ketë përparësi të madhe në zgjedhjet e vitit 2025. “Nëse Rama i merr Durrësin e Shkodrën do të ketë përparësi të madhe në politikë sepse do të fillojë investimet për zgjedhjet politike. Nëse humbja e PD-së është drastike, krijohen risi të reja për të djathtën”,  tha ai.

Dalja jashtë loje e Metës dhe Berishës

Ngjela komentoi dhe sondazhet për pëlqyeshmërinë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta. Ai tha se Berishës e Metës i ka mbaruar koha politike. Mes të tjerash ai shtoi se Meta nuk do të ishte më në politikë nëse nuk do të kishte bërë koalicion me Edi Ramën në vitin 2013. “Pakënaqësia ndaj Berishës është e madhe, dhe arsyet janë të shumta. Meta ka qenë një figurë shumë negative në Shqipëri. Do të kishte dalë nga loja po të mos e kishte marrë Rama në koalicion. Në vitin 2013 ka qenë viti që ai duhet të ikte. Janë bërë gabime të rënda, por këta nuk e kuptojnë dot se janë jashtë loje. Politikani ka një kohë. Një fjalë të mirë ka thënë Ahmet Zogu, që po je jashtë kohës tënde, hidhu përpjetë s’ke gjë. Berisha e Meta janë jashtë kohe”, tha ai.

Gjyqi për Mediun

Gjithashtu avokati Spartak Ngjela e cilësoi një gjyq të vështirë atë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me akuzat për tragjedinë e Gërdecit. Sipas Ngjelës, pavarësisht sa dënohet apo nëse dënohet Mediu, ky proces është një arritje për SPAK që siç theksoi deri tani nuk ka shkuar në nivele të larta.  “Është një gjyq i vështirë. Janë viktimat. Gjithë problemi qëndron që kam vënë re që Mediu nuk di të mbrohet. Nuk ka staturë mbrojtësi. Nuk është aq e thjeshtë si çështje, kjo do ta tregojë, vendimi i sotëm e tregon se ku shkon, por në funksion të drejtësisë në Shqipëri është pozitive, deri tani. Nuk ka rëndësi sa do të dënohet, rëndësi ka që është bërë një gjyq”, tha Ngjela.

Lidhjet e Ramës me Vuçiçin

Gjithashtu, Ngjela ka komentuar dhe zhvillimet në rajon, ku në disa hetime mbi grupet kriminale serbe, në të cilat u zbulua edhe përfshira e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Ai në një postim në Facebook tha se këto prova tregojnë material rrëqethëse të krimeve të Vuçiçit. Ngjela e kritikoi lidhjen e Edi Ramës me kryeministrin serb dhe përmendi ‘miqësinë e tyre familjare’.  Arrestimi dhe hetimi i grupit kriminal të Velio Velijukut në Beograd befas nxori të dhëna për bashkëpunimin e Aleksandër Vuçiçit me krimin e organizuar në Serbi. Kjo tregon se hetimi ndërkombëtar dhe provat e mbledhura për mbeturinat e Milosheviçit në Beograd po dëshmon materiale rrëqethëse krimesh ku përfshihet edhe Aleksandër Vuçiç. Po Rama ende do vijojë të ketë një ndjenjë të një miqësie familjare me Aleksandër Vuçiçin?! Të shohim se deri ku mund t’i shkojnë lidhjet me të. Gjithsesi tani po kuptohet se gjithçka po ecën në favor të Bashkimit Kombëtar midis Kosovës dhe Shqipërisë. Kurse çështja hetimore në Beograd ku po implikohet si i përfshirë edhe Vuçiç, është e ngjashme me çështjen penale të hetimit kundër Sllobodan Milosheviçit. Vuçiç ka qenë krahu i djathtë i Milosheviçit, dhe grupi terrorist antishqiptar sot ende po drejton Serbinë. Ka rreth 200 vjet që “zhdukja e shqiptarëve si komb” ka qenë në Serbi doktrina kryesore e shtetit. Historia serbe e Serbisë ka qenë dhe mbetet si politika më barbare e Evropës. Por që kaloi në dekadencë me marrëzinë antishqiptare të Sllobodan Milosheviçit. Edhe Milosheviçi u hetua dhe u burgos për terrorizëm dhe genocid antishqiptar. Edhe për Aleksandër Vuçiçin dallon të jetë e njëjta metodë hetimi, gjë që flet se likuidimi penal për krime terroriste i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç duhet të jetë i afërt. Po kuptohet ndërkohe se gjithçka po drejtohet nga nivelet e larta perëndimore të antiterrorizmit ndërkombëtar. Po presim që të shohim…”, përfundoi Ngjela.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here