SPAK trondit qeverinë dhe vë nën hetim zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, ja si abuzimet me fondet miliona euro të BE i “hëngrën kokën” drejtoreshës së AZHBR, të premten prezantohet drejtori i ri

0
160

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural duket se është shndërruar në një vatër korrupsioni dhe skandalesh. OLAF, e cila është zyra e Bashkimit Evropian kundër mashtrimit në operacionet e saj për të nxjerrë në dritë korrupsionet, ka kapur shkelje në shpërndarjen e fondeve të BE nga AZHBR në Shqipëri, të cilat nuk kanë shkuar për fermerët, por në qoka për pushtetarët. Në skenë ka dalë emri i ministres së Bujqësisë, Frida Krifcës, e cila dyshohet se akuzohet për afera të rënda, gjatë kohës kur drejtonte Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. Ndërkohë ka zërë se në këtë skandal është përfshirë edhe Eranda Selmanaj (Mulla), e cila mbante postin e AZHBR dhe që mësohet se është shkarkuar, për shkak se është vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Gazeta “SOT” ka mësuar se drejtoresha që u vetëemërua disa muaj më parë dhe nuk priti as vendimin e kryeministrit Edi Rama për të marrë këtë post, është zëvendësuar nga Oltjon Muzaka, i cili sot që flasim është Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Mësohet se zyrtarizmi i zotit Muzaka në krye të AZHBR pritet të bëhet të premten.

Hetimet për fondet e OLAF

Megjithatë për t’u kthyer tek abuzimet dhe skandalet korruptive që kanë mbërthyer Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, një meritë ka OLAF (zyra e Bashkimit Evropian), e cila vuri në lëvizje Prokurorinë Speciale Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi mësoi se fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për fermerët shqiptarë, bëheshin rrush e kumbulla nga zyrtarët e korruptuara të AZHBR dhe Ministrisë së Bujqësisë. Sipas burimeve, një raport i kësaj strukture mësohet se është paraqitur pranë zyrave të SPAK me vërejtjet dhe gjetjet përkatëse në përdorimin e fondeve nga AZHBR. Gjithashtu, burime bëjnë me dije se është nisur një hetim, ndonëse kishte informacione se nga presione të forta dhe ndërhyrje të fuqishme, çështja synohej të kalonte pa zhurmë nga SPAK tek Prokuroria e Tiranës, strategji kjo që mund të shpëtonte nga hetimi ministren Frida Krifca. Por gjithë kjo luftë e fortë në prapaskenë, ku mësohet se i përfshirë ka qenë edhe një biznesmen i fuqishëm, i cili mbron me pathos zonjën Krifca, duket se po venitet, pasi me marrjen në hetim të ish-drejtoreshës së AZHBR, Eranda Selmanaj (Mulla), kambanat pritet të bien edhe për ministren e Bujqësisë, e cila rrezikohet të arrestohet nga SPAK për aferat korruptive që dyshohet se është përfshirë. Kujtojmë se Selmanaj nisi të firmoste si drejtoresha e AZHBR-së, ende pa dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për emërimin e saj, në vitin 2021. Eranda Selmanaj ka punuar në AZHBR që prej vitit 2010, fillimisht si inspektore në Departamentin e Auditit të Brendshëm, më vonë Përgjegjëse e Sektorit dhe prej vitit 2019 ka qenë Drejtore e Drejtorisë së Autorizimit të Pagesave.

Hetuesit e OLAF në zyrat e AZHBR

Sidoqoftë, duhet theksuar se hetimin e OLAF për AZHBR e ka denoncuar pak kohë më parë dhe zyrtari i Partisë së Lirisë, Vojo Bregu. Ai ka zbuluar kohë më parë se zyrat e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Tiranë janë vendosur nën hetim nga OLAF, Zyra e Antikorrupsionit në Bashkimit Europian, e cila po heton mënyrën e përdorimit të fondeve të projektit “IPARD II” për subvencionimin e bujqësisë shqiptare. Sipas tij, OLAF nisi një operacion blic në zyrat e AZBR-së, e cila menaxhon fondet e BE për subvencionimin e fermerëve shqiptarë. Sipas Bregut, zyrtarët e OLAF-it kanë hyrë në zyrat e shtetit shqiptar si “në një vend krimi” dhe “u kanë kërkuar punonjësve që të dorëzojnë telefonat. Po ashtu, kanë sekuestruar kompjuterat dhe dokumenta të tjerë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here