Idajet Beqiri akuzon prokuroren e SPAK se është e lidhur ngushtë me familjen e Ilir Metës dhe tregon pse nuk po e nxjerr në skenë dëshmitaren kyçe të grabitjes së floririt të Krrabës, rrezikohet eliminimi fizik i saj

0
121

Drejtësia re ende nuk po merr iniciativën për të hetuar dosje të rënda, apo pasuritë e politikanëve të lartë në Shqipëri edhe kur mbi ta ka denoncime konkrete. Por avokati i njohur Idajet Beqiri, i cili është personi që ka denoncuar vjedhjen e floririt në Krrabë nuk ka ndërmend të ndalet derisa Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion të detyrohet të fillojë hetimet për këtë megaskandal. Beqiri ka çuar provat e bujshme për grabitjen e floririt deri në Gjykatën e Lartë, duke i kërkuar si përfundim prishjen e Vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe lënien në fuqi të Vendimit  të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, ku urdhërohet SPAK që të nisë hetimet për “Floririn e Krrabës” dhe verifikimin e pasurive të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Gazeta “SOT” ka zbardhur rekursin e plotë që ka dërguar avokati me të gjitha faktet dhe argumentet. Në fund avokati, merr përsipër të paraqes prova të tjera me emra konkret të personave, me numrat e telefonit të tyre, me dyqanet ku edhe sot vazhdon të shitet floriri i vjedhur për llogari të Sali Berishës dhe të Ilir Metës, dyqane që janë brenda vendit dhe jashtë vendit, duke e këmbyer atë në euro dhe në dollarë. Ai flet dhe për një dëshmitare që nëse SPAK e merr në mbrojtje, grabitja e floririt do të zbulohet e gjitha.

Argumentet e avokatit

Sipas avokatit Beqiri: “Ky vendim i Gjykatës së Posaçme të Apelit cënon rëndë standardin e vendosur nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë përmes  një numëri të konsiderueshëm vendimesh gjyqësore për fillimin e procedimit penal, duke mos respektuar standardin e dyshimit të arsyeshëm, standardin e bazuar se është kryer vepra penale e vjedhjes së floririt të Krrabës në marsin e vitit 1997 dhe në muajin dhjetor 1999 dhe se nuk ekziston asnjë shkak nga sa parashikon neni 290 i Kodit të Procedurës Penale për të mos filluar procedimin penal.  Gjykata e Posaçme e Apelit përpiqet të arsyetoi vetëm teorikisht dhe hipotetikisht se përse nuk është filluar procedimi penal, duke ju referuar pa sens, pa asnjë lidhje me kallëzimin penal, madje duke ju shmangur analizës konkrete të secilës provë që kemi paraqitur në kallëzim, dhe që përbëjnë jo vetëm dyshimin e arsyeshëm, por bazën e një provueshmërie të plotë për të marrë si të pandehur Sali Berishën, Ilir Metën, Shaban Memin etj, për vjedhjen e floririt po e po, por edhe për të gjitha krimet e tjera që i atribuojmë në kallëzimin penal që kemi paraqitur.

Provat

Vjedhja e floririt të Krrabës në këto dy vite nuk është imagjinatë, nuk është fakt i pavërtetë, sikurse e trajton në mënyrë abuzive në Vendimin e saj Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit Znj. Tereza Merkaj, por është një fakt real që Shteti Shqiptar e ka kofirmuar në organin më të lartë ligjvënës të shtetit, në Kuvendin e Shqipërisë, sikurse rezultonnga akti zyrtar, proçesverbali i seancës së plenare të Kuvendit të Shqipërisë 17 maji 2000, sikurse rezulton i vjedhur edhe me invantarizimin që i ka bërë Ministria e Financave arit të Thesarit të shtetit në datën 07.04.2000, krahasuar me inventarin e parë që ishte kryer në datën 27.02.1997, ose para se floriri të vidhej.

Sa flori u vodh?

Gjate kontrollit te ushtruar në datën 7 prill 2000, u konstatua se nga 24 arkat speciale metalike ne te cilat ishte vendosur ari ne gjendje monedhe lira turke, napolona francez dhe dollarë amerikane, 11 arka ishin krejtësisht te zbrazura. Ndërsa nga 97 arkat e mbushura secila me nga 20 kilogram argjend, ishin hapur vetëm 2 arka, por nuk ishte grabitur asnjë gram argjend. Çuditërisht mes asaj rrëmuje arkash hermetike ku ato me flori përbenin me pak se një e pesta e te gjithë inventarit, grabitësit nuk ishin ngatërruar aspak. Ata kishin shkuar direkt tek arkat e mbushura me flori, madje me monedha me vlera të mëdha nomizmatike duke gjetur saktësisht atë që kërkonin. Nga 24000 napolona ari grabitësit morën vetëm 3999 napolona, duke lënë pas 20001 napolona. Kjo tregon se këta grabitësit kishin pasur një informacion zyrtar, qe mund ta dispononin vetëm funksionare te larte te asaj kohe, sikurse ishte shefi i tyre, ish Presidenti i Republikës Sali Berisha dhe ish Kryeministri Ilir Meta.

Ku bie ndesh Gjykata e Apelit?

Floriri i Krrabës është vjedhur, ky krim i rëndë është kryer, rezervat e arit të Shqipërisë prej këtij krimi janë paksuar ndjeshëm. Gjykata Ushtarake e Tiranë në Vendimin e saj Nr. 31, datë 06.02.2001, ashtu sikurse citohet nga vet Gjykata e Posaçme e Apelit në faqen “5” të Vendimit, objekt rekursi nga ana jonë, “…fakti (vjedhja e një pjesë të thesarit) ka ndodhur dhe se autorët i kanë pranuar veprimet e tyre…”.  Pra vet organi i akuzës dhe Gjykata e Apelit pranon se fshatarët e Krrabës kanë vjedhur vetëm një pjesë të thesarit. Në këto kushte arsyetimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, se “jemi para gjësë së gjykuar”, duke cituar Vendimin e Gjykatës Ushtarake Tiranë Nr. 31, datë 06.02.2001, në një kohë që ai vendim gjyqësor bënë fjalë për vjedhjen e “një pjese të thesarit”, vjen në kundërshtim me ligjin, me provat dhe me faktin, vjen në kundërshtim të hapur me vet Vendimin e Gjykatës Ushtarake Tiranë Nr. 31, datë 06.02.2001. Prokuroria e Posaçme, ashtu sikurse e ka urdhëruar me të drejtë me Vendimin  nr. 455, datë 30.11.2022 Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duhet të filloj procedimin penal për pjesën tjetër të thesarit të vjedhur, dhe që si shifër përbën 280 kg flori. Ndërsa për vjedhjen për herën e tretë të një sasie prej 2 kg flori prej të pandehurve Blerim Haka etj, fshatarë të Krrabës, është regjistruar procedimi penal në datën 06.01.2000 dhe me Vendimin e Gjykatës Ushtarake Tiranë nr. 31, datë 06.02.2001 këta të pandehur janë akuzuar dhe janë dënuar sipas akuzës se kanë vjedhur 2 kg flori.

Dëshmitarët okularë

Ky arsyetim vjen në kundërshtim flagrant me provat e pakontestueshme që kemi paraqitur. Nga ana tjetër, nëse minimalisht do të ishim thirrur me cilësinë e kallëzuesit nga ana e Prokurorisë, në kuadrin e verifikimit të materialit kallëzues, do të kishim dhënë edhe mjaftë prova të tjera direkte dhe indirekte, duke paraqitur edhe dëshmitarë okularë, të cilët kanë parë se si u vodh floriri me Urdhërin e Sali Berishës dhe të Ilir Metës, prej bashkëpunëtorëve të tyre Shaban Memia, ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Xhahit Xhaferi, Kastriot Kaçi etj.

Fakti 1

E para, nuk quhet indicie fakti që nga 24 arkat speciale metalike ne te cilat ishte vendosur ari ne gjendje monedhe lira turke, napolona francez dhe dollarë amerikane, 11 arka ishin krejtesisht te zbrazura me floririn e shqiptarëve, fakt i cili rezulton nga inventari që i është bërë në datën 7 prill 2001 rezervave të arit?

Fakt 2

E dyta, nuk quhet indicie fakti që ish zyrtari i shtetit, punonjësi i Gardës së Republikës dhe truproja kryesore e ish Presidentit të Republikës, dëshmitari okular kur është vjedhur floriri, Izet Haxhia, së bashku me 5 dëshmitarë të tjerë tregojnë gjithë situatën, përgatitjet, urdhrin e dhënë prej Sali Berishës për vjedhjen e floririt, personat që ai dërgoi me të 4 kodet dhe çelësat për hapjen e tuneleve ku qëndronte në ruajtje në kushte sigurie ekstreme të larta thesari i shtetit? Dëshmitari Izet Haxhia, ashtu sikurse kallëzuesi i krimit të vjedhjes së thesarit të shtetit, nuk u thirrën prej organit të akuzës, para se të merrnin vendimin përkatës të mosfillimit të procedimit penal. Në këto kushte për çfarë verifikimi bënë fjalë në vendimin e saj të kundërligjshëm Gjykata e Posaçme e Apelit, në një kohë që Prokurorja e SPAK nuk denjoi t’i merrte një deklarim kallëzuesit dhe ta pyeste atë nëse kishte prova të tjera për të paraqitur, standard ky i vendosur tashmë prej kohësh nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë?

Dëshmia e Izet Haxhisë

Nuk konsiderohet “e dhënë” dhe “provë” deklarimi i Izet Haxhisë se një ditë më parë, domethënë në datën 12 mars 1997, Z. Sali Berisha i dha urdhrin “Sonte (13 mars 1997) tërhiqu me gjithë forcat e tua nga ruajtja e tuneleve të Krrabës se do të vijë tjetër kush aty?” Unë, deklaron dëshmitari okular Izet Haxhia, i kam larguar forcat duke zbatuar urdhrin, por nga ana tjetër isha i bindur që Z. Sali Berisha po bënte një planë djallëzor kundër rezervave të arit të shtetit. Ndaj mbasi kam larguar forcat, kam shkuar në mënyrë të fshehtë dhe kam ruajtur se çfarë do të ndodhte. Ky dëshmitarë jepet emrat konkretë të personave që kanë shkuar te Tunelet e Krrabës dhe duke patur në duar 4 çelësat me kodë dhe 4 çelësat mekanik të dyerve të tuneleve, i kanë hapur ato dhe kanë hyrë brenda tuneleve, ku më pas kanë dalë nga tunelet të ngarkuar rëndë me çanta të mëdha shpine ushtarake. Pse e paragjykoi këtë provë të rëndësishme organi i akuzës, dhe mbi çfarë baze e realiteti e arsyeton vendimin Gjykata e Posaçme e Apelit, kur thotë se gjoja “organi i akuzës i ka bërë verifikimet përkatëse dhe vlerësimet e fakteve të kallëzuesit”, në një kohë që Prokurore e SPAK nuk ka bërë asnjë llojë verifikimi?!

Fakt 3

E treta, a nuk është indicie, që lidhet drejtpërdrejtë me fillimin e procedimit penal të vjedhjes së floririt të Krrabës dhe me eliminimet në një moshë të re të dy badigardëve të Ilir Metës, pjesëtarë në vjedhjen e floririt, sikurse ishte Kastriot Koçi, dhe marrës i dijenisë për këtë vjedhje, sikurse ishte Kastriot Braha, dëshmia e dëshmitares …?  Kjo dëshmitare është vënë në dijeni për vjedhjen e floririt të Krrabës në dhjetor të vitit 1999 prej … Kjo dëshmitare, në kuadrin e verifikimit para nisjes së procedimit penal, nuk u pyet prej organit të akuzës, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një paragjykim ekstrem, rrjedhojë e dystandartësisë së vendosur për fillimet dhe mosfillimet e procedimeve penale në Republikën e Shqipërisë, një standard që përbënë 99,99% e vendimmarrjeve të organit të akuzës për shqiptarët në përgjithësi; dhe një standard “extra ligjor” për ish funksionarët e lartë të shtetit shqiptar Sali Berisha dhe Ilir Meta, megjithëse të dy janë të akuzuar publikisht në të gjitha masmediat dhe portalet në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht gjithashtu për kryerjen e një korrupsioni të lartë shtetëror dhe të krimeve të organizuara.

Mbrojtja nga SPAK

Dëshmitarja …, pasi të merret në mbrojtje prej SPAK, do të deklaronte gjithë mekanizmin e vjedhjes së floririt të Krrabës me organizator, frymëzues dhe dhënien e çelësave dhe të kodeve ekzekutorëve të vjedhjes prej ish Kryeministrit Ilir Meta, ngjarje të cilën ajo e ka mësuar nga …dhe që ishte njeriu kryesor i Ilir Metës. Ajo do të deklaronte se ku i fshehu fillimisht arkat me flori Ilir Meta dhe ku i çoi më pas përmes badigardëve të tij, si dhe për mënyrën se si u eliminuan, duke ikur në një moshë shumë të re…

Akuza për prokuroren e SPAK

Emrin e kësaj dëshmitare në kallëzim nuk e përmendëm, sepse kishim dyshimet tona të arsyeshme që Prokuroria e SPAK, Manjola Kajana, e lidhur ngushtësisht me Familjen “Meta”, do t’ia bënte menjëherë të ditur atij. Kjo dëshmitare me emër dhe me mbiemër, e cila ka ardhur në dijeni të rrethanave të rëndësishme që hedhin dritë mbi vjedhjen e floririt të Krrabës, nuk konsiderohet “indicie apo e dhënë” që duhet t’i nënshtrohet hetimit objektiv të çështjes?! Do groposet dëshmia e saj dhe dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë që vërtetojnë vjedhjen e floririt të Krrabës nga Prokuroria dhe Gjykata për llogari të Sali Berishës dhe Ilir Metës, duke e ligjëruar kështu vjedhjen e thesarit të shtetit?!

Fakt 4

E katërta, personi i kallëzuar nga ana jonë Ilir Meta si vjedhës i floririt të Krrabës, përmes bashkëpunëtorëve të tij, vazhdon edhe sot e kësaj dite të shesë monedhat turke të floririt të Krrabës që ka vjedhur në dhjetor 1999. Njëri prej këtyre personave, i quajtur… ka deklaruar se vazhdon edhe sot të shesë në Selanik të Greqisë monedhat e floririt që merr nga Ilir Meta. Ky person ka numrin e telefonit … Nuk quhet “indicie dhe e dhënë” për Gjykatën e Posaçme të Apelit ky fakt i cili kërkon menjëherë verifikim dhe hetim?

Fakt 5

E pesta, Nëse organi i Prokurorisë do të zbatonte standardin e marrjes së deklarimeve pas kallëzimit, si dhe të më pyeste nëse kisha fakte, prova dhe të dhëna të tjera lidhur me kallëzimin e bërë për vjedhjen e floririt të Krrabës dhe për krimet e tjera të kryera nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, sipas këtij kallëzimi, unë do t’u jepja adresat e 3 pikave ku shiten edhe sot napolonat e floririt që u jep Ilir Meta personave të këtyre dyqaneve të floririt në Pragë, të Çekisë; sikurse do t’u jepja emrin e Xh. M. e cila në vazhdimësi merr nga Ilir Meta dhe shet në Durrës napolonat turke të floririt të Krrabës dhe me këto lekë të siguruara nga shitja e monedhave të floririt ka blerë një vilë luksoze me vlerë 3 milion euro etj, etj.

Fakt 6

E gjashta, në mënyrë abuzive, të pavërtetë dhe në kundërshtim të hapur me realitetin, i dokumentuar ky realitet në akte më rëndësi të posaçme shtetërore, sikurse është Proçesverbali i datës 17 maji 2000 i mbajtur në Mbledhjen plenare të Kuvendit të Shqipërisë për vjedhjen e floririt, ku është marrë në pyetje ish Kryeministri Ilir Meta, Gjykata e Posaçme e Apelit nuk e konsideron  as “indicje”, as “të dhënë” këtë akt, duke thënë se: “Të vetmen lidhje që bënë kallëzuesi Beqiri me ish funksionarët e lartë, janë deklaratat politike të bëra publikisht nga vet të kallëzuarit, deklarata të cilat, Gjykata në vendimin objekt ankimi, i konsideron si indicie të paqënësishme në kuadër të përfshirjes së këtyre zyrtarëve në vjedhjen e thesarit të Krrabës.” Në radhë të parë nuk kemi të bëjmë me deklarata politike, as me debate televizive ku dy ish funksionarët e lartë të shtetit akuzojnë njëri-tjetrin, por kemi të bëjmë me një Akt me fuqi provuese të lartë, sepse është zhvilluar një debat me ish Kryeministrin e vendit, Ilir Meta në organin më të lartë ligjvënës të shtetit shqiptar, ku gjithçka thuhet regjistrohet dhe ka vlera të pakontestueshme aktuale, historike, administrative, vlerë provueshmëria për çka ka ndodhur me Arin e Thesarit të Shqipërisë. Nuk mund të konsiderohet “indice” dhe “e dhënë” përmbajtja e plotë e këtij akti zyrtar i Pushtetit Legjislativ të vendit, Kuvendit të Shqipërisë?!

Kur mund të vendosej pushimi i çështjes?

Pasi të regjistronte procedimin penal, pasi të administronte provat e paraqitura prek meje si dhe pasi të bënte hetime të veta plotësuese, në zbatim të nenit 148 të Kushtetutës së Republikës dhe dispozitave të tjera ligjore të nxjerra në zbatim të saj që rregullojnë veprimtarinë e organit të akuzës, nëse nuk do të provohej fajësia e personave të kallëzuar si të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale dhe të veprave të tjerë penale si : “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i K.Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarim,  fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur  dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a i K.Penal;  “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 i K.Penal, “Vrasje në rrethana të cilësuara”, neni 79 i Kodit Penal etj, do të vendoste “Pushimin e çështjes”.

Provat janë të qarta

Ndërsa “Mospranimi i fillimit të procedimit penal” në një situatë të tillë, kur shtetit shqiptar i është vjedhur gjëja e tij më me vlerë dhe më e shenjtë, floriri i Thesarit të shtetit, është akti më i papërgjegjshëm dhe madje krim i rëndë që organi i akuzës së shtetit, i bënë vet shtetit dhe qytetarëve taksapagues të këtij shteti. Organi i akuzës dhe Gjykata e Posaçme e Apelit po luajnë rolin e strucit, duke anashkaluar si pa të keq provat, faktet, indicjet dhe të dhënat serioze që e bëjnë dyshimin tepër të arsyeshëm se floriri është vjedhur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, duke e mbuluar këtë krim me një vendim apeli, i cili teorizon dhe nuk përmend asnjë provë, asnjë fakt, as një dokument nga ato që paraqesim si kallëzues, duke gënjyer kështu veten se nesër do lexohet vetëm ky vendim gjyqësor që mbron krimin dhe kriminelët dhe nuk do të shihen dhe lexohen aktet dhe provat e pakontestueshme që kallëzuesi dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë nxjerrë në evidencë publike”, thuhet ndër të tjera në dokumentet e dorëzuara nga avokati Idajet Beqiri. Në fund avokati përmend dhe pasurinë e Metës dhe Berishës dhe hijet e dyshimeve mbi to.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here