Një emër i papritur pritet të trazojë garën presidenciale në Francë. Teddy Riner, një prej sportistëve më të suksesshëm dhe më të dashur në vend, ka shpallur kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të prillit të ardhshëm, duke sfiduar skenën politike franceze, pavarësisht se nuk ka asnjë përvojë në politikë dhe as mbështetjen e një partie.
37-vjeçari, i lindur në Guadelupë, është kampion bote në xhudo dhe një nga figurat më të njohura të sportit francez. Ai ka fituar pesë medalje të arta olimpike dhe 11 tituj kampion bote, ndërsa ka ndërtuar edhe një karrierë të suksesshme në biznes. Deri më tani, kandidatura e tij mbështetet te slogani “La France qu’on aime” (Franca që duam), një mesazh i publikuar në rrjetet sociale dhe disa dalje publike, përfshirë një vizitë në një spital në periferi të Parisit.
Megjithëse nuk ka prezantuar ende një program konkret qeverisës, Riner ka tërhequr vëmendjen e publikut. Mbi 28 milionë persona kanë ndjekur videon e tij të shpalljes së kandidaturës në Instagram dhe X, ku ai shfaqet në një ambient të kuruar, me libra dhe flamurin francez në sfond, në një paraqitje që kujton komunikimin tradicional të kandidatëve presidencialë.
Interesi për kandidaturën e tij u reflektua edhe në një sondazh të Ifop, sipas të cilit 22% e të anketuarve deklaruan, brenda 24 orëve nga publikimi i videos, se mund ta votonin atë.
Analistët politikë vlerësojnë se Riner nuk mund të konsiderohet një kandidat për t’u nënvlerësuar, sidomos në një moment kur politika franceze po përjeton një krizë të thellë dhe qendra politike nuk po arrin të nxjerrë një figurë që të frymëzojë elektoratin. Ndërkohë, në kampet ekstreme, Marine Le Pen në të djathtën e fortë dhe Jean-Luc Mélenchon në të majtën radikale mbeten figura me ndikim të konsiderueshëm në garën presidenciale.
Gazetari i “Le Figaro”, Guillaume Tabard, paralajmëron se do të ishte gabim të mendohej se mungesa e përvojës politike e përjashton automatikisht Riner nga gara për Pallatin Élysée. Megjithatë, sipas tij, edhe vetë kampioni do të gabonte nëse do të mendonte se mjafton vetëm të mos jetë pjesë e establishmentit politik për të fituar zgjedhjet.
Në mesazhet e tij të para, Riner është përpjekur të pozicionohet si një kandidat jashtë ndarjeve tradicionale politike, duke deklaruar se nuk është as i majtë dhe as i djathtë. Ai thotë se synon të bashkojë vendin, të rikthejë më shumë para në xhepat e qytetarëve dhe të luftojë njëkohësisht racizmin dhe pasigurinë në rrugë.
Një pjesë e rëndësishme e strategjisë së tij është distancimi nga politika tradicionale. Riner kërkon të paraqitet si një njeri që vjen nga jeta reale, që njeh problemet e qytetarëve dhe që nuk është pjesë e sistemit politik, të cilin shumë francezë e shohin me mosbesim.
Në videon e publikuar të hënën, ai iu përgjigj edhe kritikave se kandidimi për president pa përvojë politike është një çmenduri.
“Disa thonë se jam i çmendur që dua të kandidoj për president. A jam i çmendur? Nëse refuzimi për të parë Francën të fundoset nën peshën e borxhit, nëse refuzimi për të parë nënat dhe baballarët që shtrëngojnë dhëmbët sa herë bëjnë pazaret javore dhe që dridhen nga frika kur fëmijët e tyre dalin në rrugë, do të thotë të jesh i çmendur, atëherë po, më quani të çmendur”, deklaroi Riner.
Mbetet për t’u parë nëse kandidatura e kampionit të xhudos do të shndërrohet në një alternativë reale politike apo do të shuhet pas interesit të madh fillestar. Megjithatë, hyrja e tij në garë ka detyruar tashmë politikën franceze të marrë në konsideratë një skenar të ri, në një fushatë presidenciale që mund të sjellë surpriza të papritura.









































