Sipas policisë, protestuesit, të moshave 33, 23 dhe 15 vjeç, kanë thyer trafikndarëset, stendat e reklamave, stacionet e urbanëve dhe nuk i janë bindur urdhrave të policisë.
Tre persona, një prej të cilëve i mitur, janë arrestuar për aktet e dhunshme gjatë protestës të së shtunës. Sipas policisë, protestuesit, të moshave 33, 23 dhe 15 vjeç, kanë thyer trafikndarëset, stendat e reklamave, stacionet e urbanëve dhe nuk i janë bindur urdhrave të policisë.
18 të tjerë janë vendosur nën hetim.
Policia ka gjobitur 44 protestues, dy prej tyre në masën 500 000 lekë (të reja).
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Arrestohen 3 shtetas dhe procedohen penalisht 18 të tjerë për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të djeshëm.
Vendosen 44 masa administrative, në bazë të Aktit Normativ, dy prej tyre në vlerën 500 000 lekë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
-E. K., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka dëmtuar trafikndarëset, si dhe ka thyer stendat e reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”;
-I. R., 23 vjeç, pasi gjatë shoqërimit në Komisariat ka goditur një punonjës policie, për shkak të detyrës;
-Një i mitur, 15 vjeç, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”.
Gjithashtu, 18 shtetas të tjerë u proceduan penalisht.
Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 44 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të djeshëm, dy prej të cilave janë në vlerën 500 000 lekë.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.








































