Lojtarët e Kombëtares po kalojnë momente të mira me skuadrat e tyre në Europë, përgjithësisht, por ka dhe prej atyre që duan të ndryshojnë ambient dhe në ditën e fundit të merkatos dimërore ndodhi një ndryshim interesant. Mesfushori kuqezi Nedim Bajrami do të largohet nga Empoli, por nuk do ta ndryshojë kampionatin elitar italian, pasi shkon brenda tij e konkretisht tek Sasuolo. Ishte një lëvizje e pritshme pasi prej ditësh mediat italiane kishin pikasur ofertat e shumta që kishin ardhur në adresë të shqiptarit nga disa klube brenda e jashtë Italisë. Kështu, takimi i mbajtur në selinë e klubit të Sasuolos mes përfaqësuesve të skuadrës italiane dhe Nedim Bajramit e përfaqësuesve të tij, është mbyllur me sukses. Fantazisti i kombëtares mund të cilësohet si lojtari më i ri i Sasuolos, teksa e mbyll aventurën me Empolin pas dy vitesh. Vetë lojtari nuk ka ngurruar të shprehë lumturinë për këtë lëvizje ndërsa shpreh kënaqësinë që do të bashkohet me trajnerin Alesio Dionisi. “Jam shumë i lumtur, gjithçka mund të konsiderohet e mbyllur dhe të mërkurën do të bashkohem me skuadrën e re. Ritakohesh me Dionisin? Jam këtu edhe prej tij, kemi folur së fundmi dhe jam shumë i lumtur që e rigjej sërish. Gjithashtu, kam folur edhe me shokët e rinj të skuadrës, disa prej tyre i njoh. Një prej tyre është Pinamonti me të cilin kam luajtur në sezonin e fundit”, u shpreh Bajrami. Mesfushori konsiderohet nga më të mirët në Kombëtare, edhe pse roli i tij ende nuk ka shpërthyer në fushë, domethënë më e mira e futbollistit ende nuk ka ardhur. Për cilësitë e tij kanë folu specialistët që e cilësojnë një lojtar me të dhënat e Sulejman Demollarit, por potenciali i tij ende nuk ka dalë në pah. Prandaj në eliminatoret e Europianit të ardhshëm pritet më shumë prej fantazistit kuqezi.