Lajme të shumta qarkullojnë në rrjetet online për futbollistët e përfaqësueses kuqezi. Janë bërë disa lëvizje interesante e shumë lojtarë po presin gjithashtu të mësojnë emrin e ekipit të sezonit të ri. Broja është një prej tyre, por nuk mbetet pas edhe shkodrani tjetër, Elseid Hysaj. Më tej edhe Kristjan Asllani duket se nuk e ka gjetur ende destinacionin e ri pasi pret transferimin prej Interit diku tjetër, ndërsa për Berat Gjimshitit për komentin nuk ka lajme se mund të largohet nga Atalanta. Sidoqoftë, merkato është e hapur deri në ditët e para të shtatorit dhe kuqezinjtë do të përpiqen të gjejnë skuadrën e dëshiruar për sezonin e ri. Jo gjithçka varet prej dëshirës së tyre, pasi një rol të madh kanë agjentet dhe klubet që kanë ende në pronësi kartonin e tyre. Sidoqoftë, dje pati disa lëvizje dhe qëndrime që vlen të përmenden.
Asani shkëputet nga Esteghali iranian
Jasir Asani konsiderohet tashmë një lojtar i lirë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare mori së fundmi vendimin drastik, për të ndërprerë kontratën me Esteghlal. Shkak për mbylljen e bashkëpunimit është bërë mospagimi i detyrimeve për sezonin e kaluar. Asani e ka njoftuar klubin për të ardhmen, pikërisht përmes një letre. 31-vjeçari i lindur në Shkup tashmë duhet të gjejë ekip të ri. Më parë është shprehur se për të ka interes nga elita e futbollit spanjoll. Asani u penalizua shumë nga lufta në Lindjen e Mesme, pasi humbi edhe vendin e tij në Kombëtare. Për herë të fundit mori minuta pikërisht në fundin e muajit shkurt. Asani largohet nga Esteghlal me kujtimin e 29 paraqitjeve. Gjatë kësaj kohe shënoi 13 gola dhe asistoi katër të tjerë.
Hysaj nuk kthen përgjigje në kohën e duhur, nuk shkon te Leçe
Negociatat mes Elseid Hysaj dhe Leçes kanë ngecur. Klubi i Seria A paraqiti dje ofertën zyrtare, ndërsa priti 24 orë për përgjigjen. Xhanluka Di Marcio shkruan se Leçe bëri përpjekje të konsiderueshme financiare. Në anën tjetër ndodhet Hysaj, i cili nuk dha dritën jeshile dhe preferon të shikojë për opsione të tjera para vendimit përfundimtar. Negociatat e ngecura bëjnë që edhe Leçe të shikojë për opsione të tjera. 32-vjeçari i mbrojtjes u largua nga Lacio ku i pati minutat me pikatore në dy sezonet e kaluara. Hysaj ka një karrierë të fokusuar vetëm në Seria A. Aty ku mbi 100 ndeshje regjistron me Empolin dhe Lacion, ndërsa te Napoli kaloi 200 paraqitje.
Merkato/ Ngecin bisedimet me Frozinonen, Luis Hasa nuk largohet nga Napoli
Nuk ka marrëveshje për transferimin e Luis Hasës nga Napoli te Frosinone. Gazetari Nikolo Skira raporton se bisedimet kanë ngecur. 22-vjeçari është rikthyer te Napoli pas huazimit të suksesshëm te Karrareze në Serinë B. Mesfushori nuk ka hapësira në projektin e trajnerit Alegri, ndaj edhe duhet të gjejë skuadër. Fakt është se kontrata e tij vlen deri në vitin 2029. Ndaj dhe Napoli që e bleu kartonin për 500 mijë euro nga Leçe, po shikon që të përfitojë. Hasa vendosi këtë vit që të hiqte përfundimisht dorë nga Italia. Nga muaji qershor u vendos nën urdhrat e trajnerit Maran te Kombëtarja.






































