Pesticidet në bujqësi pa kontroll, KLSH ngre alarmin dhe “shkund” Ministrinë e Bujqësisë, akuza se siguria ushqimore dhe fitosanitare është në rrezik

0
113

Siguria ushqimore vihet në rrezik nga mungesa e laboratorëve që duhet të analizonin pesticidet, ky është konkluzioni që ka nxjerrë KLSH në raportin e tij për periudhën janar-shtator 2022. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e drejtuar nga Frida Krifca ka dështuar, pasi sipas KLSH, nuk ka hartuar një program strategjik monitorimi që kontrollon Produktet e Mbrojtjes së Bimëve si plehrat kimike dhe pesticideve. Kapacitetet institucionale të MBZHR-së në fushën e vlerësimit të riskut dhe monitorimit të mbetjeve, kritereve mikrobiologjike dhe ndotësve, si dhe kapacitetet administrative të ISUV sa i takon inspektimeve dhe kontrolleve, rezultuan të jenë të kufizuara. Si pasojë, zbatimi i standardeve të sigurisë ushqimore dhe fitosanitare nuk realizohet në mënyrë të plotë. Farmacitë bujqësore në mënyrë krejtësisht të ligjshme tregtojnë kimikate që janë jashtë standardit. Fermerët detyrohen që frutat dhe perimet t’i spërkasin më shumë se një herë me pesticide, pasi ilaçi që duhet të luftojë sëmundjet nuk e jep efektin të menjëhershëm. Këto produkte jo cilësore që vënë në rrezik shëndetin e konsumatorit shqiptar, kjo sepse institucionet që duhet të garantojnë ushqim të sigurt nuk i analizojnë produktet e mbrojtjes së bimëve si pesticide, plehra kimikë, fungicide dhe herbicide. Mos përmbushja nga ana e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë e detyrimit ligjor mbi marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave brenda afatit të parashikuar, ose moskryerja fare e tyre (gjatë periudhës 2018- 2019), ka ndikuar që Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit  të mos kryejë në kohë marrjen e masave për bllokimin e tregtimit të PMB-ve që kanë rezultuar “Jo konform”, duke ekspozuar kështu konsumatorin përpara riskut të përdorimit të tyre. Por gjithashtu thekson në MBRZH mungon sektori që duhet të kontrollojë plehrat kimikë. Kjo bën që pesticidet që janë hequr nga lista e OMB të BE të futen në Shqipëri të me një tjetër etiketë atë të plehrave kimike. Në kushtet kur, mbrojtja e shëndetit të njeriut dhe e mjedisit garantohet jo vetëm, nga përdorimi i PMB-ve por dhe nga produktet plehëruese për ushqyerjen e bimëve, të cilat përmirësojnë cilësitë fiziko-kimike dhe rrisin pjellorinë e tokës, mungesa e një sektori të dedikuar për produktet plehëruese si dhe e akteve nënligjore në këtë fushë, ka lënë jashtë vëmendjes, monitorimin e këtij procesi duke mbartur risqe për garantimin e sigurisë ushqimore dhe atë mjedisore.

Auditimi i KLSH, Agjencia për Zhvillim Bujqësor me mungesë efektivitetit

Ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar më herët raportin e auditimit të performancës për efektivitetin e granteve në AZHBR, nga ku është arritur në përfundimin se AZHBR nuk ka arritur efektivitetin e synuar nga menaxhimi dhe administrimi i fondeve buxhetore për skemat kombëtare në Bujqësi. Në raportin e KLSH-së thuhet se fondet e dhëna për informim kanë rezultuar jo efektive, pasi mjetet e komunikimit kanë qenë të kufizuara, informacioni i pamjaftueshëm dhe jo cilësor, nuk është menaxhuar siç duhet.“Menaxhimi i burimeve njerëzore ka shfaqur probleme në strukturimin organik, formimin bazë, rekrutimin, trajnimin dhe vlerësimin e performancës etj; kanë rezultuar me mangësi vetë procedurat e subvencionimit për skemat kombëtare të analizuara në dinamikë për kushtet dhe kriteret e përfitimit, si dhe zbatimit të tyre nga ana e AZHBR; fondet e dhëna për informim kanë rezultuar jo efektive, pasi mjetet e komunikimit kanë qenë të kufizuara, informacioni i pamjaftueshëm dhe jo cilësor, nuk është menaxhuar siç duhet etj.; financimet për mbrojtjen e ullirit nuk janë efektive, pasi nuk janë zbatuar siç duhet procedurat e prokurimit, nuk është vepruar në përputhje me kuadrin rregullator, verifikimet dhe monitorimet për këtë skemë nga AZHBR kanë qenë me mangësi, duke rritur premisat për abuzime nga ana e institucionit; fondet e investimeve të përfituara nuk janë shfrytëzuar si duhet në aspektin ekonomik, për të gjeneruar më pas të ardhura të mjaftueshme për të mbështetur zhvillimin e zinxhirit të vlerës që të mund të zhvillojnë projekte të besueshme për financim; ka munguar sektori i monitorimit për një periudhë 4-vjeçare, e si pasojë edhe monitorimi i skemave kombëtare të vogla dhe investimeve, duke e ulur ndjeshëm efektivitetin e fondeve të dhëna për ato”, thuhet në raport.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here