Premiera teatrore “Elektroshok” ka në qendër lirinë e artistit dhe se si përdoren ata nga pushteti

0
213

Vepra teatrore “Elektroshok” shënon këtë mbrëmje premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Me regji nga Sara Smaja dhe autor Tobias Xhaxhiu, premiera teatrore ka në qendër lirinë e artistit dhe përdorimin nga pushteti. Në vepër janë katër aktorë në role dhe do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 5, 6, 7, 8 dhe 9 tetor. Me pjesëmarrjen e Fiona Rushitit, rolet në vepër luhen nga Aleksandër Mitrollari, Urim Aliaj, Ermir Hoxhaj, Theodhora Dhimo. Në materialin shpjegues rreth veprës thuhet se ka në qendër një dramaturg, i cili që në nisje ka vendosur të vetëvritet për t’i shpëtuar torturave të Shërbimit Sekret. “Por një ftesë e papritur në rezidencën e Liderit Suprem e shpëton atë në çastin e fundit. Atje ai do të përballet me një vendim që do të vërë në pikëpyetje jo vetëm ndërgjegjen e tij si artist, por edhe vetë fatin e njerëzimit. Shfaqja ka në qendër lirinë e artistit dhe se si përdoren ata nga pushteti, i cili në rastin e “Elektroshok” është një regjim totalitar. Mënyra se si është trajtuar në shfaqje regjimi është i papërcaktuar, por njëkohësisht mund të ngjallë asociacione me regjime të ngjashme ndër vite. Liria e artistit dhe e njeriut në përgjithësi është në qendër te shfaqjes”, thuhet për veprën premierë. Interpretuar nga aktori i ri dhe i talentuar Aleksandër Mitrollari, Lideri Suprem do të na njohë me anët më të errëta të regjimeve absolute, të afta të depërtojnë dhe në ëndrrat e qytetarëve të thjeshtë. Interpretimin i aktorit të ri dhe të talentu ar Urim Aliaj do të na njohë me kufijtë e asaj çka dikush është i aftë të kryejë për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin. Me regjia nga Sara Smaja, skenografe/kostumografe është Bendis Qose, koreograf Aldo Alia, as. regjisor Eleonora Bezati dhe grafikat Ditmar Kolaj.

Produksioni teatror në skenë

“Elektroshok” një vepër që vjen premierë në Shqipëri është prodhim i Fondit të Teatrit për të Rinj, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ministria e Kulturës akordoi një fond për të rinj në vlerën 10 milionë lekë të reja dhe përmes Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mbështeten regjisorët deri në 35 vjeç. Fondi siç u bë me dije më parë shkon për veprat teatrore, në periudhën e realizmit prill-dhjetor të këtij viti, ku vepra e parë ka qenë ajo me titull “Panik”, që erdhi në skenë në muajin qershor në teatrot në Tiranë. Në këtë fond ka pasur një numër të lartë propozimesh, ku kanë qenë plot 39 të tilla dhe pjesët për të qenë në skenë janë zgjedhur nga bordi artistik i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli. Projektet përfituese nga ky fond realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental, ndërsa teatrot e rretheve mbështesin projektet e këtij fondi, përmes logjistikës teatrore. Prej disa javësh në skena të ndryshme po vihen shfaqje teatrore, që po realizohen përmes buxhetit nga ky fond për të rinjtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here