Filmi “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” do të shfaqet premierë botërore në “Tallinn Black Nights” dhe konkurron për çmimin “Filmi artistik më i mirë”

0
372

Filmi artistik “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” do të ketë premierën botërore në festivalin ndërkombëtar “Tallinn Black Nights”, që do të zhvillohet në Estoni. Qendra Kombëtare e Kinematografisë shprehet se filmi me skenar dhe regji nga Gentian Koçi, prodhim i shtëpisë kinematografike “ARTALB Film Productions”, që do të ketë premierën botërore në festivalin e filmit “Tallinn Black Nights” do të jetë pjesë e konkurrimit zyrtar në garën kryesore për çmimin “Filmi Artistik Më i Mirë”. QKK bën me dije se festivali ndërkombëtar, që do të zhvillohet në Estoni është një prej festivaleve më të rëndësishme. ““Tallinn Black Nights” është festival ndërkombëtar i kategorisë A. Edicioni i 26-të do të zhvillohet nga data 11 deri në 27 nëntor. Filmi është realizuar në bashkëprodhim me Maria & Mayer (Portugali), Graal Films (Greqi) dhe Added Value Films (Kosovë)”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Filmi me skenar dhe regji nga Gentian Koçi cilësohet si dramë ekzistencialiste, bazuar në ngjarje të vërtetë. Në qendër të filmit janë Agimi dhe Gëzimi, dy vëllezër binjakë identikë të pandarë, shurdhmemecë, rreth të dyzetave, jetojnë nën të njëjtën çati. Në rolet kryesore janë dy aktorët e njohur portugezë Edgar Morais dhe Rafael Morais. Filmi sjell dhe debutimin e aktores shqiptare Drita Kabashi. Filmi artistik “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Radio-Televizionit Publik Shqiptar, Qendra Greke e Filmit, Televizioni Publik Grek, Qendra Kinematografike e Kosovës, Instituti Portugez i Kinemasë dhe Audiovizualit, Eurimages, Media-Creative Europe dhe Bashkia e Tiranës. Filmi edhe përfaqësimi i vendit tonë në “Oscars” Disa ditë më parë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë u bë me dije se kandidatura zyrtare e Shqipërisë për kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, në edicionin e 95të të Academy of Motion Picture Arts and Sciences (AMPAS) është filmi “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, skenari dhe regjia Gentian Koçi. Komisioni përzgjedhës në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë përbëhej nga Eduart Makri kryetar i QKK dhe Vladimir Prifti, Genc Përmeti, Diana Çuli, Mirela Oktrova dhe Alert Çeloaliaj. Filmi fitues mori 4 votat e anëtarëve të komisionit të krijuar pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ndërkohë që në garë kanë qenë edhe dy filma të tjerë, njëri i regjisorit Fatmir Koçi me titull “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, si dhe tjetri i regjisorit Ergys Meta me titull “Nji prej nesh. Pas përzgjedhjes, regjisori Gentian Koçi që do të prezantojë Shqipërinë në “Oscar 2023” me filmin “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” u shpreh në media se pjesëmarrja në një ngjarje ndërkombëtare të këtyre përmasave është shumë e rëndësishme për vendin. Filmat e regjisorit Gentian Koçi kanë marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare të filmit, ku nuk kanë munguar dhe vlerësimet më parë. Kujtojmë, që filmi i tij “Dita zë fill” pati premierën në festivalin e Sarajevës, ku fitoi “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagoniste, Ornela Kapetani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here