Deklarata shokuese e Behramit: Lojtarët serbë janë miqtë e mi, ‘shqiponja’ e Xhakës dhe Shaqirit ishte një marrëzi

0
28

Ish-ylli i kombëtares zvicerane Valon Behrami ka befasuar me deklaratën e tij ë një intervistë të gjatë për “Blick”, teksa zbulon jetën e re pa futboll tashmë, ai ndalet edhe në disa momente delikate të karrierës.

37-vjeçari ka komentuar rastin e shqiponjës së Xhakës dhe Shaqirit në ndeshjen ndaj Serbisë që bëri bujë të madhe, ku ai është shprehur se ai gjest nuk ka vend në fushën e futbollit, ishte marrëzi.

Valon Behrami, ku ikën flokët tuaj bjond?

Larg. Gjithashtu të gjitha tatuazhet e mia janë të mbuluara, tani jam 37 vjeç dhe në fazën tjetër të jetës.

Kur ka qenë hera e fundit që i keni pasur flokët me ngjyrën natyrale?

Mendoj rreth 20 vite më parë. Më pas i kam ngjyrosur gjithmonë, me përjashtim të vitit 2009 kur këputa ligamentin tim të kryqëzuar tek West Ham. Pas kësaj, nga besëtytnitë, vendosa t’i lyej gjithmonë flokët derisa ta lija futbollin. Epo unë u tërhoqa nga futbolli i luajtur disa muaj më parë dhe ndalova së ngjyrosuri flokët. Kursej shumë kohë, ndryshe nga përpara kur ulesha në parukeri katër orë çdo gjashtë javë.

Edhe makina juaj është më pak spektakolare. Dikur drejtoje Lamborghini dhe Ferrari, tani erdhe me Range Rover…

Kam pasur dhimbje shpine, ndaj po udhëtoj me Range e jo makina sportive këto kohë. Vërtet, pa shaka.

Tërheqja juaj nga futbolli nuk u komunikua kurrë. Një shok skuadre te Brescia ju “tradhtoi” me postimin në Instagram…

Ai donte të bënte diçka të mirë dhe bëri diçka të gabuar.

Çfarë do të kishit bërë?

Nuk do ta kisha komunikuar fare. Lara dhe unë fshimë të gjitha kanalet e mediave sociale pesë vjet më parë. Ishte vendimi më i mirë i jetës sime, kemi shumë më pak stres. Unë qesh për vdekje me futbollistët që vendosin gjithë jetën e tyre në Instagram dhe më pas ankohen se po sulmohen dhe se privatësia e tyre duhet të mbrohet. Budallallëqe, rruga për të dalë është një klik larg. Fshi profilin tënd dhe do të jesh në paqe.

Por edhe futbollistët konkurrojnë se kush ka më shumë ndjekës…

Po, kjo është gjithashtu në rregull dhe ju mund të fitoni diçka me të. Bëjeni këtë, merrni paratë dhe vëmendjen. Dhe heshtni.

Ju nuk keni dhënë një intervistë për tre vjet. Pse?

Sepse nuk doja të përzieja më jetën private me futbollin. Vitin e fundit në Serie B me Brescia vuajta shumë. Nuk kisha më emocione për tifozët, për sportin dhe ndjeja se gjërat e tjera ishin më të rëndësishme. Një shembull: Nëse vajzat e mia, tani janë 13 dhe 6 vjece, vinin për vizitë të premten dhe unë duhej të shkoja në hotel me ekipin të shtunën për ndeshjen e së dielës, atëherë nuk e doja këtë. Doja të isha me vajzat e mia. Nuk ndjeva asgjë për shtatë apo tetë muaj, isha i vdekur mendërisht, nuk më interesonte nëse fitonim apo humbisnim.

Tingëllon si fatalitet…

Jo aspak. Personalisht kam qenë dhe jam super i lumtur. Kështu ishte vetëm me futbollin, trupi im nuk ishte më gati për sport të klasit të lartë.

Dhe çfarë bëni gjatë gjithë ditës tani pas daljes në “pension”?

Shkoj në CrossFit në shtatë të mëngjesit. Si futbollist e kisha të vështirë të ngrihesha në nëntë, por tani si person privat është papritur e mundur… Tani jam ekspert në studio dhe bashkëkomentues për kanalin televiziv me pagesë Dazn në Itali. Kjo do të thotë që duhet të jem i përditësuar. Shikoj tri ose katër ndeshje në ditë, lexoj, marr informacion. Dhe befas ndjej se ju gazetarët e keni një punë vërtet të vështirë (qesh)…

Petkoviç ju tha më 2018 se e planifikonte Ligën e Kombeve me lojtarë të rinj. Ju u ndjetë i flakur…

Ishte një tradhti 100%, asgjë tjetër. Ai nuk donte të thërriste më as Stephan Lichtsteiner, me siguri. Kjo shkaktoi shumë zhurmë me mua dhe Steph rezistoi shumë, ai nuk e bëri këtë.

Nuk keni pasur kurrë më kontakt me Petkoviçin?

Sigurisht që jo. Definitivisht jo. Unë dua të kem në jetën time vetëm njerëz që janë të mirë. Unë i besova dhe ai më tradhtoi. Kjo dhemb shumë. Nuk kam më nevojë për të dhe nuk dua të bisedoj më me të.

Shumë gjëra ndodhën në Kupën e Botës 2018 në Rusi. Ka pasur një përleshje në hotel mes jush dhe trajnerit pas barazimit 1-1 ndaj Brazilit, në ndeshjen e parë. Një luftë fizike?

Pothuajse. Unë qëndrova kokë më kokë me sekretarin e përgjithshëm të atëhershëm dhe u munduam t’i qetësonim gjërat.

Çfarë ndodhi atëherë?

Të gjithë ishin të lumtur pas lojës së mrekullueshme, të gjitha familjet e lojtarëve në hotel. Po kështu Lara dhe prindërit e mi. Ne hëngrëm së bashku, gruaja ime dhe prindërit e mi u ulën në tryezë. Ai më akuzoi se nuk tregova respekt, madje as e përshëndeta. Më pas sulmuam njëri-tjetrin. Të akuzonte familjen time për mungesë respekti më goditi fort, sepse ata u sollën si gjithë të tjerët. Pikërisht, asnjë nga lojtarët me dyshtetësi nuk ka dashur të luajë për Zvicrën pas kësaj. Ata kurrë nuk donin të vraponin përsëri.

Të gjithë? Edhe Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri?

Sa i përket Shaqirit, nuk më kujtohet saktësisht. Por të gjithë të tjerët, po. U ngrita në këmbë për kolegët e mi, por sigurisht bëra më shumë armiq gjatë procesit.

Para kësaj, rasti i shqiponjës së Xhakës dhe Shaqirit në ndeshjen ndaj Serbisë bëri bujë…

Unë ende e urrej këtë temë, edhe sot e kësaj dite. Është futboll, jo politikë. Ky gjest nuk ka vend në fushën e futbollit, ishte marrëzi. Ne nuk po luajmë në luftë. Në Kosovë më akuzuan se nuk mora pjesë në atë mënyrë festimi. Lojtarët serbë janë miqtë e mi, ata kanë lindur pas luftës. Kjo është arsyeja pse ata thjesht duhet të luajnë futboll në Botëror dhe të injorojnë gjithçka tjetër.

A jeni prekur nga lufta?

Ika nga vendlindja në Ticino kur isha katër vjeç e gjysmë. Kam qarë çdo natë për dy muaj. Më kishte marrë malli për gjyshërit, bënte shumë ftohtë, nuk më pëlqente ushqimi, shkuam në hotelin e pritjes së refugjatëve.

Si keni ardhur në Zvicër?

Udhëtuam me autobusin e fundit nga Kosova, kur kuptuam se nuk kishte të ardhme. Menjëherë pas kësaj filloi lufta. Na u dogj shtëpia, humbëm miq dhe të afërm, një dajë ishte në burg. Secili prej nesh ka historinë tonë. Halla ime dhe një dajë tjetër u fshehën dhe më pas u gjetën. Ajo që ndodhi është kjo: të gjitha gratë u rreshtuan në njërën anë. Të gjithë burrat në anën tjetër. Dhe tezja ime më pas duhej të shikonte sesi burri i saj dhe të gjithë të tjerët u qëlluan. Çmenduri. Gjëja më e keqe ishte pasiguria.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj