Ka një sektor ku është bërë një progres në futboll, në atë të vajzave, ku janë shtuar lojtaret dhe ka pasur rezultate në progres. Sipas raportit “UEFA Grow Market Research”, i realizuar nga UEFA dhe Nielsen, interesi për futbollin e vajzave është katërfishuar krahasuar me vitin 2016, duke dëshmuar progresin e vazhdueshëm të këtij sporti në vend. Studimi tregon se interesi për futbollin e vajzave është rritur nga 3% në vitin 2016 në 12% aktualisht.
Ndryshe nga trendi europian, ku interesi vjen kryesisht nga meshkujt, në Shqipëri janë vetë vajzat dhe gratë që e ndjekin më shumë futbollin e vajzave, me 17% interes krahasuar me 8% te meshkujt. Raporti evidenton gjithashtu se 46% e shqiptarëve shprehin interes për futbollin e vajzave, ndërsa një në pesë persona identifikohet si tifoz i këtij sporti, duke e vendosur Shqipërinë në nivele të ngjashme me mesataren europiane. Perceptimi ndaj futbollit të vajzave mbetet pozitiv. Sipas të anketuarve, 74% e shqiptarëve besojnë se zhvillimi i futbollit të vajzave përfaqëson një zhvillim pozitiv shoqëror, ndërsa 59% mendojnë se ai ofron modele pozitive për brezin e ri. Gjetjet e raportit tregojnë se shqiptarët e konsiderojnë përmirësimin e imazhit të futbollit të vajzave si prioritetin kryesor për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti, ndërsa investimet në bazë dhe te moshat e reja renditen si faktori i dytë më i rëndësishëm. Për tifozët e futbollit të vajzave, motivimi kryesor për ta ndjekur këtë sport lidhet me kohën cilësore të kaluar me familjen dhe miqtë, emocionet që ofron loja dhe atmosfera e ndeshjeve.
Nga ana tjetër, raporti identifikon edhe sfidat që mbeten përpara. Mungesa e njohjes së futbollisteve, mbulimi i kufizuar mediatik dhe atmosfera rreth ndeshjeve renditen ndër arsyet kryesore që pengojnë një pjesë të tifozëve të ndjekin më shumë futbollin e vajzave.







































