Google search engine
Home Politike Kufiri detar, Kapiteni i rangut të parë Meçollari: Ja pse Greqia nuk...

Kufiri detar, Kapiteni i rangut të parë Meçollari: Ja pse Greqia nuk mund të shtrihet përtej vijës delimituese të dy shteteve tona me 12 milje dhe kushti i panegociueshëm që pala shqiptare duhet të vendosë në Hagë

0
146

Teksa dy qeveritë, ajo shqiptare dhe ajo greke vendosën ta dërgojnë çështjen e ndarjes së kufirit detar Shqipëri-Greqi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandanti i Forcave Detare u shpreh se ky vendim lidhet drejtpërdrejt me delimitimin e hapësirave detare midis dy shteteve. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Kapiteni i rangut të parë Meçollari zbulon arsyet se përse Greqia nuk mund të shtrihet përtej vijës delimituese të dy shteteve tona me 12 milje, ndërsa thekson se çfarë duhet të kërkojë pala shqiptare në Hagë.

-Zoti Meçollari, ju keni qenë Komandanti në detyrë i Forcës Detare, ish-anëtar i Grupit Negociator 2018 dhe ndërkohë jeni një ndër njohësit më të mirë të artit ushtarak sa i takon flotës detare dhe jovetëm. Kështu që nuk po humb kohë dhe po nis me pyetjen e parë. Komandant këtë javë, ministri i Jashtëm i Greqisë, Niko Dendias ka deklaruar se zgjerimi me 12 milje detare ne detin Jon është bërë. Sipas shefit të diplomacisë helene, zgjerimi është bërë në mënyrë të njëanshme tashmë, sepse është e drejta palës greke. Madje, ai theksoi se kjo është bërë me mirëkuptim të plotë me Shqipërinë, ndërkohë që kërkoi dakordësi nga Tirana zyrtare dhe se kur do t’i referohet gjatë kohës që Athina do të referojë dallimet e saj Hagë. Keni një koment, pasi ka në kakofoni dhe interpretime të ndryshme sa i takon kësaj deklarate të lëshuar nga ministri Dendias?

Zgjerimi i gjerësisë së detit territoriale të një shteti bregdetar është e drejtë ekskluzive e shtetit bregdetar, kjo referuar nenit 3 dhe 4 të Konventës së Detit. Ndërsa delimitimi i hapësirave detare është me marrëveshje referuar nenit 15 të Konventës. Pra jemi në kushtet ku çdo shtet bregdetar ashtu edhe Shqipëria, ka deklaruar gjerësinë e detit territorial, sipas ligjit në mënyrë të njëanshme. Edhe Shqipëria në këtë rast e ka deklaruar këtë. Por kjo mund të kontestohet nga çdo shtet bregdetar, në qoftë se shkelen 2 kushtet e Konventës. E para në qoftë se vija e drejtë bazë është ndërtuar në kundërshtim me këtë të drejtë ndërkombëtare dhe e dyta në qoftë se gjerësia detit territorial është mbi 12 milje e shpallur. Rasti është konkret, në vitin 1989 SHBA kanë bërë një Notë proteste kundër Shqipërisë për këtë çështje, ku kanë thënë se vija juaj e drejtë bazë nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare në detin Adriatik dhe gjerësia e detit territorial ishte shpallur 15 milje dhe shkonte përtej autorizimit që bën Konventa. Neve e ndryshuam në vitet ’90 gjerësinë e detit territorial në 12 milje, por e lamë të pandryshuar të drejtën bazë. Lidhur me dakordësinë me palën shqiptare, unë besoj është për konsum politik.  Për aq kohë sa gjerësia e detit territorial është një e drejtë e shtetit bregdetar, nuk ka asnjë arsye ti kërkosh dakordësi ndonjë shteti tjetër.  Deklaratat e Kryeministrit Rama nuk kanë asnjë efekt në këtë vendim të palës greke, sepse ai nuk ka bërë deklarime për metodologjinë e ndërtimit të saj, por vetëm shpalljen si një e drejtë e njëanëshme e Greqisë… Nga pikëpamje procedurale gjerësia e detit territorial nuk ndikon në vijën delemituese të dy shteteve, sepse kur ndarja është e barabartë, nënkupton se nuk ka rëndësi sa pretendon ti apo sa pretendoj unë. Rëndësi ka që deti të ndahet në mënyrë të barabartë. Pra jemi në kushtet që gjerësia e detit territorial kur shpallet nuk merr det territorial nga vendi fqinj, por nga deti ndërkombëtar, të cilën e bën për vete. Në rastin konkret Greqia, nga 6 milje e ka shpallur 12 milje zgjerimin në det dhe këtu ka futur det ndërkombëtar, brenda atij territorial, ku këtu është zona ekonomik dhe shellfi kontinental që ka në gjithë Jonin dhe Mesdheun Qendror. Kështu që ajo nuk është zgjeruar në anën shqiptare, por shellfin kontinental të saj në Mesdheun Qendror e ka futur në detin territorial. Me ne ndarja do jetë 12 milje nga të dyja brigjet dhe se Greqia nuk mund të shtrihet përtej vijës delimituese të dy shteteve tona.

-Dakord, por nëse kjo është e qartë, përse gjithë ky keqkuptim, këtu e kam sa i takon shqetësimit të qytetarëve?

Shiko, shqetësimin e qytetarëve e konsideroj të ligjshëm. Natyrisht, ata kanë të drejtë të shqetësohen për fatin e vendit të tyre. Historia e Shqipërisë së 100 viteve të fundit, por edhe marrëveshja detare me Greqinë e vitit 2009, e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, na mëson se duhet të jemi vigjilentë, profesionistë dhe të orientuar nga interesi kombëtar. Po më lejoni të kthehem tek pyetja juaj. UNCLOS 1982 është një kuadër ligjor ndërkombëtar kompleks dhe tepër voluminoz. Ai është i shkruar në formë narrative, por kur trajtohen çështjet e përcaktimit të hapësirave detare (me shpallje apo delimitim) në mënyrë të njëanshme, me marrëveshje apo vendim gjykate, ato kthehen në vija imagjinare në det, shpesh të kërkuara edhe me koordinata gjeografike. Njohja dhe zbatimi i kësaj konvente nuk është thjesht një çështje juridike, por kërkon edhe njohuri e kulturë detare. Gjeometria e hapësirave detare është komplekse. Hapësirat detare në shumë raste, edhe pse përfaqësojnë regjime juridike të ndryshme, mbivendosen nga pikëpamja gjeografike në një hapësirë tredimensionale. Të gjitha hapësirat detare të shtetit bregdetar maten ose delimitohen nga vija bazë, e cila ka një ndikimin thelbësor. Interpretimi me pragmatizëm i dispozitave të UNCLOS 1982 për vijën e drejtë bazë sjell përfitime për shtetin bregdetar. Paradoksalisht, në janar të vitit 2008, në mes të negociatave, u shfuqizua ligji nr. 8771 “Për kufirin shtetëror në RSH” dhe rrjedhimisht, edhe vija e drejtë bazë e Shqipërisë. Shqipëria me vullnetin e saj ndryshoi rregullat në mes të lojës, duke shkaktuar dëme të ndjeshme për Shqipërinë në marrëveshjen e vitit 2009. Vija e drejtë bazë e Shqipërisë, ndërtuar në vitin 1970, modifikuar në vitin 1976 dhe depozituar në OKB në vitin 1990, është një nga produktet shkencore më të arrira të specialistëve detarë dhe juristë në Shqipëri. Më poshtë kam prezantuar në skemë ilustruese, e cila nuk duhet të konsiderohet si hartë për qëllime delimitimi. Nëse do të supozonim se zgjerimi i gjerësisë së detit territorial shtrihet përtej vijës delimituese, këtë e shpjegon skema e mëposhtme. Skema tregon se si do të shtrihet deti territorial i Greqisë (12 milje detare) duke nisur në mes të gjirit të Borshit dhe duke përfshirë të gjithë Rrethin e Sarandës. Kurse Shqipëria do të shtrihej (12 milje detare) duke përfshirë pothuajse pjesën më të madhe të pjesës veriore të ishullit të Korfuzit. Kjo skemë provon se në asnjë rast, zgjerimi i detit territorial, i shpallur nga shteti bregdetar në mënyrë të njëanshme, nuk mund të shtrihet përtej vijës delimituese të detit territorial. Për aq kohë sa specialistët nuk janë të qartë vetë në ndikimin e gjerësisë së detit territorial në përcaktimin e vijës delimituese, do të ketë konfuzion midis njerëzve.  Gjerësia e detit territorial përcakton kufirin e jashtëm të detit territorial dhe nuk ka ndikim në vijën delimituesemidis shteteve.  Kufiri i jashtëm i detit territorial është një vijë imagjinare që kufizon detin territorial me detin ndërkombëtar.

-Grupi i mëparshëm negociator pretendon se gjatë negociatave kishin marrë në konsideratë gjerësinë e detit territorial të Greqisë 6 milje detare. Si është e vërteta?

Siç e shpjegova më sipër, gjerësia e detit territorial nuk ndikon në përcaktimin e vijës delimituese të deteve territoriale midis dy shteteve. Kjo, pasi vija delimituese është vijë me distanca të barabarta nga brigjet respektive, e modifikuar për rrethana të veçanta ose tituj historikë sipas rastit. Detet territoriale delimitohen deri në distancën 12 milje detare nga brigjet e të dy shteteve, pavarësisht gjerësisë së shpallur të deteve territoriale. Kjo është e shprehur në UNCLOS 982, por dhe në praktikën ndërkombëtare, me qëllim për t’iu lejuar shteteve të ndryshojnë gjerësinë e detit territorial sipas vullnetit, pa cenuar marrëveshjet e arritura. Në vitin 2009, vija delimituese midis Shqipërisë dhe Greqisë e detit territorial u përcaktua deri në distancën 12 milje detare nga dy bregdetet, që i korrespondonte pikës 139 të vijës së marrëveshjes. Kur u hartua ajo marrëveshje, Greqia kishte shpallur gjerësinë e detit territorial 6 milje detare dhe Shqipëria zero milje detare. Pavarësisht metodologjisë së përdorur, me këtë raport të gjerësive të deteve territoriale u përcaktua vijë delimituese, e pandikuar nga këto gjerësi.

-Komandat ju falënderoj dhe si gjithmonë jeni shterues. Por një pyetje është thelbësore dhe interes të veçantë për publikun shqiptar. A do të jetë një marrëveshje e re me Greqinë më e mirë?

Përgjigjja e thjeshtë është PO. Këtë e ka përcaktuar vendimi i GJK që rrëzoi projekt-marrëveshjen e vitit 2009. Marrëveshja e vitit 2009 u bë në kushtet kur në vitin 2008 ishte shfuqizuar vija e drejtë bazë e Shqipërisë dhe e gjithë vija delimituese (detit terrirorial dhe shellfit kontinental/ZEE) u ndërtua me parimin e barazlargësisë nga bregdeti. Vendimi i GJK shprehet se deti territorial duhet të delimitohet sipas parimit të vijës me distance të barabartë nga pikat më të afërta në të dy brigjet, të modifikuar për rrethana të veçanta (shkëmbinjtë) dhe shellfi kontinental/ZEE sipas një ndarje të drejtë (ishujt jo peshë të plotë). Zbatimi i këtyre dy parimeve do të sjelli rezultate pozitive. Po ashtu një përfitim i konsiderueshëm do të vijë si rezultat i aplikimit të vijës së drejtë bazë (vija e drejtë nga Gjiri i Gramës, Gjiri i Panormës, Kepi i Qefalit dhe Kepi i Sarandës/Martesës) kthyer në fuqi në vitin 2012. Marrëveshja e vitit 2009, për shkak të parimeve të aplikuara, ishte me e keqja e mundshme. Vija e saj delimituese nuk ka më mundësi të shtyhet në drejtim të bregdetit shqiptar. Çdo marrëveshje tjetër, e bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sidomos vendimin e GJK,  do te jetë e drejtë dhe më e favorshme për Shqipërinë..

-Ndërkohë çështja e kufirit detar ka shkuar në Gjykatën e Hagës, mund të na bësh një parashikim çfarë mund të ndodhë atje dhe çfarë kërkojnë dy vendet (Greqia dhe Shqipëria)?

Në gjykatë palët shkojnë me një marrëveshje të veçantë, ku i shtrojnë Gjykatës çështjet për gjykim.  Por Shqipëria ka patur negociata me Greqinë në vitin 2018, dhe gjetë këtyre negociatave ka patur dakordësi, ku më të rëndësishmet janë draft-teksti i marrëvshjes dhe Greqia ka njohur vijën e drejtë bazë të Shqipërisë. Në gjykatën ndërkombëtare të Hagës, pala shqiptare dhe ajo greke do të çojnë atë që nuk është rënë dakord në marrëveshjen për çështjen e detit në vitin 2018. Pra ne duhet të vendosim këtë kusht, që në Hagë të trajtojmë këto çështjet për të cilat nuk është gjetur dakordësi në vitin 2018.  Greqia ka interes ta përfshij vijën e drejtë bazë të Shqipërisë në gjykimin e Gjykatës së Hagës, pasi ajo ka një efekt rreth 40 km2 territor detar në favor të Shqipërisë.  Por, duke mospatur më mekanizma individual ta kontestoj atë, për shkak të parashkrimeve kohore, synon ta arrij në Hagë.  Vija jonë e drejtë bazë, e kontestuar dhe nga SHBA, ka dobësi qeë mund të shfuqizohet në Hagë.  Pra, Shqipëria duhet të shmangi me çdo kusht përfshirjen në Marrëveshjen e Veçantë për gjykim në Hagë, çfarë është dakordësuar në negociatat e vitit 2018, sidomos vijën e drejtë bazë. Por, liderët politikë shqiptar për këtë çështje duhet të jenë objektiv dhe të orientuar nga interesat kombëtare, duke lënë mënjanë trajtimet për konsum politik të brendshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here