Ndikimi i Rusisë në Ballkan vazhdon të shqetësojë partnerët ndërkombëtarë. Ekspertë të ndryshëm janë shprehur se siguria e Ballkanit Perëndimor cenohet nga Moska sepse kjo e fundit po tenton të destabilizojë rajonin, duke përfshirë edhe Kosovën, me qëllim që të shtrijë ndikimin e saj, por edhe të pengojë integrimin në Bashkimin Evropian të këtyre vendeve.“Shashka” e fundit ka ardhur ditën e djeshme nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili ka krahasuar masakrën e Buchës të kryer nga ushtria ruse në Ukrainë, me masakrën e Reçakut. Sipas Lavrovit, të dyja janë të inskenuara. Në një artikull të publikuar ditën e djeshme në gazetën “Izvestia”, Lavrov tha se regjimi ukrainas po realizon “inskenime gjaku për të demonizuar Rusinë në sytë e komunitetit ndërkombëtar”. Në vijim të shkrimit të tij, Lavrov përmendi rastin e masakrës së Reçakut, të kryer nga regjimi shovinist i Sllobodan Millosheviçit në Kosovë. Lavrov pretendon se masakra e Reçakut nuk ekziston. “Një grup inspektorësh të OSBE-së mbërrin në vendin e zbulimit të disa dhjetëra kufomave të veshur si civilë. Kreu i misionit menjëherë, pa asnjë hetim, bëri të ditur se bëhet fjalë për gjenocid, megjithëse nuk është mandat i një zyrtari ndërkombëtar të bëjë konkluzione të tilla”, shkroi Lavrov. “NATO filloi menjëherë një agresion të armatosur kundër Jugosllavisë, duke shkatërruar qëllimisht urat, trenat e pasagjerëve dhe objekte të tjera civile. Më vonë, sigurisht rezultoi se të vrarët nuk ishin civilë, por militantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të maskuar në rroba civile”, vazhdoi Lavrovi të fyejë paturpësisht viktimat shqiptare. Lavrov, më tej shkroi se “qëllimi i agresionit ishte ndarja me forcë e Kosovës nga Serbia dhe krijimi atje i bazës më të madhe ushtarake amerikane në Ballkan, Bondsteelit”. Masakrat e tmerrshme në Kosovë Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë. Në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar. Ambasadori William Wolker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit. Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës. “Besoj sinqerisht, se incidenti i Reçakut, për arsye të ndryshme ka çuar në ndërhyrjen e NATO-s, lirinë dhe pavarësinë. Ka pasur faktorë të ndryshëm në atë që ka ndodhur, por pas disa viteve të informatave dhe dëshmisë që Sllobodan Millosheviç po trajtonte popullatën shqiptare në mënyrë barbare është mundësuar ndërhyrja e NATO-s, pati thënë Ëalker. Më 26 mars, dy fshatrat Krushë e Madhe dhe e Vogël u gjendën nën rrethimin e hekurt të forcave ushtarake dhe paramilitare serbe. Këta të fundit vranë e dogjën 221 banorë, 64 prej të cilëve ende nuk u janë gjetur trupat. Pjesa më e madhe e të masakruarve ishin burra e djem të rinj. Nga kjo ngjarje makabre kanë mbetur 500 fëmijë jetimë e shumë gra të veja. Dy ditë pas gjenocidit në Krushë, forcat serbe vranë dhe masakruan mizorisht 147 veta në Izbicë. Masakra e Izbicës zë vend edhe në raportin e Departamentin të SHBA-së. Atë kohë u publikuan edhe fotografitë e bëra nga sateliti, në të cilat qartë shihen 147 varrezat e reja në Izbicë. Pas masakrës, kufomat e të vrarëve, i varrosen fshataret e kësaj ane në fshatin Izbicë, mirëpo, forcat serbe, i zhvarrosin kufomat e të pushkatuarve, duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi. Më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan “Reken e Keqe” dhe “Lugun e Carragojës” në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës, gjatë viteve 1998-1999. Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës. Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.






































