Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës sjell tre balete në dy mbrëmje

0
219

Tre balete do të jenë në dy mbrëmje, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Trupat artistike të Shqipërisë dhe Kosovës do të jenë për publikun, me tre shfaqje. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës sjell 3 baletet “Humus”, “Tanzminiaturen” dhe “Tangata”, në mbrëmjet e datave 29 dhe 30 qershor. Me koreografi nga Ricardo Fernando, “Tanzminiaturen” me muzikë të J. S. Bach ka lëvizje neoklasike dhe “Tangata” me muzikë nga Astor Piazzolla, karakterizohet me lëvizje me elemente të modernizuara të tangos. Ndërsa nga trupa e baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vjen shfaqja “Humus”, një himn për ekzistencën e natyrës dhe dashurisë për tokën nga koreografi Julind Dervishi. Këto tre balete, që vijnë në dy net në skenën e TKOB janë shfaqur dhe më parë për publikun. Baletet “Tanzminiaturen” dhe “Tangata” janë shfaqur në skenën e Kosovës, po ashtu edhe baleti “Humus” në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. “Tangata” është me muzikë nga Astor Piazzolla, që konsiderohet si një nga kompozitorët më të mëdhenj të shekullit XX. Punimet e tij interpretohen nga orkestra të mëdha dhe muzikantë të njohur klasikë, si dhe interpretues të shumtë të xhazit. Muzikanti pasionant argjentinas ka treguar përmes punës së tij se tango mund të jetë një shprehje e përjetshme e shpirtit njerëzor. “Tanzminiaturen” është me muzikë nga Johann Sebastian Bach, kompozitor gjerman i muzikës barok.

“Humus” në skenë

Baleti “Humus” shënoni më parë premierën në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Pjesa me koreografi nga Julind Dervishi erdhi në skenë në TKOB në kuadër të projektit “Artistët e së ardhmes”. Nën rrymën e lakmisë dhe të paditurisë, në vend që të mbanim gjallë natyrën, ngadalë i sollëm shkatërrimin. Në fakt qëllimi i njerëzimit duhet të ishte “ushqimi” i saj, për ta bërë të frytshme. Këtë mesazh do të përcjellë, koreografi Julind Dervishi përmes krijimtarisë së tij koreografike, në një vepër ku balerinët e trupës së baletit e dëshmojnë përmes lëvizjeve të trupit. Ka një sërë dimensionesh që trajtohen në këtë shfaqje me titull “Humus”, ku jo vetëm ekziston hapësira për argëtim, por mbi të gjitha do të ndërgjegjësohemi për ti hedhur sytë nga e ardhmja, e për të kontribuuar shëndetshëm në favor të natyrës. Më herët koreografi Julind Dervishi u shpreh se me këtë pjesë konteporane kishte dëshirë që të sensibilizonte publikun tonë, ku duke dashur natyrën dhe të mirën e saj, vendosi të krijonte një pjesë për njerëzit. “Për dashurinë që duhet ti kushtojmë kësaj bote, pasi këtë tokë kemi”, tha ai. Këto tre balete që do të jenë së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për publikun, janë në vijim të aktivitetit artistik që po zhvillohet këtë sezon. Nuk kanë munguar në skenë më parë edhe balete, që janë sjellë në kuadër të javëve ndërkombëtare të kulturës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here