PS “nxë mend” nga Meta, presidenti i ri Begaj nuk do të japë më shumë sesa 23 dekorata në vit, zbardhet projektligji i qeverisë

0
169

Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj nuk do të japë më shumë se sa 23 dekorata në vit pa miratimin e një organi të ri kompetent, që do të jetë Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve. Kështu parashikon projekti për ligjin e ri për dekoratat në Shqipëri. Nisma ligjore është hartuar nga qeveria pas një historie të paprecedentë abuzimi me dekoratat nga Presidenti në ikje, Ilir Meta, i cili nuk ka lënë pa dekoruar as restorantet e mishit dhe qofteret me titullin “Mjeshtër i Madh”, ndërkohë që shumë qytetarë i shpalli “Nderi i Kombit”. Gjatë mandatit 5-vjeçar si President, Ilir Meta ka dhënë rreth 700 dekorata, mbi dyfishin e pasardhësve të tij, duke nderuar nga personazhe të dyshimtë deri tek restorantet me mish gici. Në këto rrethana, qeveria ka vendosur që të kufizojë me ligj numrin e dekoratave që do të jepen nga Presidenti i Republikës brenda një viti. Konkretisht, Presidenti nuk mund dekorojë çdo vit pa propozim paraprak të autoriteteve përkatëse, më shumë se sa 10 % të numrit të përgjithshëm të dekoratave të të gjitha kategorive që mund të jepen brenda vitit. Numri maksimal i dekoratave të të gjitha llojeve që mund të jepen brenda një viti nga të gjitha autoritetet është rreth 230. Kështu që presidenti mund të japë deri në 23 dekorata në viti, në një kohë kur presidenti aktual Ilir Meta ka dhënë rreth 150 në vit. Dekoratat që do të japë presidenti mbi këtë numër, kushtëzohen me dhënien e miratimit nga Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, e cila do të ngrihet me urdhër të kryeministrit. “Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Urdhrit, mund të dekorojë kryesisht, çdo vit, pa propozim paraprak të autoriteteve përkatëse, deri në 10% të numrit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni; Dekorimet e shtetasve të huaj për shkak të funksionit dhe dekorimet kryesisht, sipas pikës 3 të këtij neni, nuk përfshihen në numrin vjetor të dekoratave që mund të jepen sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni. Në çdo rast, dekorimet e shtetasve të huaj për shkak të funksionit dhe dekorimet kryesisht i njoftohen Kancelarisë jo më vonë se 30 ditë nga data e dhënies së dekoratës; Numri vjetor i medaljeve është i pakufizuar”, thuhet në nenin 22 të projektligjit të qeverisë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Ja rastet kur parashikohet heqja e dekoratave

Ndërkohë, në ligjin e ri janë parashikuar edhe kushtet kur një personazhi të dekoruar mund t’i hiqet dekorata. Dekorata parashikohet të hiqet në dy rrethana; kur mbajtësi i dekoratës dënohet me vendim gjykate të formës së prerë dhe kur shpallet person i padëshiruar në Shqipëri, pra për shtetasit e huaj. Dekoratat në Shqipëri jepen nga me dekret të presidentit, me urdhër të kryeministrit, me urdhër të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Mbrojtjes. “Heqja e dekoratave bëhet: me vendim të formës së prerë të dhënë nga gjykatat shqiptare, kur është dhënë si dënim plotësues sipas përcaktimeve në Kodin Penal; me vendim të autoritetit përgjegjës për dhënien e dekoratës, kur mbajtësi i saj: i) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, ose  ii) është shpallur “person i padëshiruar”, sipas përcaktimeve të legjislacionit që rregullon regjimin e hyrjes e të qëndrimit të të huajve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në nenin 23 të projektligjit të qeverisë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here