Pas vizitës së krerëve të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilët vizituan të premten që shkoi Tiranën, kryeministri Edi Rama dhe ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka pas vetes mbi 35 deputetët, pritet të shkojnë drejt një marrëveshje mes tyre. Më konkretisht, Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried dhe zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit dhe i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar zhvilluan takime veçmas me kryeministrin Rama dhe deputetët pro Bashës. Por kjo vizitë blic në vendin tonë, ka ardhur në një kohë teksa gjatë këtij muaji Kuvendi i Shqipërisë do të zgjedhje presidentin e ri dhe Avokatin e ri të Popullit. Dhe si duket ata kanë kërkuar bashkëpunim mes mazhorancë dhe demokratëve që janë kundër Sali Berishës, sa i takon çështjeve të sipërpërmendura, duke bërë që dje të jepen sinjalet e para se Rama dhe Basha do të shkojnë drejt një marrëveshje mes tyre. Mësohet se ata do të shkojnë drejt paktit, nëse do të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe duke emëruar kështu në krye të institucionit të presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
Rama flet për presidentin
Ka qenë vetë kryeministri i cili ka deklaruar se PS mirëpret kandidaturat e propozuar nga PD e Bashës, duke u tërhequr në këtë mënyrë nga presidenti socialist. “Ne nuk jemi ulur në tryezë me paragjykime. Ne do të gjykojmë mbi emra dhe nuk do paragjykojmë se nga vijnë propozimet, përderisa jemi ulur në një tryezë me palë të tjera që nuk janë në të njëjtën vijë fronti me ne, por janë përballë nesh në arenën politike. Ndërkohë që, në ketë çështje jemi në një tryezë kështu që nuk kemi pse japim përqindje. Nëse do vijë një kandidaturë e pëlqyeshme nga ata, do ketë 100% miratimin tonë. Nëse nuk do ketë një kandidaturë të pëlqyeshme, ne do bëjmë propozimet tona. Nëse atyre do u pëlqejë një propozim i yni, do kemi edhe ne 100% apo X % mbështetjen e tyre. Nëse jo, në fund fare, falë ndryshimeve kushtetuese të domosdoshme që u bënë në 2008 dhe që po provohen gjithmonë e më të vlefshme për ecurinë e mëtejshme të vendit, janë më shumë se 71 vota në Parlament dhe Shqipëria do ketë një president normal”, deklaroi Rama.
Mblidhet Konferenca e Kryetarëve
Konferenca e Kryetarëve të Parlamentit të Shqipërisë vendosi ditën e djeshme që procedurat ligjore për zgjedhjen e presidentit të nisin në datën 10 maj, dhe jo 4 maj siç ishte planifikuar fillimisht. Në emër të mazhorancës, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mirëpriti kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajt dhe kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu për shtyrjen me 6 ditë të fillimit të procedurës ligjore për grumbullimin, përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, sigurimit të dokumentacionit të përshtatshëm dhe përcaktimit të datës së raundit të parë të zgjedhjes së kryetarit të ri të shtetit shqiptar. Njëkohësisht, eksponenti socialist propozoi që në orën 16:00 të datës 15 maj të depozitohen të gjitha emrat e kandidatëve për pasuesin e Ilir Metës në krye të Presidencës, ndërsa një ditë më pas në orën 10:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar kandidatët dhe pasdite të zhvillohet seanca e parë për çështjen kryesore të kohëve të fundit të politikës në Shqipëri. “Nëse ju do insistoni deri në fund se doni më shumë kohë dhe doni datën 10, atëherë konferenca e kryetarëve të ndërpresë punimet dhe të vazhdojë mbledhja në datën 10, në datën 16 të mbahet raundi i parë i votimit. Të lëmë afat deri në datë 15, në orën 16:00, të jenë depozituar emrat dhe në datën 16 paradite, ora 10:00, të mblidhet Komisioni i Ligjeve për shqyrtim dhe të shkojmë në seancë plenare pasdite”, u shpreh Taulant Balla dje në Konferencën e Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit.









































