Partizani fitore europiane në Kukës, shkëlqen Junior, tifozët pushtojnë fushën dhe krijojnë ankth

0
218

Partizani ka korrur dje një fitore me aromë europiane në Kukës, duke mundur verilindorët brenda në fushën e tyre me rezultatin 2-1. Ishte një ndeshje thuajse vendimtare, pasi përbënte një duel direkt për vendin e tretë. Para këtij takimi të dyja skuadrat kishin nga 46 pikë, kurse me fitoren e djeshme të kuqtë kryeqytetas morën tri pikë përcaktuese dhe shkojnë në 49 pikë, duke “blinduar” vendin e tretë në renditje. Por fitorja e djeshme shkaktoi jo pa ankth në stadiumin verilindor, pasi në fund të takimit tifozët vendas pushtojnë masivisht fushën, por fatmirësisht pa dëme për lojtarët dhe stafin e Partizanit.

Ndeshja

Partizani ishte i vendosur ta fitonte ndeshjen dje dhe në fushë shkëlqeu Stenio Junior, i cili i dha shenjat që në minutën e 3-të kur goditi transversalen. Pak minuta më pas Taipi nxjerr në pozicion të volitshëm Skukën, por djaloshi i kuq nuk i dha forcë të mjaftueshme topit për ta shtyrë në rrjetë. Gjithsesi, dominimi i të kuqve u shpërblye në minutën e 26-të kur këtë herë Stenio Junior mposhti Xhikën në një goditje me kokë pas harkimit të Carës. Sulmuesi i të kuqve hyri në histori si lojtari i parë që shënon gol në impiantin e ri, “Kukës Arena”. Një tjetër shtyllë më pas vjen nga Skuka, duke bërë që Partizani të ishte dominues absolut i takimit. Por, festa e dytë për kryeqytetasit ishte rezervuar për minutën e 40-të teksa këtë herë Skuka shërbeu në zonë për Stenio Junior dhe braziliani nuk fali por dyfishoi shifrat. Pjesa e dytë nis më mirë për Kukësin, ku në të 50’ ishte Basa që goditi shtyllën, e në të 52’ ishte Milutinoviç që ngushtoi shifrat në 1-2. Pas një dominimi të lehtë të Kukësit, pas minutës së 70-të ishte sërish Partizani më krijues në fushë, por pa mundur të shënojë. Megjithatë, të kuqtë e ruajtën avantazhin dhe e fituan ndeshjen 2-1. Në fund të takimit, dy lojtarë dielën me karton të kuq, Maguete i Partizanit dhe De Lukas i Kukësit. Një fitore mjaft e rëndësishme e Partizanit, i cili është tani afër një objektivi të madh, atë të pjesëmarrjes në UEFA Conference League.

Sjellja e tifozëve e papranueshme, do të ketë ndëshkim për Kukësin

Sjellja e tifozëve të Kukësit në përfundim të ndeshjes me Partizanin ishte e rëndë. Nëse në fund të ndeshjes me Laçin, me rastin e përurimit të stadiumit të ri, hyrja e tifozëve në fushë e gjelbër u mirëkuptua nga fakti që bëhej fjalë për një ditë feste, thyerja e kordonit të sigurisë ditën e djeshme në përfundim të takimit nuk mund të anashkalohet nga komisionet juridike. Fatmirësisht, nuk pati përplasje me lojtarët e Partizanit, që ishin grumbulluar pranë sektorit ku ishin akomoduar ata mbështetës të paktë të kuq që kishin udhëtuar drejt Kukësit. Në fund futbollistët dhe stafi i Partizanit u futën të pacenuar në dhomat zhveshjes, por sigurisht të trembur pak në momentin kur tifozët u dyndën në fushë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here