Policia e Shtetit ka publikuar ditën e djeshme listën me 5 personazhet më të kërkuar të vendit tonë. Në njoftimin e saj Policia shkruan se në tre mujorin e parë të 2022, janë arrestuar disa persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilët janë shpallur në kërkim nga autoritetet e vendit tonë dhe Interpoli. “Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kryesisht të atyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Falë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, por edhe me qytetarët, gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 janë kapur dhjetëra persona në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, për vepra të ndryshme”, njofton Policia. Në listën e publikuar, personazhi që kryeson listën është Talo Çela, një emër shumë i lakuar edhe kohët e fundit në media pas atentatit ndaj Nuredin Dumanit në Elbasan. Emrat e tjerë janë Laert Haxhiu, Jani Alia, Ibrahim Lici dhe Erjon Llapushi, për të cilët ofrohen shuma të konsiderueshme parash për dhënien e informacionit që çon në arrestimin e tyre. “Policia e Shtetit kërkon sërish bashkëpunimin e tyre për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e disa prej personave më të kërkuar, për vepra të rënda penale kundër personit dhe pronës, konkretisht të shtetasve: TALO ÇELA, LAERT HAXHIU, JANI ALIA, IBRAHIM LICI DHE ERJON LLAPUSHI. Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e këtyre personave, Policia e Shtetit vë në dispozicion shuma të konsiderueshme parash. Cilido që mund të disponojë informacione të vlefshme, të telefonojë në numrin e celularit 069 41 10 853, duke iu garantuar anonimat të plotë”, ka njoftuar Policia e Shtetit në lidhje me publikim e listës së personave më të kërkuar në vend.
Kush janë 5 personat më të kërkuar nga Policia?
Talo Çela i përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, është një nga të kërkuarit që në fakt, duket se më shpejt se policia e gjeti rivali i tij. Nuredin Dumani. Krisja mes miqve,sot rivali nisi pas grabitjes në aeroportin e Rinasit në 2019-ën për ndarjen e parave mes Celës dhe Dumanit. Talo Cela dyshohet se fshihet dhe pas vrasjes në atentat të vëllezërve Haxhia në Durrës në 2020-ës. Erjon Llapushi 34-vjeçar nga Pogradeci akuzohet për vrasjen e kamerierit. Llapushi e kapi për fyti kamerierin 57-vjeçar, Gazment Kurmaku, e kërcënoi me thikë dhe më pas e vrau. Laert Haxhiu është në kërkim për masakrën e Lushnjës në vitin 2017. Të vrarë mbetën Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën Bujar Turku dhe Marius Xhepexhiu, por shpëtoi shënjestra e tyre që ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Jani Alia është dënuar në mungesë me burgim përjetë, dhe nuk ka bërë asnjë ditë burg për një nga vrasjet që ka tronditur kryeqytetin në 2016-ën. Jani Alia vrau Elton Çiçon në lokalin “De Niro” në zonën e ish-bllokut. Ibrahim Lici një tjetër i kërkuar me rrezikshmëri të lartë, i dyshuar për një sërë vrasjesh në Shkodër. Lici akuzohet për vrasjen e vëllezërve Ibrahim dhe Astrit Bilali në derën e shtëpisë së tyre në 2019-ën, por edhe për ekzekutimin e Endi Mustafës po në Shkodër, në maj të 2021-shit gjatë kohës që ishte në arrati.






































